
nga Massimo Gaggi
Një muaj më parë, kërcënimi i Donald Trumpit për të zhdukur brenda një nate qytetërimin iranian. Më pas, në agim, armëpushimi i vendosur duke pretenduar se Teherani po bënte lëshime që, në realitet, nuk u materializuan kurrë. Dhe tani, operacioni Project Freedom për të çliruar anijet e bllokuara në Ngushticën e Hormuzit, i pezulluar pas vetëm një dite, dy orë pas konferencës për shtyp në të cilën sekretari i Shtetit Marco Rubio e kishte përshkruar me entuziazëm rolin e tij thelbësor, mbrojtës, një dhuratë e ofruar nga SHBA për mbarë botën.
Këto janë vetëm dy nga qëndrimet e vazhdueshme kontradiktore të Donald Trumpit, i cili, në menaxhimin e luftës me Iranin, ka arritur të përgënjeshtrojë vetveten, edhe brenda pak orësh: më 1 prill, në mëngjes, tha se lufta do të mbaronte brenda tre ditësh. Në mbrëmje foli për dy ose tre javë. Dhe pak ditë më parë, pasi kishte dërguar një letër në Kongres ku pohonte se nuk kishte nevojë për një votim parlamentar për të autorizuar një luftë, sepse ajo me Iranin ishte vetëm një operacion ushtarak, në një miting në mbrëmje deklaroi se Amerika është në luftë.
Tre “urdhëresat” që Roy Cohn i dha Donald Trumpit
Për dekada me radhë, aksioni i Trumpit është udhëhequr nga tre urdhëresa brutale që, në rini, ia kishte diktuar mentori i tij, Roy Cohn: “Sulmo gjithmonë”, “Mos prano kurrë gabimin”, “Vetëshpallu gjithmonë fitues, edhe kur nuk është e vërtetë”.
Ishte një strategji e lindur në baret pranë gjykatave të Manhattanit dhe Brooklynit, për të mposhtur kundërshtarët me padi të ekzagjeruara, për t’u mbrojtur nga akuzat duke kundërsulmuar me veprime ligjore të njëpasnjëshme, për të frikësuar gjyqtarët. Metoda ekstreme që kanë funksionuar jo vetëm në botën pa skrupuj të ndërtuesve agresivë të pasurive të paluajtshme, por, vite më vonë, edhe në politikë, falë aftësisë mediatike të Trump për t’u shndërruar, për gati gjysmën e Amerikës, në një lloj fyelltari magjik.
Në mandatin e parë dhe në fillim të të dytit, Trumpi ndoqi të njëjtën linjë, duke shkaktuar tronditje te vendet aleate të SHBA-së, të poshtëruara dhe të habitura, por edhe te kundërshtarët, sidomos Kina dhe Russia, të alarmuar nga paparashikueshmëria e tij. Por tashmë strategjia Cohn nuk funksionon më: një regjimi iranian, i bërë edhe më i egër pas goditjes së pjesshme të krerëve, dhe i bindur se nuk ka më asgjë për të humbur, i mjaftojnë disa varka të vogla, një grusht dronësh dhe disa raketa për të bllokuar Hormuzin.
Gabime dhe “yes men”
Trump tashmë e di se ka bërë një gabim të madh duke ndezur këtë luftë: do të humbasë zgjedhjet dhe duhet të përballet me një zjarr politik në shtëpi, brenda partisë së tij dhe brenda vetë lëvizjes MAGA.
Do të donte të dilte prej saj duke deklaruar se ka fituar, edhe nëse nuk është e vërtetë, por nuk mundet nëse Hormuzi mbetet i bllokuar dhe Teherani nuk dorëzon uraniumin e pasuruar.
Pasdaranët e perceptojnë nxitimin e tij, kanë kuptuar se shpërthimet e natës presidenciale në rrjetet sociale (“Do t’ju kthej në epokën e gurit”, “Hapeni atë ngushticë, bastardë, do t’ju çoj në ferr”) janë vetëm shprehje e frustrimit të një lideri që ka mbetur në kurth, edhe pse është njeriu më i fuqishëm në botë.
Ai po paguan pretendimin e tij për të fituar duke mbjellë frikë edhe te ata që nuk kanë më shumë për të humbur; po paguan mungesën e një strategjie, por edhe përqendrimin e tepruar të pushtetit: është rrethuar me yes men që nuk kanë guximin t’i tregojnë të vërteta të pakëndshme, dhe nuk e paralajmërojnë kur hyn në një rrugë krejtësisht jorealiste.
Precedenti
Që metoda e tij nuk do të funksiononte më, duhej ta kishte kuptuar tashmë një vit më parë, kur nisi ta aplikonte edhe te tarifat doganore.
Njeriu që nuk bën kurrë hapa pas, i gëlltiti të paktën dhjetë herë kërcënimet e tij ekstreme, duke shkaktuar tronditje në tregje (luhatje të qëllimshme, sipas disa interpretimeve dashakeqe).
Ai pretendonte se ishte një metodë e mirë negociuese të godisje tavolinën me grusht, por kur mallrat kineze morën një tarifë prej 10% në vend të 145% që kishte shpallur, Trumpit iu ngjit një nofkë poshtëruese: Taco, akronim për Trump Always Chickens Out – Trump tërhiqet gjithmonë.
I detyruar të tërhiqet përballë tregjeve, tani presidenti do të dalë i copëtuar nga një luftë ku, përveç rezistencës së papritur të regjimit, edhe më i militarizuar pas vrasjes së Udhëheqësit Suprem, nuk kishte kuptuar as dobësinë ushtarake amerikane në një konflikt asimetrik, dhe as atë ekonomike të vendit të tij: i ekspozuar ndaj krizave energjetike për shkak të çmimeve botërore, edhe pse teorikisht është i vetë-mjaftueshëm për naftë dhe gaz.
Trump dëshiron ta lërë pas Iranin dhe herët a vonë do t’ia dalë, por me një çmim të lartë.
Nga pesë objektivat që kishte vendosur ditën e sulmit, denuklearizimi, ndryshimi i regjimit, çarmatimi raketor, shkatërrimi i flotës, neutralizimi i aleatëve të jashtëm të Teheranit (Hamas dhe Hezbollah), vetëm një është arritur: asgjësimi i flotës.
Pas talljes “Taco”, tani Donald duhet të përballet me një fantazmë shumë më tinëzare: atë të Jimmy Carterit. / Corriere della Sera – Bota.al