MAINSport

A është futbolli një çështje për jetë a vdekje?

Nga Alex Krumer

Ish-trajneri legjendar i Liverpulit, Bill Shenkli, tha dikur se futbolli nuk është një çështje për jetë a vdekje. Përkundrazi, është shumë përtej saj. Unë nuk jam i sigurt nëse ai e kuptonte se ishte shumë pranë të vërtetës. Përmes këtij artikulli, do të rendis disa shembuj që ilustrojnë faktin se futbolli në përgjithësi, dhe botërorët në veçanti, janë vërtet një çështje për jetë a vdekje.

Rëndësia ekonomike, kulturore dhe politike e Kupave të Botës është shumë e madhe. Për shembull, 3.6 miliardë shikues në mbarë globin ndoqën Botërorin e vitit 2018 në Rusi. Ndërkohë ndeshja kualifikuese për në Botërorin e vitit 1970 midis El Salvadorit dhe Hondurasit, u shndërrua në një konflikt ndër-shtetëror që i mori jetën afro 3000 njerëzve.

Lidhja midis suksesit në botëror dhe intimitetit në çift

Është vërtetuar se emocionet luajnë një rol të rëndësishëm në vendimmarrjen e njerëzve. Prandaj, nuk duhet të habitemi që emocionet e nxitura nga rezultatet e një aktiviteti të madh siç është Kupa e Botës, mund të kenë një efekt të madh në aspekte të ndryshme të rëndësishme të jetës.

Për shembull, një studim i kohëve të fundit analizoi normat mujore të lindjeve për 50 vende evropiane në mbi 56 vjet, si dhe matjet e ecurisë së ekipeve kombëtare në 27 aktivitete ndërkombëtare të futbollit (Kupat e Botës dhe Kampionatet Evropiane).

Studimi tregoi se një rritje në ecurinë e ekipeve kombëtare, shoqërohej me një rënie të lindjeve 9 muaj pas aktivitetit. Shkaku i mundshëm i këtij fenomeni, është se gjatë mega-ngjarjeve sportive, individët ndryshojnë preferencat e tyre të ndarjes së kohës, veçanërisht kur ekipi i tyre i preferuar është duke ecur mirë në turne.

Ky konstatim sugjeron se performanca e keqe e ekipeve kombëtare, nuk ndikon në kohëzgjatjen e intimitetit në çift. Megjithatë, paraqitjet e mira të ekipeve kombëtare ka të ngjarë të pasohen nga festime me miqtë dhe bashkatdhetarët, gjë që redukton kohën e intimitetit fizik dhe për rrjedhojë edhe normat e fertilitetit.

Dështimi në Botëror dhe tregjet financiare

Edhe tregjet financiare mund të ndikohen nga emocionet e forta që shkakton një aktivitet madhor siç është Kupa e Botës në futboll. Një studim analizoi efektin që kanë ndjenjat së investitorëve në çmimet e aksioneve në bursa.

Më konkretisht, autorët përdorën të dhëna për tregjet financiare në 39 vende, dhe zbuluan se humbjet në ndeshjet e botërorit kishin një efekt negativ ekonomikisht dhe statistikisht të rëndësishëm në tregun e aksioneve të vendit humbës. Për shembull, eliminimi nga botërori shoqërohej me një rënie prej 38 për qind të indeksit kombëtar të tregut të aksioneve.

Kupat e Botës dhe sulmet në zemër

Së fundi por jo më pak e rëndësishme, rezultatet e ndeshjeve të futbollit mund të kenë një efekt të drejtpërdrejtë mbi shëndetin e njerëzve. Për shembull, një studim raportoi një nivel vdekshmërie dukshëm më të lartë nga sulmet në zemër pas eliminimit të Holandës nga Kampionati Evropian i vitit 1996.

Një studim tjetër ,raportoi një numër më të madh të sulmeve në zemër pas eleminimit të Anglisë nga Botërori i 1998-ës. Prandaj do të tregoheni të mençur nëse merrni frymë thellë dhe ruani qetësinë edhe kur humb ekipi juaj i zemrës.

Nga ana tjetër, kënaquni dhe festoni kur fiton ekipi juaj. Kjo sepse fitoret mund të shpëtojnë jetë njerëzish. Si dëshmi për këtë, një studim zbuloi një numër dukshëm më të ulët të sulmeve në zemër tek burrat francezë ditën kur ekipi kombëtar fitoi në finalen e Kupës së Botës në vitin 1998 përballë Brazilit.

Shënim:Alex Krumer, profesor i ekonomisë sportive në Kolegjin Universitar Molde në Norvegji. Ai e përdor sportin si një laborator për të studiuar sjelljet njerëzore. / Psychology Today” – Bota.al

Back to top button