Uncategorized

Psikologjia e mohimit dhe një paralajmërim nga Pascal-i

Ekzistojnë tre kategori njerëzish që mohojnë një reagim shkencërisht të provuar të shëndetit publik, ndaj pandemisë së koronavirusit: një pjesë janë militantë partiakë, të tjerë janë të painformuar shkencërisht, dhe një grup i tretë, i prirur drejt teorive konspirative. Dhe shpesh herë ka mbivendosje mes këtyre kategorive.

Eshtë një fenomen mbarëbotëror, i cili nuk ka lënë pa prekur as Shqipërinë.

Shembulli më i spikatur në Shqipëri është Sazan Guri, një i vetëquajtur profesor që pretendon se merret me shkencën e mjedisit, i cili pak ditë më parë shkruante në një postim në Facebook, se i kish thënë një shoqja e tij, e cila e kish dëgjuar nga një pronar i një agjencie funerale, se kjo agjenci i paguante familjet e të vdekurve, nga cilado sëmundje, që të regjistronin të afërmit e tyre si të vdekur nga Covid19. Dhe në fund, profesor Sazani shtronte pyetjen, se kush fshihet nga qeveria prapa kësaj agjencie, që kërkon të rrisë fiktivisht numrat e viktimave.

Edhe pse as Sazani, as shoqja e tij nuk u japin shpjegim disa pyetjeve të thjeshta, fjala vjen:

A e dinë që në Shqipëri, me ligj, janë autoritetet shëndetësore që përcaktojnë shkakun e vdekjes, dhe jo familjarët e viktimave, e as agjencia funerale?

Shoqja i kish thënë Sazanit që agjencia ka varrosur 95 të vdekur (fiks sa numri zyrtar deri atë ditë). A thua të 95 viktimat, në të katër anët e Shqipërisë, i paskësh varrosur vetëm kjo agjencia funerale?

Dhe e fundit, ç’interes ka një agjenci funerale ta shpallë të vdekurin me Covid, kur kjo do i sjellë humbje për shkak se agjencia që organizon pritjet e njerëzve, mbetet pa punë?

Gjithësesi një numër njerëzish qenë të prirur të mos e vinin aspak mendjen në punë, dhe të besonin fjalët e Sazan Gurit, i cili vetëm një ditë më herët kishte përcaktuar edhe gjurmën se ku kishte shkelur Zeusi mbi malin e Tomorit.

Të zemëruarit

Me të drejtë, Pascal thoshte se pjesa më e madhe e telasheve të njerëzve, burojnë nga fakti që e kanë të pamundur që të rrijnë ulur, të qetë në një dhomë. Shumica e militantëve partiakë janë të zemëruar. Një pjesë tjetër janë të shqetësuar jo thjesht për pandeminë, por edhe për pasojat e dëmshme ekonomike.

Në shtete të ndryshme, ka patur arsye të ndryshme që justifikojnë zemërimin: Kina shtypi doktorët e par që dhanë alarmin për pandeminë. Irani mbajti zgjedhje në fillim të pandemisë. Serbia uli fiktivisht shifrat sa për të mbajtur zgjedhjet, dhe më pas ato u rritën si me buton pas vetëm dy ditësh. Italia vonoi masat e distancimit social. Anglia fillimisht tha se do të zbatonte teorinë e imunitetit të tufës, dhe se shumë njerëz do të vdisnin. E vërteta është që pandemia është kohë e keqe, për udhëheqës që fillimisht mohojnë dhe më pas përballen me popullsi të zemëruar.

Të painformuarit

Grupi i dytë është ai i të painformuarve. Këta ndahen në dy grupe: të rinjtë dhe skeptikët ndaj shkencës. Të parët janë ata që nuk heqin dot dorë nga festat pas mesnate, në qendër të bllokut apo në plazhe. Siç ndodh zakonisht me të rinjtë, aty ku nuk vepron arsyeja, nevojitet komanda. Shumë shtete u detyruan të ndërhyjnë duke mbyllur plazhe dhe bare ditët e fundit, duke u thënë të rinjve se koha e festave duhet shtyrë. Skeptikët ndaj shkencës përgjithësisht zgjedhin ato studime shkencore që u pëlqejnë. Por të gjithë bien dakord në një pikë: mendimi i tyre është më i vlefshëm se sa shkenca, në djall shkoftë pandemia! Dhe nuk u bëhet shumë vonë që ajo që ata pëlqejnë, mund të jetë pak si larg nga verdikti i shkencës.

Të fiksuarit

Grupi i fundit janë të fiksuarit pas teorive konspirative. Nuk ka mundësi, mendojnë ata, që një gjë e tmerrshme të ndodhë ashtu kot. Duhet të ketë një arsye më të thellë. Dhe dalin pastaj teori me agjenci varrimi, si ajo e profesor Sazanit, apo edhe të tjera, ku njerëz të cilëve u ofrohet kohë televizive, bëjnë thirrje madje që të hapen kanatë dyert e infektivit, dhe këta të futen brenda për t’i vërtetuar vetes dhe botës, se Covid-19 nuk ekziston.

Ka një problem mohimi i pandemisë: Mjafton edhe një pakicë e vogël që të sfidojë rregullat e shëndetit publik dhe kontrollit të pandemisë, për të hedhur në erë gjithçka. Kjo është një arsye përse kontrolli i pandemisë ka çaluar jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë. Mjafton të bësh një krahasim mes Evropës e Lindjes së Mesme, me Kinën dhe Lindjen e Largme.

Paralajmërimi i Pascalit është tejet domethënës, kur vjen fjala tek psikologjia njerëzore: Njerëzit e kanë të pamundur që të rrijnë ulur në një dhomë. Dhe çfarë bëjnë? Sajojnë arsye pse nuk duhet që të rrijnë ulur, të qetë, në një dhomë. / bota.al

Leave a Reply

Check Also
Close
Back to top button