Covid19 AnalizaMAIN

BE mbetet pas Kinës dhe Rusisë në garën për ndikim përmes vaksinave

Nga Danil Bochkov

Kohët e fundit, ka pasur shumë vëmendje ndërkombëtare ndaj suksesit të Rusisë dhe Kinës në përdorimin e të ashtuquajturës “diplomaci e vaksinave”, në krahasim me shtetet perëndimore, që po luajnë shumë keq.

Ndërsa Rusia dhe Kina kanë fituar zemrat dhe mendjet e popujve të ndryshëm, duke eksportuar jashtë vendit vaksinat e tyre, Bashkimi Evropian është përballur me kritika të ashpra për shpërndarjen e ngadaltë të vaksinave në vendet e unionit.

Situata u ndërlikua më tej, kur blloku e pezulloi përkohësisht përdorimin e vaksinës së AstraZeneca, pas shqetësimeve në lidhje me efektet e saj anësore. Rusia dhe Kina, nuk i kanë kurrë fshehur qëllimet e tyre të vaksino-diplomacisë. Që të dyja po i përdorin haptazi vaksinat e tyre si instrumente të politikës së jashtme.

Moska po bën këtë ose për të ndihmuar aleatët post-sovjetikë si Bjellorusia dhe Armeninë, ose për të forcuar marrëdhëniet me partnerët më të largët të tilla si Venezuela, Siria, Irani apo Serbia. Gjithashtu Kremlini po synon që ta përhapë ndikimin e tij diplomatik brenda shteteve me prirje tradicionale perëndimore, si Emiratet e Bashkuara Arabe, Meksika, Hungaria ose Republika Çeke, ku që të gjitha këto vende po investojnë në blerjen e vaksinës Sputnik, pasi deri më tani nuk kanë pasur mundësi të blejnë vaksinat e Pfizer apo AstraZeneca.

Për Pekinin dhe Moskën, motoja kryesore është “E para vjen diplomacia!”. Kjo në mënyrë të pashmangshme po ndikon në procesin e vaksinimit në shtëpi. Kina ka vaksinuar deri tani më pak se 2 për qind të popullsisë së saj.

Dhe krahasuar me 10 për qind brenda BE-së dhe 30 për qind në SHBA, një ritëm i tillë i ngadaltë, do të thotë që Kina parashikohet ta arrijë imunitetin e tufës pas 5 vite e gjysmë, krahasuar me 11 muaj nga SHBA-ja, dhe madje edhe më shpejt nga Britania e Madhe.

Po kështu edhe në Rusi, ku pavarësisht një nxitimi për të dominuar tregjet globale – me më shumë se 50 shtete që tashmë kanë autorizuar përdorimin e Sputnik V – vendi ka vaksinuar vetëm 5 milion njerëz, ose 5 për qind të popullsisë. Me ritmin aktual, vetëm në fundin e vitit të ardhshëm mund të vaksinohen 70 për qind e rusëve.

Kjo gjë ia bën të vështirë Rusisë vendosjen e një ekuilibri midis përshpejtimit të vaksinimit kombëtar, në mënyrë që të kualifikohet si një nga performuesit kryesorë të vaksinimit në botë, pa humbur një pjesë të tregut global në zhvillim, që diktohet nga llogaritë ekonomike dhe ato gjeopolitike.

Kjo qasje ka krijuar një zhbalancim të çuditshëm, midis vaksinimit vendas dhe atij ndërkombëtar. Pekini është ofruar të ndihmojë më vaksina 53 vende, teksa ministri i Jashtëm i Kinës theksoi se do të “mbahet premtimi, që tek vaksina të kenë qasje edhe vendet në zhvillim”.

Dëshira e Kinës për t’i siguruar miliona doza gjithë botës nën moton e Xi Jiping për vaksinën si një e “mirë publike”, teksa përpiqet që të garantojë një ritëm më të lartë të vaksinimit në vend, i ngjan më shumë një motivi gjeostrategjik, sesa ekonomik.

Të njëjtat pyetje janë ngritur nga presidenti i Komisionit të BE. Ndërkohë vetë unioni është duke shqyrtuar mundësinë e nisjes së përdorimit të vaksinës ruse “Sputnik V” brenda bllokut, gjë që do përbënte një ndryshim i fortë nga skepticizmi i saj fillestar.

Në çdo rast, vendet individuale anëtare tashmë po e anashkalojnë Brukselin lidhur me vaksinat. Austria po lobon për përshpejtimin e autorizimit zyrtar të Sputnik V në BE, ndërsa Rusia ka nënshkruar një marrëveshje për të prodhuar 10 milion doza të “Sputnik V” në Itali brenda këtij viti. Nganjëherë këto marrëveshje shkaktojnë fërkime brenda institucioneve politike evropiane.

Kështu kryeministri sllovak u detyrua të jepte dorëheqjen, për shkak të pretendimeve se ai e bleu Sputnik V pa miratimin e homologëve të tij. Ndërsa Kina dhe Rusia po ndjekin interesat e tyre gjeopolitike, shtetet evropiane duket se janë më pak të interesuara për pasojat gjeopolitike, dhe e shohin vaksinimin si një problem të brendshëm.

Kjo qasje varet pjesërisht nga sistemet politike. Politikë-bërja ruse dhe kineze nuk varet nga ciklet elektorale, gjë që u jep atyre pak më shumë hapësirë ​​për të ekuilibruar projektet e politikës së brendshme dhe të jashtme.

Përveç kësaj, Moska dhe Pekini zhvillojnë, shpërndajnë dhe tregtojnë vaksinat e tyre si një produkt kombëtar, ndërsa konkurrentët e tyre të huaj e bëjnë atë në një nivel privat, atë të korporatave. Edhe më alarmant është fakti që “diplomacia e vaksinave”, ka nxitur një konkurrencë të madhe mes fuqive, dhe që tani duket se po evoluon në retorikën e epokës së Luftës së Ftohtë, me akuza të ndërsjella për përdorimin e vaksinave si armë për të “fituar miq” përmes “luftërave të vaksinave”.

Përpjekjet e kinezëve dhe rusëve për të synuar tregjet në zhvillim me vaksinat e tyre, po bëhen përgjegjëse për përtëritjen e Luftës së Ftohtë, teksa fuqitë globale gjenden në një përplasje të fortë mes tyre për dominimin rajonal.

Më 12 Mars, SHBA-ja, Australia, India dhe Japonia, ranë dakord që të sigurojnë vaksina të kompanisë “Johnson & Johson” me vlerë 1 miliard dollarë për vendet e Azisë Juglindore, në mënyrë që të kundërshtojnë ndikimin kinez në rritje në këtë rajon.

Në traditat më të mira të kohërave të Luftës së Ftohtë, Rusia është akuzuar për përdorimin e taktikave dezinformuese, që synojnë minimin e besimit të publikut tek vaksina e Pfizer. Vetë Rusia ka pësuar kundërsulme, duke kërkuar nga BE-ja të kërkojë ndjesë për krahasimin e Sputnik V me “ruletën ruse”.

Kremlini pretendoi më 12 mars, se ishte në dijeni të një komploti të pretenduar perëndimor, për të kryer një sulm të madh informativ mbi Sputnik V, për të minuar besueshmërinë e vaksinës në arenën globale. Gjithsesi, konkurrenca mbi vaksinat, e shoqëruar nga retorika e rivalitetit dhe armiqësua e intensifikuar midis shteteve, ka fituar nuancat e Luftës së Ftohtë në të dyja kampet.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg u bëri thirrje aleatëve të BE-së që të investojnë më shumë në mbrojtje, pasi “ne po përballemi me një botë më të rrezikshme… me një Rusi më të sigurt… dhe me ngritjen e Kinës”. Dhe ne mund të presim të shohim që tonet të përshkallëzohen më tej. / The Moscow Times

Back to top button
Close
Close