Nga Ralf Neukirch &Michael Sauga
“Der Spiegel”
Ministri bullgar i Financave, Assen Vassilev, është një pikënisje e shkëlqyer nëse dikush interesohet të mësojë nëse vendi i tij është gati që t’i bashkohet eurozonës. Vassilev i pret miqtë e tij në një sallë të madhe konferencash, e cila ka një histori shumë interesante. Pikërisht në këtë sallë, paraardhësi i tij mendohet të ketë marrë disa çanta plot me para, në këmbim të disa favoreve politike. Një tip shumë i rezervuar dhe me një zë të butë, Vassilev e përshkruan me realizëm imazhin problematik të klasës politike të vendit të tij. Kontratat e sektorit publik, thotë ai, po jepen prej vitesh pa zhvilluar asnjë tender. Nuk ka pasur asnjë kontroll efektiv në këtë fushë, dhe pastrimi i parave është një problem shumë serioz.
Ekonomisti i arsimuar në Universitetin e Harvardit,është pjesë e kabinetit qeveritar të përkohshëm në Bullgari që nga maji i këtij viti, dhe synon të pastrojë rrëmujën e shkaktuar nga qeveria e mëparshme. Ish-kryeministri, Boyko Borissov, dha dorëheqjen këtë pranverë pas 10 vitesh rresht në pushtet, kur partia e tij GERB pësoi një disfatë të rëndë në zgjedhje.
Pasi bisedon për një orë me Vassilev, nis vetvetiu të pyesësh nëse është një ide aq e mirë që Bullgaria t’i bashkohet monedhës së përbashkët evropiane. Në fillim të qershorit, Sofja paraqiti një plan konkret për tu bërë pjesë e eurozonës duke nisur nga 1 janari 2024, e identifikuar si dita kur do të ndërrojë monedhën.
Dhe shanset që ky plan të bëhet realitet nuk janë aspak të këqija. Bullgaria i përmbush të gjitha kriteret formale për t’iu bashkuar eurozonës. Defiçiti i saj buxhetor, borxhi sovran dhe norma e inflacionit, i tejkalojnë të gjitha kriteret e përcaktuara për t’iu bashkuar monedhës së përbashkët euro. Dhe monedha e vendit, leva, është tashmë e lidhur me euron.
Vitin e kaluar, Bullgaria iu bashkua Kroacisë duke u bërë pjesë e ERM II, mekanizmit të kursit të këmbimit të Evropës dhe unionit bankar evropian. Dhe ky hap do të thotë se rruga drejt euros është e pakthyeshme. As Banka Qendrore Evropiane nuk ka më fuqinë e vetos. Ajo që mund të ndryshojë është vetëm koha e saktë e anëtarësimit. Anëtarësimi i Bullgarisë, do të shënonte zgjerimin e parë të eurozonës që kur asaj iu bashkua Lituania në vitin 2015, si anëtarja e 19-të e zonës së monedhës së përbashkët. Por a ka kuptim të pranosh një vend, që ka pasur probleme të qëndrueshme me korrupsionin, pastrimin e parave dhe mbikëqyrjen financiare?
“Sigurisht, Bullgaria është më se e mirëpritur t’i bashkohet euros. Por më parë, ajo duhet të gjejë një zgjidhje për problemet e saj në fushën e pastrimit të parave dhe korrupsionit”-thotë Sven Giegold, anëtar i Partisë së Gjelbër në Parlamentin Evropian, që vizitoi Bullgarinë së bashku me homologun e tij Daniel Freund, për të hetuar gatishmërinë e vendit për këtë anëtarësim.
Giegold shton se BE duhet të parandalojë një situatë, në të cilën një shtet anëtar shndërrohet në një qendër të pastrimit të parave në shkallë të gjerë, siç ka ndodhur në të kaluarën me Qipron apo shtetet baltike. Por a ka mundësi Brukseli të bllokojë anëtarësimin e Bullgarisë? Në fakt, kur nis një proces i tillë, ai ka tendencën të jetë i vështirë për t’u ndalur. Në verën e vitit 2020, para se të merrte drejtimin e vendit qeveria e përkohshme, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen deklaroi se “ne do të vazhdojmë të mbështesim Kroacinë dhe Bullgarinë, teksa ato ndërmarrin hapat e tyre të ardhshëm dhe përfundimtarë drejt anëtarësimit në zonën e euros”. Duket sikur Bashkimi Evropian mund të jetë i rrezikuar t’i shkaktojë vetes një problem tjetër, a thua sikur nuk ka mësuar asgjë nga kriza e euros.
Edhe politikanët kryesorë në vend, besojnë se Eurogrupi duhet të rishqyrtojë synimin e tij për ta pranuar së shpejti Bullgarinë në eurozonë. “Në Bullgari ekzistojnë një numër sektorësh ku kombinimi i korrupsionit, keq-menaxhimit dhe kontrollit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të shtetit, ka çuar në akumulimin e humbjeve dhe faktorëve që nxisin destabilitet”-thotë Christo Ivanov, kreu i partisë kundër korrupsionit “Po, Bullgari!”.
Ivanov dhe të tjerët nxitojnë të kujtojnë problemet e hasura në eurozonë pas pranimit të Greqisë. Në atë kohë, Athina i fshehu nivelet e saj të vërteta të borxhit sovran dhe madhësinë e defiçitit të saj buxhetor. Më pas ky vend gati falimentoi në vitin 2010, gjë që e thelloi egërsinë e krizës së euros.
Pavarësisht se ekonomia greke ishte jashtëzakonisht e vogël në krahasim me të gjithë eurozonën, problemet e këtij vendi gati sollën kolapsin e eurozonës. Gjithsesi, euro-parlamentari Freunde sheh pranimin në eurozonë si një mundësi për Bullgarinë. “Zhvillimet në Bullgari po shkojnë në drejtimin e duhur nën qeverinë aktuale. Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane, duhet të shfrytëzojnë mundësinë e paraqitur nga futja e euros për të zhvilluar sektorin financiar të Bullgarisë”- thekson ai.
Por kjo pre-supozon që reformatorët të kenë kontroll politik, ndërsa qeveria aktuale nuk ka shumicën në parlament. Zgjedhjet e reja do të mbahen në nëntor. Është e paqartë nëse Ministri i Financave Vassilev dhe anëtarët e tjerë të kabinetit të tij do të jenë në gjendje të vazhdojnë përpjekjet e tyre për “pastrimit e rrëmujës”.
Ka të ngjarë që partia GERB e Borissov – e cila i përket grupit konservator të Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, së bashku me Unionin Kristiandemokrat (CDU) të kancelares gjermane Angela Merkel – të rikthehet në pushtet. Dhe kjo do të ishte një katastrofë për Evropën.
Borisov e dëmtoi shumë demokracinë në vendin e tij. Ai shënoi hapa në pavarësinë e gjyqësorit, dhe i dha kontrata publike oligarkëve bullgarë. Për shkak se ishte më diskret sesa qeveritë në Poloni dhe Hungari, Borissov arriti që të shmangte censurimin nga Brukseli apo Berlini.
Por trashëgimia e tij problematike do ta shoqërojë këtë vend për një kohë të gjatë. Shumë probleme me të cilat ballafaqohet Bullgaria nuk mund të zgjidhen shpejt, edhe nëse ekziston motivimi për ta bërë këtë. Një nga pengesat më të mëdha, thonë aktivistët e të drejtave civile dhe nismat kundër korrupsionit, është Prokurori i Përgjithshëm Ivan Geshev.
Për sa kohë që ai vazhdon të bllokojë hetimet mbi skandalet korruptive dhe të mbrojë politikanët dhe oligarkët, asgjë nuk do të ndryshojë rrënjësisht, thotë Adela Kaçanova nga Komiteti Bullgar i Helsinkit. Në aspektin ekonomik, shumë gjëra po shkojnë më keq se sa e tregojnë shifrat.
Vendi ballkanik përjetoi një dekadë të rritjes së fortë ekonomike duke filluar nga viti 2000. Por që nga kriza financiare globale ekonomia ka qenë dukshëm më e dobët. Studimet nga Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane nuk ofrojnë një tablo shumë rozë për të ardhmen.
Megjithatë, më shumë se çdo gjë tjetër, Bullgaria po vuan nga një eksod masiv i punëtorëve të mirë-arsimuar. Ndërkohë, shumë nga të rinjtë dhe të rejat që kanë mbetur në vend nuk kanë as punë dhe as trajnimin e duhur. Shumë ekonomistë thonë se futja e euros mund t`i shtojë problemet.
Tek e fundit, kjo është ajo që ndodhi në vendet e tjera që iu bashkuan eurozonës. Pasi u zhduk nga qarkullimi monedha e vjetër, çmimet u rritën në shumë vende, dhe kjo dëmtoi kryesisht shtresat e ulëta. Për të kompensuar barrën e shtuar, qeveritë u detyruan të jepnin pagesa të mirëqenies sociale.
Në përgjigje të shqetësimeve të tilla, rezistenca ndaj futjes së shpejtë të Bullgarisë në eurozonë, po rritet edhe në Parlamentin Evropian. “Unë jam pro një periudhe më të gjatë pritjeje. Përndryshe, Bullgaria mund të katandiset shpejt në Greqinë e radhës”- thotë Markus Feber, eurodeputet me Unionin Kristian Social, partia simotër bavareze e CDU.
Çështja është se si mund të parandalohet një zhvillim i tillë. Një nga mënyrat u tregua kohët e fundit nga qeveria amerikane. Në qershor, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj 3 oligarkëve bullgarë dhe 64 kompanive në përputhje me Aktin Magnitsky. Ky ligj e lejon qeverinë amerikane të ngrijë pasuritë e kriminelëve, dhe t’i pengojë ata të hyjnë në SHBA.
Pasojat janë shpesh të dhimbshme, duke e bërë Aktin Magnitsky një instrument efektiv për luftën kundër korrupsionit. Qeveria e re bullgare e përshëndeti lëvizjen e Uashingtonit.
Por reformatorët nuk presin që BE-ja të marrë një qasje të ngjashme. Kur u kërkon amerikanëve ndihmë në luftën kundër korrupsionit, thotë Vassilev, ajo arrin brenda 2 ditësh. Ndërkohë, Evropa shkruan raporte boshe dhe qëndron duarkryq.