BotaMAIN

Annalena dhe të tjerët

Si partitë gjermane përgatiten për fushatën elektorale kundër Annalena Baerbock dhe të Gjelbërve

Qysh kur kanë shpallur se kandidatja e tyre për postin e Kancelarit është Annalena Baerbock, bashkëudhëheqëse e partisë me Robert Habeck, Grünen po fluturojnë me krahët e entuziazmit. Baerbock po merr një profil gjithnjë e më autoritar dhe të besueshëm në sytë e gjermanëve dhe tashmë janë të shumta sondazhet që i nxjerrin të Gjelbërit si partia e parë në pritje të zgjedhjeve të shtatorit. Gjithçka duket se shkon në favorin e tyre. Për shembull, ditë më parë Gjykata Kushtetuese e Karlsruhe ka pranuar rekursin e paraqitur nga Fridays for Future dhe shoqata të tjera ambientaliste kundër Klimagesetz (ligjit për klimën) të miratuar nga qeveria në vitin 2019: objektivat e treguara në ligj janë shumë pak ambiciozë, nuk i kufizojnë vërtet efektet e ndryshimeve klimaterike dhe, për pasojë, paraqesin një shkelje të së drejtës themelore për një mjedis të jetueshëm për gjeneratat e ardhshme. Siç ka nënvizuar në newsletter e tij Pascal Thibaut, korrespondent i Radio France International në Berlino, vendimi për të krijuar një “moment Fukushima” të ri e ka vendosur temën e mbrojtjes së mjedisit në qendër të debatit dhe e ka shtrënguar qeverinë që të rishikojë afate dhe objektiva të ligjit. Natyrisht, të Gjelbërit janë partia që më shumë mund të përfitojë nga kjo ndjeshmëri e rinovuar ekologjike.

Në një kontekst të këtij lloji, është e qartë se fushata elektorale e partive të tjera do të përqëndrohet në mënyrë të veçantë ndaj Grünen. Kundërshtarë të drejtpërdrejtë për disa dhe aleatë potencialë qeverisjeje për thuajse të gjithë, të Gjelbërit gjermanë do të jenë argument kryesor për çdo war room, nga Union tek Linke. Le ta shikojmë në çfarë mënyre, duke ndjekur paksa modelin e një artikulli të kohëve të fundit të botuar në Der Spiegel. Situatën më të komplikuar sigurisht që do të duhet ta përballojë Union. Gjithnjë e më shumë në vështirësi në ondazhe, konservatorët duhet të lëvizin me ekuilibër midis nevojës për të sulmuar të Gjelbërit, konkurrentët e tyre më të besueshëm për rolin e partisë së parë, dhe nevojës për të mos i goditur shumë në thellësi: bëhet fjalë gjithësesi për partnerin më të mundur në pritje të formimit të një qeverie të re. Laschet dhe të tijët duket se kanë zgjedhur të riprovojnë të rikuperojnë votat e larguara në të kaluarën nga e djathta, në drejtim të AfD: fushata e tyre elektorale, që do të ketë midis protagonistëve të tij edhe Friedrich Merz, antimerkelianin radikal të mundur në kongresin e janarit, paralajmërohet shumë agresive nga kjo pikëpamje. Kreu i CDU nuk humbet rast për të nënvizuar mungesën e përvojës së Baerbock në fushën e administrimit dhe të qeverisjes: “Ajo flet, unë veproj”, ka thënë në një intervistë për “Süddeutsche Zeitung”. Por njëkohësisht konservatorët e dinë mirë sesa e rrezikshme është që t’u lihet të Gjelbërve çdo iniciativë mbi një temë tashmë aq e rëndësishme sa ajo ambientale: dhe është në këtë fushë që ka mundësi do të vijë në ndihmë Markus Söder, lideri i CSU. Në këto muaj Söder ka arritur të ndërtojë një profil prej administratori të vëmendshëm ndaj çështjeve ekologjike dhe ka qenë protagonisti i një grupi të pamëshirshëm ndaj Grünen nëpërmjet deklarateve dhe intervistave të shumta. Partia e tij po jep një seri propozimesh qëllimi i të cilave është t’u hiqet të paktën pjesërisht të Gjelbërve ekskluziviteti lidhur me axhendën ekologjike gjermane: për shembull, bavarezët mbështesin objektivin e një Gjermanie klimaterisht neutrale brenda 2045 (për t’u arritur qysh brenda 2040 në Bavari). Nëse nga njëra anë në këtë aset mund të lexohet një ndarje e detyrave – CDU bën zërin e lartë djathtas, CSU konkurron me të Gjelbërit për qendrën – nga ana tjetër fshihet një e panjohur për Armin Laschet: domethënë rreziku për t’i dhënë një forcë të mëtejshme Markus Söder, qe ka humbur vërtet betejën për kandidaturën si kancelar, por ama mund të fitojë luftën e brendshme për pushtet brenda rreshtimit konservator. Janë ende të shumtë mbështetësit e CDU që do të preferonin të kishin atë si kandidat në shtator dhe, pavarësisht deklarimeve shurdhuese për mbështetje dhe besnikëri që vijnë nga Bavaria, Laschet e di mirë se, në kushtet e dobësisë së madhe që ndodhet, duhet vazhdimsht të ruhet nga prapa krahëve. Të lërë që me mjedisin të merret CSU do të thotë t’i lërë një temë vendimtare të fushatës elektorale një aleati mjaft të besueshëm, por do të thotë njëherazi edhe t’i dorëzojë Söder një instrument të fuqishëm me të cilin të mund të ushtrojë presion ndaj CDU dhe eventualisht të provojë një sulm të ri ndaj nivelit drejtues, ndoshta kur vështirësitë për Laschet do të bëhen të pakalueshme.

Nga një pikëpamje strategjike SPD ka një detyrë më të thjeshtë. Në këtë fushatë elektorale socialdemokratët në thelb kërkojnë dy gjëra: të mos rrëshqasin shumë prapa dhe të bindin të Gjelbërit se mund të jenë një partner qeverisës shumë më i besueshëm dhe më logjik se Union. Shokët mund të mbështeten mbi një afërsi më të madhe me partinë ekologjiste dhe mbi faktin se shumica dërrmuese e militantëve të gjelbër preferojnë një marrëveshje me ta. Por është në këtë pikë që numrat bëhen vendimtarë: ka jashtëzakonisht pak të ngjarë që Grünen dhe SPD të mund të qeverisin të vetëm, duke parë nivelet në të cilin gjenden socialidemokratët në sondazhe. Një i tillë i të mërkursë 5 maj e nxjerr partinë në 14%, shumë larg nga pragu psikologjik i 20% dhe sidomos vetëm me 2 pikë larg respektivisht FDP, partisë liberale. Dhe një tjetër i datës 6 i konfirmon këto shifra, vetëm se 2 pikët avantazh në këtë rast janë ndaj AfD.

Për SPD është themelore të rikuperojë sa më shumë të jetë e mundur, për t’u paraqitur si parner i besueshëm qeverisës. Fatmirësisht i ka disa armë në arsenalin e saj: mund të mbështetet mbi një kandidat për Kancelar që gjermanët duket se ende e vlerësojnë shumë, shumë ekspertin Ministër të Financave Olaf Scholz. Por i duhet edhe të fillojë me një forcë të caktuar Union: dhe nuk është shumë e thjeshtë ta bëjë, kur janë bashkë në qeverisje prej 8 vjetësh.

Pas zgjedhjeve të shtatorit liberalët FDP mund të gjenden në një situatë jashtëzakonisht të avantazhuar. Prej disa kohësh duket se e kanë përmbysur tendencën negative që i kishte parë të zbrisnin në sondazhet deri sa të rrezikonin kalimin e pragut prej 5%, por sidomos është gjithnjë e më e qartë se mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në të paktën dy rikonfigurime të mundshme qeverisëse. Ajo që lideri Christian Lindner duket se preferon është një Jamaika-Koalition, një “koalicion Xhamajka” bashkë me Union dhe Grünen – e nëqoftëse do të pyesni: po, pikërisht ati që vetë ai e hodhi në erë latër vite më parë. Ama do të jetë vendimtare të shikohet se cila do të rezultojë parti parë: sepse për liberalët është një gjë të shkojnë në Xhamajkë nën udhëheqjen e një Kancelari të Union, ama një gjë krejtësisht tjetër ta bëjnë me në timon një Kancelare të gjelbër. Për ta, një qeverisje Laschet është padiskutim më e preferueshme sesa një qeverisje Baerbock, që mund të synojë mbi zgjedhje të vështira për t’u mbrojtur përpara elektoratit tipik të FDP.

Por nuk është e thënë që ky skenar është për t’u skartuar apriori: qysh në 2017 disa sondazhe kishin treguar sesi mbi tema të ndryshme votuesit liberalë dhe ata të gjelbër kishin pozicione të mbivendosshme dhe gjatë traktativave më pas të prishura në nëntorin e 2017 shumë eksponentë të partisë kishin mbetur të impresionuar për mirë nga përgatitja dhe nga aftësia negociuese e Baerbock. Por FDP do të luante një rol shumë më të rëndësishëm, të paktën numerikisht, në konfigurimin tjetër të mundshëm qeverisës: një Ampel – Koalition, domethënë një “koalicion semafor” bashkë me Grünen dhe SPD. Sigurisht që në këtë rast gjërat do të ishin shumë më të komplikuara, pasi pjesën e luanit në aleancë do ta bënin të Gjelbërit, por njëherazi qasja e liberalëve do të ishte vendimtare. Union dhe Grünen mund t’ia dalin të bëjnë një qeverisje të vetëm, SPD dhe Grünen jo: kështu, gjatë kësaj fushate elektorale FDP do të duhet t’i bindë partitë e tjera se mund të jetë një partner i besueshëm dhe i çmuar, sidomos do të duhet të bindë socialdemokratët dhe të Gjelbërit për të shmangur që të shkojnë e të trokasin në derën e Linke. Por do të duhej të tregonte kujdes edhe që të mos tregohej më shumë se duhej e disponueshme dhe e nënshtruar, që të mund ta ngrejë çmimin gjatë traktativave, sidomos në rastin e koalicionit semafor.

Linke e di se mund të hyjë në lojë vetëm në rast të aleancës grün – rot – rot, domethënë jeshil – kuq – kuq, bashkë me Grünen dhe SPD. Por në partinë e majtë nuk është i qartë drejtimit që do të merret, edhe sidomos për shkak të fushatës elektorale: të tregohet e disponueshme ndaj një marrëveshjeje eventuale, duke shtyrë kështu mbi modelin e “Linke qeverisëse”, apo të lëshohet vendosmërisht mbi votën e protestës më radikale, duke u paraqitur si “Linke luftarake”? Nga kjo pikëpamje situata në partinë e majtë është ende jashtëzakonisht fluide. Nga njëra anë, midis militantëve ekziston fuqishëm sharmi i votës së protestës, sië e tregon prirja që ka akoma Sarah Wagenknecht, ishte lidere dhe gruaja e themeluesit Oskar Lafontaine, jo e re në deklarime flakëruese me aromë shpesh populiste. Gjatë këtyre javëve Wagenknecht është rikthyer në skenë edhe falë daljes së librit të ri të saj, ku akuzon “stilin e majtë të jetesës” dhe lëvizje si Fridays for Future, dhe do të jetë kryesuesja e listët së partisë në North Rhin – Westfalia për zgjedhjet e shtatorit: një emërim shumë i diskutuar, por që tregon sesa peshë dhe influencë ka akoma die rote Sarah (“Sara kuqja”). Wagenknecht ka shpërthyer në kritika të ashpra ndaj Grünen, “partisë e kujt është mirë” dhe nuk ka preokupime të veçanta ekonomike, duke përkrahur në këtë bindjen e shumë militantëve për të cilët të Gjelbërit janë tashmë një parti “sistemi” në disa aspekte të padallueshme nga CDU. Shumë e fortë është pastaj antipatia ndaj Annalena Baerbock, sidomos prej pozicioneve të saj në politikën e jashtme, aq sa kandidatja e gjelbër shpesh thirret Aufrüstungs – Baerbock, “Baerbock – riarmatim” për shkak të hapjeve lidhur me temën e investimeve për mbrojtjen.

Por nga ana tjetër, shpirti tjetër i partisë, ai më i moderuari dhe “i qeverisjes”, e di mirë se këto zgjedhje janë një rast i shkëlqyer: jo vetëm Linke mund të luajë një rol themelor për një marrëveshje me të Gjelbërit dhe SPD, por Kancelarja e mundshme në këtë skenar vjen nga një Land, Brandeburg, ku partia ka qenë për një kohë të gjatë partner qeverisës me socialdemokratët. Kështu, ka të ngjarë që Baerbock ka përvojë të dorës së parë të Linke “qeverisëse” dhe nuk ka asnjë problem të kryesojë një qeveri kombëtare të mbështetur edhe nga a majta – një eventualitet që në fakt për shumë politikanë gjermanë përfaqëson ende një tabù në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Mbetet AfD, por lidhur me alternativat nuk ka shumë për të thënë: si gjithmonë, bëhet fjalë për partinë e vetme që do të mbesë jashtë nga çdo aleancë e mundur, duke parë se të paktën me fjalë askush nuk do të ketë të bëjë me ta. Pavarësisht vështirësive dhe përplasjes së brendshme që po kalojnë, është e arsëyeshme të supozohet se fushata e tyre elektorale nuk do të shkëputet shumë nga shembujt që tashmë kemi pasur mundësi të shikojmë. Programi i tyre përmban propozime tejet ekstreme, nga dalja prej Bashkimit Europian dhe euros tek mbrojtja e kufijve, ndalimi i ndërtimit të minareve në territorin gjerman dhe është për t’u pritur se mitingjet e tyre nuk do të jenë më pak nga ana tjetër, tahsmë kanë filluar: Jörg Meuthen, bashkëudhëheqës i partisë, sheh mundësinë e Grünen në qeveri me fitorn e “mendimit totalitar” të Klimafanatismus (nuk besoj se ka nevojë për përkthim). Për sa i përket Annalena Baerbock, Beatrix von Storch, zëvendëskryetare e grupit parlamentar të AfD në Bundestag, e sheh si një perde tymi që të Gjelbërit e përdorin për të fshehur “eko – socializmin” e tyre, por është deputeti Martin Sichert ai që shpalos një klasike të madhe: kandidatja e gjelbër është vetëm një marionetë e George Soros, miliarderit që zë kaq shumë hapësirë në mendimet e komplotistëve të gjysmës së botës.

(nga Kater)

Përgatiti: ARMIN TIRANA / bota.al

Back to top button