HistoriMagazineMAIN

Dëshmitë shkencore mbi shumë legjendat e Përmbytjes së Madhe

A keni dëgjuar ndonjëherë për historinë e Arkës së Noes? Historia e përmbytjes së madhe, është një nga më të njohurat në Bibël. Por ajo nuk është historia e vetme që flet për një Përmbytje të Madhe. Të krishterët e dinë mirë historinë e Noes, kur Zoti shkatërroi të gjithë krijimin e tij përmes Përmbytjes së Madhe, për shkak të ligësisë së njerëzve.

Ndërsa shumë njerëz e perceptojnë të gjithë këtë si Mitin e Përmbytjes së Madhe, shkencëtarët kanë zbuluar prova të kësaj përmbytjeje gjigante. Përveç Biblës, për një përmbytje të tillë flitet në shumë tekste te lashta. Kështu në Epin e Gilgamesh në Indi, Enlil, Perëndia më i lartë, vendosi që të shkatërronte krejt botën me anë të një përmbytjeje të madhe, pasi njerëzit ishin bërë gjithnjë e më të zhurmshëm.

Ea, Perëndia që krijoi qenien njerëzore me gjak hyjnor dhe argjilë, e paralajmëroi fshehurazi Utnapishtim për përmbytjen, dhe e udhëzoi të ndërtonte një varkë për të shpëtuar. Në  Librin e Zanafillës në Bibël, shkruhet se Yahweh (emri i perëndisë monoteiste të Izraelitëve), që e krijoi njeriun nga pluhuri, vendosi të shkaktojë Përmbytjen e madhe në Tokë për shkak të korrupsionit në rritje të njerëzimit.

Gjithsesi Zoti ishte i kënaqur me Noeun, ndaj e mësoi atë të ndërtonte një arkë për të shpëtuar njerëz dhe kafshë. Pasi përfundoi ndërtimin e saj, Noe, e gjithë familja e tij dhe dy nga të gjitha llojet e kafshëve në Tokë hynë në arkë. Sapo u mbyll dera e arkës, nisi përmbytja shkatërruese që i zhduku të gjitha qeniet e tjera të gjalla.

Pasi mbaroi përmbytja, të gjithë ata që mbijetuan brenda arkës dolën, dhe Zoti premtoi se kurrë më nuk do t’i ndëshkonte njerëzit me diçka të ngjashme. Ylberi njihet ende sot si simboli i premtimit të Zotit.

Sipas Mazdaizmit Zoroastrian, Ahriman u përpoq ta shkatërronte të gjithë botën me anë të një thatësire. Besohet se Mithra gjuajti me një shigjetë mbi një shkëmb, dhe në atë moment nisi përmbytja. Vetëm një burrë, së bashku me bagëtinë e tij, i mbijetuan përmbytjes duke u strehuar brenda një arke.

Sipas Platonit, Timaeus përshkruan mitin e një përmbytjeje, i cili është shumë i ngjashëm me versionet e tjera të përmbytjes së madhe. Sipas Timaeus, raca njerëzore e zemëroi Zeusin me luftimet e tyre të vazhdueshme. Ai vendosi të shkaktojë një përmbytje për ta ndëshkuar njerëzimin.

Prometeu, që i krijoi njerëzit nga balta, e njoftoi paraprakisht Deukalionin, duke e këshilluar atë që ndërtonte një arkë. U deshën nëntë ditë e net që uji të tërhiqej, dhe në fund arka u ndal mbi majën e një mali.

Pra siç shihet, ndërsa ka një numër historish ose mitesh në lidhje me Përmbytjen e Madhe, shkencëtarët kanë gjetur kohët e fundit prova të kësaj përmbytje. Shkencëtarët besojnë se përmbytja e madhe ndodhi rreth 7.000 vjet më parë në rajonin përreth Detit të Zi.

Në një libër me titull “Përmbytja e Noes:Zbulimet e reja shkencore rreth ngjarjes që ndryshoi historinë”, biologë detarë Uollter Pitman dhe Uilliam Rajan, flasin mbi një përmbytje që ndodhi disa mijëra vjet më parë, para se historia biblike të shkruhej nga hebrenjtë e lashtë.

Sipas tyre, gati 12.000 vjet më parë, pas epokës së fundit akullnajore, Deti i Zi ishte një liqen me ujë të ëmbël dhe pjesërisht i tharë. Ai u nda nga Deti Mesdhe dhe nga Ngushtica e Bosforit, që është një rrip toke.

Bregu i Detit të Zi ishte pjellor, ndaj u përdor nga njerëzit për të ngritur shoqëri të mëdha bujqësore. Kur fletët e akullit që mbuluan Hemisferën Veriore filluan të shkrijnë, nivelet e detit filluan të ngriheshin. Besohet se Deti Mesdhe e çau ngushticën e Bosforit rreth 7.600 vjet më parë.

Niveli i Detit të Zi po rritej me 15 cm çdo ditë. Brenda një viti, rreth 15.539.929 hektarë tokë u zhdukën nën ujë. Banorët u zhvendosën në zona të ndryshme më të larta, dhe nuk u kthyen më aty. Pitman dhe Rajan supozojnë se kjo histori dramatike u transmetua brez pas brezi për 3.000 vjet, dhe është regjistruar në formën e miteve dhe këngëve.

Një nga versionet besohet të jetë historia e Arkës së Noes që gjendet në Bibël.Hipoteza e dy biologëve detarë, bazohet kryesisht në bërthamat e sedimenteve të Detit të Zi, si dhe profilet sizmike. Bërthamat treguan një histori të çuditshme dhe unike. Pitman dhe Rajan zbuluan një shtresë të vetme balte që kishte mbetur pas përmbytjes së madhe.

Sipërfaqja përmbante baltë, fosile, rrënjë bimore dhe molusqe të ujit të ëmbël që ishin të ngjashme me bregun e tharë të bregdetit. Vija bregdetare antike ishte zhytur rreth 140 metra nën Detin e Zi. Po ashtu, biologët detarë kanë theksuar gjithashtu se sipas studimit të civilizimeve antike të bëra nga arkeologët, gjatë përmbytjes u shfaqën disa popuj me zakone të reja në vende të ndryshme.

Gjurmë të tyre janë gjetur nëEgjipt, por edhe në rrëzë të Himalajeve dhe në rrethinat e  Parisit dhe Pragës. Shumica e këtyre njerëzve “të rinj” ishin folës të gjuhëve indo-evropiane. Rajan dhe Pitman, thonë se këta popuj mund të ishin fermerët e Detit të Zi që u detyruan të linin shtëpitë e tyre për shkak të Përmbytjes së Madhe.

Prova për këtë përmbytje ka gjetur edhe arkeologu nënujor me famë botërore Robert Balard, i njohur veçanërisht për gjetjen dhe eksplorimin e rrënojave të Titanikut. Balard gjeti prova të njerëzve që kishin humbur jetën në Përmbytjen e Madhe që ndodhi në Detin e Zi, dhe i lidhi ato me historinë e Arkës së Noes.

Balard dhe ekipi i tij përdorën teknologjinë e përparuar robotike, për të gjetur prova që mund të mbështesnin historinë e Noes. Ata zbuluan një vijë bregdetare antike, që ndodhej rreth 168 metra nën sipërfaqen e ujit. Balard mori disa mostra, përfshirë molusqet e ujit të kripur dhe ujërave të ëmbla nga plazhi antik.

Kur u bë datimi i mostrave me radiokarbon, u zbulua se molusqet e ujërave të ëmbla ishin relativisht më të vjetër në krahasim me ato të kripës. Mund të supozohet se të gjithë molusqet ngordhën për shkak të ndodhjes së një përmbytje të papritur. Analiza zbuloi se molusqet ngordhën diku rreth vitit 5.600 Para Erës Sonë, afërsisht në të njëjtën kohë kur besohet të ketë ndodhur Përmbytja e Madhe gjatë kohës së Noes.

Rreth 94 metra poshtë në Detin e Zi, Balard dhe ekipi i tij gjetën gjithashtu një shtëpi antike që ishte shembur. Përveç shtëpisë, ata zbuluan një numër mjetesh guri, enë prej qeramike dhe balte antike. Arkeologët besojnë se kultura e gjetur në fund të detit ishte mijëra vjet e vjetër.

Provat e mbledhura nga Robert Balard dhe ekipi i tij sugjerojnë se historia e madhe e përmbytjes traumatike u përcoll nga brezi në brez. Ajo frymëzoi edhe historinë e Arkës së Noes që përmendet në Bibël. / Ancient Origins – Bota.al

Back to top button
Close
Close