MAIN

Kjo pandemi është ende larg fundit të saj

Nga Theodore Karasik

“Arab News”

Ndërsa shumë vende ose po dalin nga një valë e infeksioneve me sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi(Covid-19) ose po hyjnë në një valë të re, në lojë janë ende probleme madhore që kanë të bëjnë me situatën pandemike në të gjithë botën.

Ajo që po bëhet e qartë, është se ka valë të reja të reja ose të përsëritura, të cilat do të ndikojnë shumë në trajektoren e rimëkëmbjes. Për disa komunitete, rimëkëmbja mund të jetë shumë e paformë dhe e shpërndarë, për t’u përcaktuar si e tillë vetëm disa vjet më vonë.

Amerika Latine vazhdon të përjetojë një situatë dramatike me variantin Delta, që tashmë po bën kërdinë në vende të caktuara. Ka një shqetësim në rritje për infektimin në masë në autobuzë dhe mjetet e tjera të transportit publik.

Në këtë rajon, situata është ndryshe nga pjesët e tjera të botës, ku sistemet e transportit masiv u pastruan në thellësi, përpara se disponueshmëria e vaksinave të bëhej metoda kryesore në luftimin e pandemisë aktuale.

Në Brazil, studiuesit po dokumentojnë përhapjen e valës së dytë të vendit përmes autobusëve dhe terminaleve të kontaminuar me koronavirus. Ata mblodhën mostra nga sipërfaqe të ndryshme në sistemin e transportit publik, në mënyrë që të identifikonin praninë e Covid-19. Rreziku më i lartë i infektimit ishte në terminalet e autobusëve, me 48.7 për qind të mostrave pozitive, të pasuar nga ambientet pranë spitaleve (26.8 për qind).

Ndërkohë, në Korenë e Jugut, ka probleme brenda ushtrisë, në lidhje me infeksionet pas vaksinimit. Një oficer plotësisht i vaksinuar i marinës, rezultoi javën e kaluar pozitiv për Covid-19, duke shënuar infeksionin e parë të raportuar në ushtri.

Një rast cilësohet serioz, kur një person diagnostikohet me virusin të paktën dy javë pasi ka marrë të dyja dozat e vaksinës anti-Covid. Autoritetet shëndetësore, deklaruan më herët se Koreja e Jugut kishte konfirmuar dhjetëra raste të tilla në mesin e popullatës së përgjithshme. Rastet e fundit e rritën në 1.025 numrin e përgjithshëm të infeksioneve të raportuara në mesin e ushtarakëve.

Në Rusi, ashtu si në shumë vende të tjera, disa ushtarë kanë refuzuar të vaksinohen. Në fillim të këtij viti, pati vaksinime të detyrueshme, për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19 në mesin e ushtrinë ruse. Tani, Ministria e Mbrojtjes po shpërndan doza përforcuese për shkak të variantit Delta.

Ndikimi i infeksioneve midis personelit ushtarak, ka të ngjarë të zgjasë shumë në kohë. Një problem tjetër në zhvillim njihet si “Covidi i Gjatë”. Tashmë ka prova në rritje nga shumë vende dhe studiues, që edhe infeksionet më të lehta, mund të çojnë në ndryshime të përhershme në tru, të cilat nga ana e tyre ndikojnë në gjithçka, nga sinjalizimi tek muskujt dhe organet tek aftësitë konjitive, kujtesa dhe organizimi i mendimeve dhe ideve.

Në Amerikë, kur më shumë se gjysma e të gjithë të rriturve janë vaksinuar, janë duke u lehtësuar masat për maskat e fytyrës dhe distancimin social, ndërsa rastet e reja dhe vdekjet janë në rënie.

Gjithsesi, rikthimi në normalitet nuk vlen për 10-30 për qind të atyre të infektuarve, të cilët vazhdojnë të përjetojnë simptoma problematike edhe disa muaj pas infektimit. Mjerisht, numrat dhe tendencat aktuale tregojnë se “Covidi i Gjatë”, do të jetë një katastrofë tjetër e shëndetit publik.

Kjo dukuri është duke u vënë re në të gjithë botën. “Covidi i Gjatë” përfshin “një sërë simptomash që mund të zgjasin javë ose muaj … dhe që mund t’i ndodhin cilitdo që është prekur nga Covid-19”. Simptomat mund të prekin një numër sistemesh në organet tona, ndodhin sipas modeleve të ndryshme, dhe shpesh përkeqësohen pas aktivitetit fizik ose mendor.

Askush nuk e di trajektoren kohore të “Covidit të Gjatë”, ndaj sistemet shëndetësore do të sfidohen jo pak, përveç kërkesave të tjera që duhet të përballojnë. Ajo që i shtohet vështirësive të situatës së rikuperimit nga sëmundja, është debati i vjetër mbi pasaportat e vaksinave.

Përballë një divergjence pikëpamjesh, qeveritë po ndërmarrin qasje shumë të ndryshme. Për shembull në Evropë, shtatë vende filluan që të lëshojnë çertifikatat dixhitale të BE-së në fillim të muajit qershor. Vendet e mbetura të bllokut – si Irlanda – kanë nisur të bëjnë të njëjtën gjë duke nisur që nga e enjtja e kaluar.

Gjithsesi, disa vende dhe fraksione politike po mbajnë një qëndrim të kundërt, duke e kufizuar në mënyrë rigoroze përdorimin e dokumenteve të tilla, ose duke e ndalur fare zhvillimin e tyre. Ky lloj të menduari, vetëm sa do të sigurojë që virusi dhe problemet që ai shkakton, të vazhdojnë të jenë këtu me ne.

Bashkimi Evropian, thotë se po punon për ta bërë certifikatën e saj dixhitale të vaksinimit të ngjashme me dokumentacionin tjetër në vendet që nuk i përkasin BE-së. Për shembull, Britania e Madhe, ka një sistem tjetër për shkak të Brexit, dhe adresimi i saj është shumë i rëndësishëm për rimëkëmbjen ekonomike.

Katër vaksinat e miratuara për përdorim në Britani, janë miratuar gjithashtu edhe në BE, por mund të ketë mosmarrëveshje shtesë. Rimëkëmbja nga pandemia e Covid-19, dhe trajtimi i problemeve afatgjata, se si ndryshon patogjeni duhet që të dominojë politikën.

Ushtarakët po përballen me sfidat e tyre me virusin, por ata janë ende në gjendje të funksionojnë, pasi duket se pandemia nuk ka një ndikim të drejtpërdrejtë në operacionet e tyre. Në aspektin civil, do të lindë ndoshta në mënyrë të paparashikueshme dhe të papritur padurimi me problemet që ka sjellë Covid-19.

Vaksinimi është një pjesë pozitive dhe e domosdoshme e jetës së përditshme në vitet 2020, sidomos kur dozat përforcuese bëhen të nevojshme, në varësi të ashpërsisë që mund të ketë vala tjetër goditëse. Të pa vaksinuarit do të vazhdojnë që të goditen fort nga koronavirusi. Ndërkohë, në ambientet spitalore dhe sistemet e tjera të lidhura më të, kurba e zgjatur dhe pa ditur se ku do të përfundojë Covid-19, përbën një çështje tjetër shqetësuese, për të cilën nuk ka aktualisht asnjë përgjigje.

Shënim: Dr.Theodore Karasik, është një këshilltar i vjetër i ”Gulf State Analytics” në Uashington, SHBA.

Back to top button