Magazine

Besnikëria e qenve. Nga Hachiko tek Hawkeye, pse janë qentë kaq besnikë dhe të dashur?

Ka plot shembuj që mund të përmendim lidhur me besnikërinë dhe dashurinë e qenve. Unë po përmend dy më tipikët, të cilët besoj se i keni dëgjuar. Mendoni pak për Hawkeye, qenin e ushtarit të USA, i cili u shtri në arkivolin e të zotit, kur ai ndërroi jetë. Ose për filmin “Hachiko”, qenin e llojit Akita që e priste çdo ditë pronarin e tij në stacionin e trenit, kur kthehej nga puna. E priste edhe pas vdekjes së tij, me shpresën se ai do të kthehej një ditë…

Pse janë qentë kaq besnikë?

Disa njerëz mund të thonë se qentë janë të afruar dhe besnikë, sepse varen prej nesh për ushqyerjen dhe strehimin dhe ndaj duhet të tregohen të dashur. Mirëpo nuk është normale të gjykosh në mënyrë kaq sipërfaqësore, nëse sheh se si reagojnë qentë kur shohin të zotin e tyre pas një kohë shumë të gjatë, ose kur i zoti i tyre vdes dhe ata nuk e shohin më.
Qentë janë kafshë që duan të rrinë në një grup të përbërë nga kafshë (qen ose kafshë të tjera), ose nga njerëz. Ata mësohen shumë me anëtarët e grupit që plotëson ditën e tyre dhe nuk rrinë dot vetëm për një kohë të gjatë. Kur qentë humbin një anëtar të grupit të tyre, ata ndiejnë sikur një pjesë e tyre zhduket. Kjo është arsyeja pse ata janë aq të dashur. Qentë lidhen shumë shpirtërisht me të zotin dhe e kanë të vështirë të ndahen prej tij.

Qentë sillen ashtu, siç i mësojnë pronarët të sillen. Ata që janë të egër dhe duan vetëm të sulmojnë të tjerët, janë mësuar të sillen në mënyrë të tillë nga të zotët e tyre. Qentë duan të duhen dhe të falin dashuri. Nga ana tjetër, nëse i zoti i një qeni sulmohet, qeni i tij e mbron atë edhe me jetën e vet, pasi ata e marrin shumë seriozisht faktin se të gjithë duhet t’i mbrojnë anëtarët e grupit të tyre.

Janë miqtë më të mirë të njerëzve

Miqësia midis qenve dhe njerëzve ka lindur prej qindra vjetësh. Qentë nuk u bënë “miq” me njerëzit pa arsye. Ata na japin dashuri pa kushte përditë. Pyetja ime është, a e meritojmë ne dashurinë e tyre? Unë shoh shumë qenë të keqtrajtohen, të vriten, të përdoren për përfitime personale dhe kjo nuk më duket normale. Kur ata na falin dashuri dhe besnikëri, është detyra jonë që t’ia kthejmë në të njëjtën mënyrë dashurinë dhe besnikërinë që na japin. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button