5 format e qeverisjes sipas Platonit. Nga Aristokracia, tek Oligarkia e Tirania

Zbuloni 5 format e qeverisjes sipas Platonit në veprën “Republika”: aristokracinë, timokracinë, oligarkinë, demokracinë dhe tiraninë.

format e qeverisjes

Dave Roos

“Republika” e Platonit është një nga tekstet themelore të filozofisë dhe mendimit politik perëndimor. E shkruar në formën e një dialogu të gjallë mes Sokratit dhe, ndër të tjerë, vëllezërve të Platonit, vepra ofron një shqyrtim të gjerë të konceptit të “drejtësisë” dhe të mënyrës se si ajo mund të arrihet, ose të mos arrihet, përmes politikës.

Në pjesën më të madhe të librit, Platoni paraqet argumentet filozofike në mbështetje të formës më të lartë të qeverisjes: aristokracisë së drejtuar nga filozofë të mençur dhe të virtytshëm. Nëse një shtet i tillë “ideal” mund të ekzistojë ndonjëherë në praktikë, kjo mbetet një pyetje e hapur.

Cilat janë 5 format e qeverisjes sipas Platonit?

“Republika” nuk ishte menduar si një shqyrtim historik i formave ekzistuese të qeverisjes, por si një diskutim filozofik mbi përparësitë dhe mangësitë e regjimeve të ndryshme politike hipotetike. “Për Platonin, qëllimi i qeverisjes është të nxisë përsosmërinë njerëzore dhe të zhvillojë virtytin njerëzor”, thotë Mark Blitz, profesor i filozofisë politike në Claremont McKenna College, në Kaliforni.

“Në fund të fundit, për Platonin, forma ‘më e mirë’ e qeverisjes rezulton të jetë sundimi i filozofëve. Por pyetjet themelore të ‘Republikës’ janë: Çfarë është drejtësia? Dhe cilët janë kufijtë e drejtësisë në politikë?”

Këto kufizime shfaqen qartë në Librin VIII të “Republikës”, ku Sokrati diskuton format më të ulëta të qeverisjes, të renditura sipas një shkalle zbritëse: timokracia, oligarkia, demokracia dhe tirania.

  1. Aristokracia

Në greqisht, fjala “aristokraci” do të thotë fjalë për fjalë: “sundimi i më të mirëve”.

Për Platonin, aristokracia nuk ishte një shoqëri e qeverisur nga një klasë elitare e pasur apo nga fisnikët, siç mund ta kuptojmë sot, por një shoqëri e drejtuar nga qytetarët e saj më të shquar.

Sokrati i përshkruan këta sundimtarë si “filozofët më të mirë dhe luftëtarët më trima”, të cilët i përkushtohen së mirës së përbashkët. “‘Filozofia’ në Greqinë e Lashtë nuk ishte disiplina e ngushtë akademike që ne e konsiderojmë sot”, thotë Blitz. “Filozofia nënkuptonte studimin e plotë të çështjeve njerëzore, përfshirë matematikën, shkencat natyrore dhe politikën.”

Filozofët-sundimtarë të shtetit ideal të Platonit do të përzgjidheshin që në fëmijëri, në bazë të karakterit të tyre moral dhe aftësive fizike. Kandidatët më premtues do të edukoheshin dhe stërviteshin për të kuptuar epërsinë e arsyes dhe rëndësinë e mbajtjes nën kontroll të pasioneve.

Më të mirët mes këtyre filozofëve do të qeverisnin së bashku si mbretër të mençur dhe dashamirës.

Për të shmangur tundimin dhe korrupsionin, sundimtarët-filozofë të Platonit nuk do të merrnin të ardhura dhe nuk do të lejoheshin të zotëronin pronë private. Ata do të ndanin gjithçka me anëtarët e tjerë të klasës së rojtarëve të shtetit. Madje, edhe gratë dhe fëmijët do të ishin të përbashkët.

Për Platonin, një shoqëri e qeverisur nga filozofë që ushtrojnë gjykimin më të lartë moral, etik dhe politik do t’u ofronte qytetarëve mundësinë më të madhe për të përjetuar drejtësi, lumturi dhe paqe të vërtetë.

Megjithatë, Platoni duhet ta ketë kuptuar se një qeverisje e tillë ishte “në mos krejtësisht e pamundur, të paktën jashtëzakonisht pak e mundshme”, thotë Blitz, autor i librit “Plato’s Political Philosophy” (“Filozofia Politike e Platonit”).

“Atë që Platoni nënkuptonte me një filozof të vërtetë, ndoshta mund ta numëroni me gishtat e të dyja duarve dhe të dyja këmbëve, po të mendoni sa të tillë kanë jetuar ndonjëherë! Po flasim për Aristotelin, Lokun, Hegelin… Brenda një brezi të vetëm mund të mos keni asnjë nga këto figura të jashtëzakonshme, e jo më disa prej tyre.”

Pikërisht sepse Platoni e kuptonte se një aristokraci e vërtetë filozofike, edhe sikur të mund të realizohej, do të ishte jetëshkurtër, ai e përdori Librin VIII të “Republikës” për të përshkruar format më të ulëta të qeverisjes.

  1. Timokracia

Sipas Platonit, secili prej regjimeve më të ulëta dominohej nga një lloj i ndryshëm karakteri njerëzor, ose nga një e metë e caktuar e karakterit.

Timokracia është një shoqëri e qeverisur nga njerëz që e duan nderin mbi gjithçka tjetër. Blitz thotë se Sparta e lashtë është një shembull i dobishëm, megjithëse jo i përsosur, i timokracisë.

Ajo ishte një shoqëri “e përkushtuar ndaj luftës dhe nderit të luftëtarit”, më shumë sesa ndaj përsosmërisë së plotë njerëzore.

Tek “Republika”, kur Sokratit i kërkohet të përshkruajë karakterin e njerëzve që tërhiqen nga timokracia, ai përgjigjet:

“Ai është dashamirës i pushtetit dhe i nderit; pretendon të jetë sundimtar, jo sepse është gojëtar apo për ndonjë arsye të ngjashme, por sepse është ushtar dhe ka kryer vepra trimërie në luftë; ai është gjithashtu i dhënë pas ushtrimeve gjimnastikore dhe gjuetisë.”

Platoni flet gjerësisht për “shpirtin” në veprën “Republika”. Trupi, shpjegon Platoni, është thjesht një instrument i shpirtit të pavdekshëm, i cili mund të “korruptohet nga veset dhe të pastrohet përmes virtytit”.

Prandaj, shpirti i një filozofi të vërtetë udhëhiqet nga arsyeja. Ndërsa shpirti i njeriut timokratik udhëhiqet nga “vrulli shpirtëror” (thumos në greqisht), të cilin Blitz e përshkruan si “burimin e zemërimit, krenarisë dhe dashurisë për nderin”.

“Nuk ka asgjë ‘të gabuar’ në dashurinë për nderin”, thotë Blitz, “por ajo është e pamjaftueshme. Nuk përbën përkushtim të plotë ndaj arsyes”, të cilën Platoni e konsideron gjendjen më të lartë të shpirtit. Timokracia, megjithëse më e ulët se aristokracia, të paktën është e orientuar drejt së mirës së përbashkët. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për regjimin pasues: oligarkinë.

  1. Oligarkia

Një nga aspektet më të rrezikshme të timokracisë, sipas Platonit, ishte shpejtësia me të cilën ajo mund të shndërrohej në oligarki. Në oligarki, dashuria për nderin zëvendësohet nga një dashuri egoiste dhe e pangopur për paranë.

Në “Republikën”, Sokrati e përshkruan oligarkinë si:

“Një qeverisje e mbështetur në vlerësimin e pasurisë, ku të pasurit kanë pushtetin dhe të varfërve u mohohet… [ku] njëri, duke parë tjetrin të pasurohet, përpiqet ta rivalizojë, dhe kështu masa e madhe e qytetarëve bëhen dashamirës të parasë… dhe ata bëhen gjithnjë e më të pasur, ndërsa sa më shumë mendojnë për të krijuar pasuri, aq më pak mendojnë për virtytin… dhe në përpjesëtim me nderimin që u bëhet pasurive dhe njerëzve të pasur në shtet, virtyti dhe njerëzit e virtytshëm humbasin vlerësimin.”

Platoni e kuptonte tërheqjen e parezistueshme të parasë dhe ndikimin e saj korruptues mbi sundimtarët. Pikërisht për këtë arsye, në shoqërinë e tij të përsosur, mbretërit-filozofë do të shpërbleheshin vetëm me ushqim dhe strehim dhe nuk do të lejoheshin të zotëronin apo të grumbullonin pasuri.

Kur pasuria dhe prona vlerësohen mbi gjithçka tjetër, pushteti përqendrohet në duart e një pakice të privilegjuar, e cila nuk do të ndalet para asgjëje për të fituar edhe më shumë.

Për Platonin, rritja dhe zgjerimi ekonomik nuk ishin shqetësime politike të ngjashme me ato që janë sot në demokracitë kapitaliste. “Në përgjithësi, Platoni do ta kishte parë me dyshim gjithë projektin e rritjes ekonomike dhe të grumbullimit të pasurisë nga njerëzit”, thotë Blitz.

  1. Demokracia

Platoni nuk i lartësonte “lirinë”, “të drejtat e lirisë” dhe “barazinë” si kushte të domosdoshme për një shoqëri të drejtë. Në fakt, kundërshtimi i tij kryesor ndaj demokracisë ishte se ajo çonte në një “tepricë lirie”.

Për Platonin, një nga sfidat e gjendjes njerëzore ishte të zgjidhte mes dëshirave “të domosdoshme” dhe atyre “të panevojshme”. Në një aristokraci, kjo nuk përbën problem, sepse filozofët-sundimtarë do t’i përdornin aftësitë e tyre superiore për të dëshiruar vetëm ato gjëra që i shërbejnë së mirës së përbashkët.

Edhe njerëzit e timokracisë dhe oligarkisë do ta drejtonin energjinë e tyre drejt disa dëshirave të caktuara, të cilat, megjithëse më të ulëta, do t’i konsideronin “të domosdoshme”: nderit dhe pasurisë.

Problemi me një demokraci të vërtetë, dhe Platoni e njihte mirë versionin origjinal athinas, me të gjitha të metat e tij, ishte se qeverisja funksiononte sipas tekave të dëshirave individuale, të cilat në shumë raste ishin “të panevojshme” dhe në kundërshtim me të mirën e përgjithshme. “Në demokraci ekziston liria, por kjo liri nuk ka një drejtim të përcaktuar”, thotë Blitz. “Ajo është e hapur ndaj çdo lloj dëshire, gjë që mund të çojë në një lloj uljeje ose degradimi të shoqërisë.”

Kjo është arsyeja pse Platoni nuk ishte as ndonjë përkrahës i madh i “barazisë”. Sipas tij, jo çdo qytetar ishte i përshtatshëm për të marrë një rol drejtues. Vendimet që ndikonin shoqërinë në tërësi duhej t’u liheshin në dorë “më të mirëve” mes qytetarëve.

Kjo nuk përcaktohej nga përkatësia në një klasë të caktuar shoqërore apo në një familje të veçantë, por nga talenti dhe edukimi. Në “Republikën”, Platoni e vendos demokracinë poshtë oligarkisë, sepse e sheh atë si hapin e natyrshëm që pason një revolucion.

Kur të varfrit lodhen nga padrejtësia, ata përmbysin oligarkët dhe përdorin mekanizmat e demokracisë për t’ua “marrë të pasurve pronat dhe për t’i shpërndarë ato mes popullit”, thotë Sokrati. Sipas arsyetimit të Platonit, është pikërisht ky mentalitet populist i “turmës” që i hap rrugën ngritjes së tiranit.

  1. Tirania

Si vjen tirani në pushtet? Duke u shtirur si “mbrojtësi” i popullit. “Populli ka gjithmonë një prijës, të cilin e vendos mbi veten dhe e ushqen derisa të bëhet i fuqishëm”, thotë Sokrati në “Republikën”.

“Pikërisht kjo, dhe asgjë tjetër, është rrënja nga e cila lind tirani; kur shfaqet për herë të parë, ai paraqitet si mbrojtës.” Pasi tirani fiton mbështetjen e turmës, ai kthehet kundër armiqve dhe kritikëve të tij, duke përdorur gjykatat për t’i ekzekutuar ose dëbuar ata.

Tirani nxit vazhdimisht luftëra për t’i bashkuar mbështetësit kundër një armiku të huaj dhe për t’ua larguar vëmendjen nga fakti se jeta e tyre nuk po përmirësohet. Kur njerëzit e kuptojnë se i kanë dhënë tiranit shumë pushtet, tashmë është tepër vonë. Jeta e tyre është plotësisht nën kontrollin e tij. Në këndvështrimin politik të Platonit, tirani është e kundërta e filozofit.

Ndërsa filozofi shqetësohet vetëm për të mirën e përbashkët, tirani kujdeset vetëm për veten dhe rrethin e tij të ngushtë.

Ndërsa filozofi i mban nën kontroll dëshirat e tij “të panevojshme”, tirani nuk shfaq kurrfarë përmbajtjeje. “Argumenti i Platonit në ‘Republikën’ është se tirani është njeriu më i padrejtë dhe më pak i lumtur, ndërsa filozofi është shpirti më i drejtë dhe, për rrjedhojë, më i lumturi”, thotë Blitz. / History – Bota.al

Lexo edhe:

Pse debatet janë budallallëk dhe të rrezikshëm, sipas PLATONIT

Back to top button