Covid19

“Si më ndodhi kjo?” Ja pse mund të prekeni nga Covid-19, edhe pasi jeni vaksinuar

Nga Steven Findlay

“The Washington Post”

Robin Hauzer, një mjeke pediatre nga Tampa e Floridës,u prek në shkurt të këtij viti nga Covid-19. Ajo që e dallon nga shumica e dhjetëra miliona amerikanëve të tjerë që janë prekur nga ky virus është kjo:Robin u sëmur 7 javë pas dozës së saj të dytë të vaksinës Pfizer-BioNTech.

Unë isha i shokuar. Mendova:Si ka mundësi!? Tani u them të gjithëve, përfshirë kolegët emi, mos e ulin aspak vigjilencën e tyre edhe pas vaksinimit.”Ndërkohë që çdo ditë gjithnjë e më shumë amerikanë po vaksinohen, një numër i vogël por gjithsesi në rritje po përjeton përvojën shqetësuese të prekjes nga Covid-19, pavarësisht se kanë marrë një apo 2 doza e vaksinës anti-Covid.

Sipas të dhënave më të fundit, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, raportuan se të paktën 5.800 njerëz ishin sëmurur ose kishin rezultuar pozitivë ndaj koronavirusit, 2 javë ose më shumë pasi kishin marrë që të dyja dozat e vaksinës Pfizer-BioNTech apo Moderna.

Aktualisht, më shumë se 95.9 milion amerikanë janë plotësisht të vaksinuar. Këto llojinfeksionesh pas vaksinimit janë vërejtur tek njerëzit e të gjitha moshave. Pak më shumë se 40 për qind e tyre ishin 60 vjeç ose më të moshuar, dhe 65 për qind ishin gra.

29 për qind e njerëzve të infektuar nuk raportuan asnjë simptomë, por 7 për qind prej tyre u shtruan në spital, dhe pak më shumë se 1 për qind e tyre (74 persona)vdiqën. Zyrtarët e shëndetit publik, kanë deklaruar se infeksione të tilla priteshin, pasi prodhuesit e vaksinave kanë paralajmëruar vazhdimisht se vaksinat nuk të mbrojnë 100 për qind.

Vaksinat e Pfizer dhe Moderna, janë treguar të efektshme në masën mbi 90 për qind për të paktën gjashtë muaj. Gjithashtu, studimet kanë treguar se ato janë gati 100 për qind të efektshme në garantimin që një pjesë e vogël e pacientëve të vaksinuar që preken nga virusi të mos përjetojnë simptoma të rënda, apo të mos kenë nevojë të shtrohen në spital.

E megjithatë, njerëzit zakonisht tronditen kur preken nga virusi pas marrjes së vaksinës. Pas shumë muajsh frikë, dhe zbatimit të masave mbrojtëse për të shmangur sëmurjen nga Covid-19, ata nisën të ndiheshin të sigurt sapo u vaksinuan.

52 vjeçarja Hauzer kishte marrë leje për t’u kujdesur për fëmijët e saj të moshës 21 dhe 16 vjeç, që ishin prekur nga virusi. Ajo ishte e sigurt se ishte e mbrojtur prej tij. Në të njëjtën kohë ajo po kujdesej edhe për atin që vuan nga kanceri.

“Është vërtet një mrekulli që nuk e infektova babain, para se të kuptoja që edhe unë isha e sëmurë më Covid-19”- thotë Hauzer. Si për të vërtetuar sjelljen e çuditshme të këtij virusi, bashkëshorti i Hauzer, Brajan, që nuk është vaksinuar ende, nuk u prek në asnjë rast nga virusi.

Masha Gesen, gazetar i “The New Yorker”, mori të dyja dozat e vaksinës në mesin e  shkurtit. Një muaj më vonë, Gesen u sëmur dhe rezultoi pozitiv ndaj Covid-19, pasi djali dhe partnerja e tij ishin prekur më herët. Përvoja me këtë sëmundje ishte “shqetësuese, madje pak traumatike”- tha Gesen.

Efekti psikologjik i prekjes nga virusi pas një viti kur isha treguar shumë i kujdesshëm dhe isha vaksinuar ishte shumë i rëndë. M’u deshën rreth 3 javë që të rikthehesha në normalitet”- deklaroi Gessen në një intervistë.

Kami Kim, drejtore e sektorit të sëmundjeve infektive dhe mjekësisë ndërkombëtare në Universitetin e Floridës së Jugut në Tampa, tha se mjekët shqetësohen njëlloj kur shohin raste të tilla.“Ndërsa e gjitha kjo është e parashikueshme, ajo përjetohet me konfuzion dhe zhgënjim si nga mjekët ashtu edhe pacientët”-thotë Kim.

Edhe studimi i fundit i Moderna, tregon se 900 njerëz morën vaksinën e saj u prekën nga koronavirusi, saktësisht në përputhje me 90 për qind të efikasitetit të saj, thotë zëdhënësja e kompanisë Kolin Hasej.

Edhe zëdhënësja e kompanisë Pfizer Xherika Pits, ka konfirmuar se kompania do të monitorojë për 2 vite pjesëmarrësit në një test pas marrjes së dozës së tyre të dytë, për të mësuar më shumë rreth mbrojtjes që ofron vaksina e saj.

Pfizer dhe Moderna raportojnë të dhëna që tregojnë deri në 80 për qind mbrojtje nga infeksioni 2 javë apo më shumë pas marrjes së dozës së parë. Por shumica e ekspertëve besojnë se mbrojtja është edhe më e madhe nga 50 për qind në 80 për qind, në varësi të kohës pas vaksinimit dhe variacionit individual që ekziston tek çdo vaksinë.

Entoni Fauçi, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive dhe këshilltar i presidentit Bajden mbi menaxhimin e pandemisë, tha se numri i rasteve me Covid-19 pas vaksinimit nuk është shkak për t’u alarmuar, dhe se administrata do të vazhdojë t’i monitorojë nga afër këto raste.

Një nga pistat kryesore të investigimit është të vlerësuarit se si do të reagojë virusi apo variantet e reja të tij tek njerëzit që tashmë janë vaksinuar. Jo pak studime sugjerojnë se vaksinat aktuale mund të jenë disi më pak efektive ndaj disa varianteve të reja. / bota.al

Back to top button
Close
Close