Çfarë do të thotë shpërthimi i hantavirusit për shëndetin global

Pamja e njerëzve të veshur me kostume mbrojtëse po rikthen kujtime jo fort të largëta për Katie Rosseinsky, e cila shqyrton më nga afër dallimet mes kësaj sëmundjeje dhe armikut tonë tashmë të njohur, Covid-19.

Gjatë ditëve të fundit, pothuajse të gjithë ata që njoh kanë përjetuar një ndjesi të pakëndshme déjà vu-je. Shprehje si “virus zoonotik”, “kontakt nga njeriu te njeriu”, “gjurmim dhe identifikim kontaktesh” apo “vetëizolim” po dëgjohen gjithnjë e më shpesh. OBSH po publikon deklarata të rregullta.

Ndjesia është çuditërisht e ngjashme me vitin 2020.

Vetëm se këtë herë, në vend të koronavirusit, titujt kryesorë dominohen nga Hantavirusi. Vëmendja nuk është më te resortet e skive në Itali, por te një anije turistike holandeze, MV Hondius. Tetë raste të kësaj sëmundjeje, që transmetohet nga brejtësit, janë lidhur tashmë me anijen, ndërsa pesë prej tyre janë konfirmuar në laborator. Deri tani janë regjistruar tre viktima, që nga nisja e anijes nga Argjentina në fillim të prillit.

Fotografitë e personelit shëndetësor të veshur me kostume hermetike dhe pajisje të plota mbrojtëse, ndërsa evakuojnë pasagjerë me simptoma të dyshuara, si edhe lajmi se dy britanikë po vetëizolohen në shtëpi pas ekspozimit të mundshëm në anije, po rikthejnë kujtime të fshehura nga fillimi i pandemisë. Po kështu edhe hartat e pafundme që ndjekin lëvizjet e anijes, apo diskutimet jashtëzakonisht të detajuara në rrjetet sociale nga “epidemiologë të kolltukut”.

Është e kuptueshme që ky shpërthim po rikthen këto kujtime të padëshiruara, bashkë me një ankth të qetë, por të brendshëm.

Edhe pse mund të na pëlqejë të besojmë se pandemia e COVID-19 tashmë i përket së shkuarës, shumë prej nesh ende përballen me pasojat psikologjike të saj. Dhe çdo përmendje e një sëmundjeje të re zoonotike, pra një sëmundje që kalon nga kafshët te njerëzit, ngjall në mënyrë të pashmangshme frikën e një pandemie tjetër.

Që pas Covid-it, duket sikur jemi të gjithë në një gjendje alarmi të vazhdueshëm për “sëmundjen e radhës”. Një reagim i ngjashëm u pa edhe më herët këtë vit gjatë shpërthimit të meningjitit në Kent, kur farmacitë raportuan mungesë vaksinash për shkak të kërkesës së lartë.

Por, përpara se të nxitojmë të blejmë sërish letër higjienike me shumicë, sa duhet të shqetësohemi realisht për hantavirusin?

Ndërsa ka ende shumë pyetje rreth shpërthimit në anije, një gjë është bërë shumë e qartë nga autoritetet shëndetësore: pavarësisht ngjashmërive emocionale, kjo është një situatë shumë ndryshe nga ajo që pamë gjashtë vite më parë me Covid-in.

Rreziku për publikun e gjerë mbetet shumë i ulët.

Çfarë është dhe a duhet të kemi frikë prej hantavirusit?

Hantavirusi përfaqëson një grup virusesh që mbarten nga brejtës si minjtë dhe zakonisht transmetohen përmes kontaktit me urinën ose feçet e tyre. Kjo ndodh shpesh kur njerëzit pastrojnë jashtëqitjet e brejtësve dhe grimcat ngrihen në ajër, duke u thithur pa dashje. Virusi mund të transmetohet gjithashtu përmes kafshimeve, plagëve të hapura ose kontaktit me sytë.

Mendohet se çdo vit regjistrohen rreth 150,000 raste në botë, dhe më shumë se gjysma ndodhin zakonisht në Kinë.

Këto viruse ndahen në dy kategori kryesore, të cilat shkaktojnë sëmundje serioze, megjithëse të dyja fillojnë me simptoma të ngjashme me gripin: temperaturë, dhimbje muskujsh, dhimbje koke dhe marramendje.

Hantaviruset e dikurshme:  Më të zakonshme në Azi dhe Evropë, këto viruse mund të shkaktojnë ethe hemorragjike me sindromë renale (HFRS). Simptomat zakonisht shfaqen një deri në dy javë pas ekspozimit dhe mund të çojnë në insuficiencë të rëndë renale. Norma e vdekshmërisë varion nga 1 deri në 15 për qind.

Hantaviruset e reja: Më të zakonshme në Amerikë, këto mund të shkaktojnë sindromën pulmonare të hantavirusit (HPS).

Periudha e inkubacionit është më e gjatë, nga një deri në tetë javë, dhe sëmundja mund të shkaktojë grumbullim lëngjesh në mushkëri dhe në kraharor, duke sjellë probleme serioze të zemrës dhe frymëmarrjes. Në këtë formë, shkalla e vdekshmërisë mund të arrijë afro 40 për qind.

Aktualisht nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime specifike për asnjë nga format e infeksionit. Pacientët me raste të rënda mund të kenë nevojë për kujdes intensiv, mbështetje respiratore ose dializë.

Në shumicën e rasteve, hantavirusi konsiderohet një “infeksion pa dalje”, që do të thotë se një person i infektuar zakonisht nuk ia transmeton virusin të tjerëve.

Ekziston vetëm një variant i njohur që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu: virusi Andes, i gjetur kryesisht në Argjentinë dhe Kili.

Në vitin 1996, një shpërthim i këtij varianti nisi në qytetin El Bolsón në Argjentinë dhe më pas u përhap në qytete të tjera, duke përfshirë 16 raste të lidhura epidemiologjikisht.

Një tjetër shpërthim më i madh ndodhi në vitin 2018 në fshatin Epuyén, kur një burrë i infektuar mori pjesë në një festë ditëlindjeje menjëherë pasi ishte ekspozuar ndaj virusit. Më pas, disa nga personat që kishin qëndruar pranë tij e përhapën më tej sëmundjen në evente të tjera të mbushura me njerëz. Bilanci përfundimtar ishte 34 të infektuar dhe 11 viktima.

Pacientët në MV Hondius kanë rezultuar pozitivë pikërisht për variantin Andes, ndërsa ekzistojnë spekulime të pakonfirmuara se shpërthimi mund të ketë nisur pas një ekspedite vrojtimi shpendësh pranë një zone mbetjesh në Ushuaia, në skajin jugor të Argjentinës.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se edhe ky variant transmetohet vetëm përmes kontaktit shumë të afërt. “Nuk po flasim për kontakt rastësor nga larg,” ka deklaruar së fundmi Dr. Maria Van Kerkhove nga World Health Organization.

Ndërsa profesor Robin May nga UK Health Security Agency ka theksuar se “një kalim i shpejtë pranë dikujt në aeroport nuk ju vendos në rrezik.” Për publikun e gjerë, rreziku mbetet praktikisht i papërfillshëm.

Në fakt, shumica e shkencëtarëve bien dakord se hantavirusi nuk transmetohet mjaftueshëm në mënyrë efikase nga njeriu te njeriu për t’u shndërruar në pandemi.

Edhe në një ambient kaq të mbyllur si një anije turistike, ku pasagjerët ndajnë vazhdimisht hapësira dhe kontakte, numri i të infektuarve mbetet i kufizuar.

Viruseve mund t’u ndodhin mutacione, por ekspertët besojnë se hantavirusi do të duhej të pësonte ndryshime të mëdha evolucionare për t’u bërë një kërcënim real global.

Pra, nëse fjalë si “gjurmim”, “izolim” apo “transmetim në ajër” ju shkaktojnë ankth që nga koha e pandemisë, ekspertët janë pothuajse unanimë: Një skenar “Covid 2.0” me hantavirusin është, të paktën për momentin, shumë i pamundur. / bota.al

Back to top button