
Guido Olimpio
Alarme, luftë fjalësh dhe kërcënime. Kriza SHBA-Iran vazhdon në një situatë tensioni të lartë, gjithmonë një hap larg rifillimit të konfliktit. Nuk do të ishte aspak e çuditshme nëse zjarri i luftës do të rindizej së shpejti. Për disa, kjo është çështje ditësh, madje edhe orësh.
Analiza e sotme nis me një memorandum të dërguar nga Jay Clayton, drejtori i të gjitha agjencive amerikane të inteligjencës, në Departamentin e Shtetit. Në këtë dokument paralajmërohet rreziku i sulmeve iraniane kundër diplomatëve dhe zyrtarëve amerikanë, si jashtë vendit, ashtu edhe brenda territorit të Shteteve të Bashkuara.
Sipas informacioneve, shërbimet e inteligjencës kanë mbledhur të dhëna mbi përgatitjet e strukturave klandestine të lidhura me Forcën Quds, njësinë e Gardës Revolucionare Islamike (Pasdaran), e cila vepron përmes pjesëtarëve të saj ose mbështetet te mercenarët.
SHBA-Iran: Mesazhe të qarta
Nga frika e sulmeve të papritura, Uashingtoni ka paralajmëruar personelin e vet në të gjithë rajonin, duke reduktuar në disa raste edhe numrin e punonjësve.
Gjithashtu, është rritur niveli i sigurisë përreth përfaqësive diplomatike, si edhe pranë bazave ushtarake, të cilat janë goditur disa herë nga Garda Revolucionare gjatë fazave të mëparshme të konfliktit.
Gazeta The New York Times, duke i dhënë një hapësirë të konsiderueshme çështjes, si edhe portali Axios, kanë publikuar informacione mbi këto rreziqe.
Në të vërtetë, këto raportime pasqyrojnë atë që burimet iraniane kanë deklaruar gjatë javëve të fundit.
Nga Teherani, mesazhet kanë qenë të qarta: nëse sulmohemi, mund të kundërpërgjigjemi duke goditur bazat ushtarake, infrastrukturën e naftës dhe kabllot nënujore.
Kësaj liste objektivash, tashmë të pritshme, i janë shtuar edhe shënjestra të reja: oficerët ushtarakë dhe diplomatët, siç është bërë e ditur në një raportim të agjencisë iraniane të lajmeve Fars.
Garda Revolucionare mund të përdorë taktikën e vrasjeve të shënjestruara, një mënyrë për t’i qëndruar besnike strategjisë së saj, e cila synon zgjerimin sa më shumë të mundshëm të fushës së veprimit.
Megjithatë, çështja kryesore është të kuptohet nëse këto operacione do të ndërmerreshin vetëm si hakmarrje ndaj një sulmi apo nëse, siç kanë hamendësuar disa analistë, Irani mund të ndërmarrë veprime parandaluese, përpara se të bëhet vetë objekt i një ofensive.
Në Teheran, një rrymë që përbën shumicën brenda regjimit është e bindur se i ka të gjitha kartat në favor për të poshtëruar Donald Trumpin dhe është pothuajse “e fiksuar” pas idesë për ta detyruar atë të nënshtrohet.
Sipas këtij këndvështrimi, rifillimi i operacionit “Epic Fury” do t’u shkaktonte dëme të jashtëzakonshme monarkive të Gjirit Persik, do të sillte pasoja ekonomike për të gjithë dhe nuk do t’i jepte Shtëpisë së Bardhë fitoren që ajo kërkon.
Në anën tjetër, dyshja Donald Trump–Benjamin Netanyahu vazhdon të besojë se një goditje tjetër e fuqishme, përmes bombardimeve masive, mund të jetë shkatërrimtare për boshtin e formuar nga ajatollahët dhe Garda Revolucionare.
Kështu, të dyja palët mbështeten te dobësitë, reale apo të supozuara, të kundërshtarit. Këto përllogaritje ndikohen edhe nga konsiderata të politikës së brendshme.
Pragmatizëm
Vëzhguesit kanë një qasje më pragmatike, e cila mund të përmblidhet në elementet e mëposhtme:
- Sinjale për sulme të reja amerikano-izraelite
Ekzistojnë sinjale të shumta që tregojnë mundësinë e sulmeve të ardhshme ajrore nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
Numri i avionëve cisternë, që përdoren për furnizimin me karburant të avionëve luftarakë gjatë fluturimit, është rritur sërish ndjeshëm.
Në zonën e operacioneve kanë mbërritur gjithashtu avionë të specializuar për luftën elektronike.
Janë zhvilluar konsultime të ngushta mes palëve, ndërsa Pentagoni ka përmendur edhe mundësinë e përdorimit të “nënës së të gjitha bombave”, një prej bombave konvencionale më të fuqishme në arsenalin amerikan.
- Irani nuk ka ndërmend të tërhiqet
Teherani nuk dëshiron të bëjë lëshime dhe këtë ua ka përsëritur edhe ndërmjetësve, të cilët nuk e kanë braktisur misionin e tyre diplomatik.
- Mundësia e atentateve brenda SHBA-së
Për iranianët nuk do të ishte e lehtë të organizonin atentate në territorin e Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, nuk duhet vënë kurrë bast mbi atë që nuk dimë.
- Rasti i bazës britanike Fairford
Frika nga sabotime të mundshme me dronë kundër bazës britanike Fairford, e cila përdoret edhe nga amerikanët, ka qenë e mjaftueshme për të shkaktuar largimin e menjëhershëm të bombarduesve strategjikë B-1.
Është një histori me shumë pikëpyetje, por që ka nxjerrë në pah shqetësimet e Perëndimit dhe ka shënuar një pikë në favor të regjimit të ajatollahëve.
Zhvillimet rreth Ngushticës së Hormuzit
Nuk duhet humbur nga vëmendja ajo që po ndodh rreth Ngushticës së Hormuzit. Muaji tetor ka regjistruar një numër rekord sulmesh iraniane kundër anijeve cisternë që transportojnë naftë: pothuajse 30 sulme. Në disa raste, Garda Revolucionare dyshohet se ka përdorur dronë të pajisur me sisteme drejtimi me rreze infra të kuqe.
Ky përfundim është nxjerrë nga vendet ku janë regjistruar goditjet, në zonën e motorëve të anijeve.
Luftë verbale
Duke marrë përsipër përgjegjësinë për sukseset e tyre, pjesëtarët e Gardës Revolucionare, në disa raste, ua kanë atribuuar goditjet “minave detare”. Megjithatë, jo të gjithë ekspertët janë të bindur nga ky shpjegim.
Nga ana e tij, Donald Trump e ka akuzuar Republikën Islamike se po mashtron. Sipas versionit të presidentit amerikan, shumë prej këtyre sulmeve të befasishme në det nuk kanë ndodhur kurrë. Me këtë deklaratë, Trump synon të theksojë se Teherani nuk e ka nën kontroll të plotë Ngushticën e Hormuzit. / Corriere della Sera – Bota.al