Përpara vitit 1947, përpara rezolutës së OKB-së: ndodhi në prill të vitit 1936 fillimi i konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës, me vrasjen e dy tregtarëve të shpendëve.

15 prilli i vitit 1936 është ndoshta data që i afrohet më shumë një pikënisjeje të konfliktit mes hebrenjve dhe arabëve në Palestinë. Shumë gjëra kishin ndodhur përpara dhe jashtëzakonisht shumë të tjera do të ndodhnin më pas, por ngjarja e asaj dite konsiderohet nga shumë ekspertë dhe historianë si një pikë kthese, si edhe çasti kur hebrenjtë u bindën se problemet me arabët e Palestinës do të zgjidheshin vetëm me forcë. Për të kuptuar se çfarë ndodhi atë ditë, duhet të kthehemi disa hapa pas.
Në vitin 1904, Israel Zangwill, një nga shkrimtarët hebrenj më të njohur të fillimit të shekullit XX, mbajti në Nju-Jork një fjalim të famshëm, në të cilin argumentonte nevojën që populli hebre, prej shekujsh i shpërndarë në vende të ndryshme evropiane, ta pushtonte me forcë Palestinën, të cilën hebrenjtë e kanë konsideruar gjithmonë «tokën e premtuar» që u është dhuruar nga Zoti. Zangwilli, në veçanti, mendonte se Palestina duhej pushtuar me dhunë, «për t’i dëbuar me shpatë fiset që e zotërojnë, ashtu siç kanë bërë etërit tanë».
Një lëvizje politike dhe kulturore që mbështeste një prani më të madhe hebraike në Palestinë ekzistonte prej dekadash dhe, mes shekujve XIX dhe XX, atje ishin krijuar disa bashkësi hebraike. Por në atë kohë drejtuesit e lëvizjes sioniste ishin kryesisht intelektualë dhe filantropë të borgjezisë evropiane, dhe lëvizja rrallëherë kishte marrë forma kaq të dhunshme. Për shkak të qëndrimeve të tij, Zangwilli u përjashtua nga lëvizja sioniste dhe u ripranua vetëm vite më vonë, megjithëse vazhdonte të mbante qëndrime po aq radikale.
Disa vjet më pas, në vitin 1918, David Ben-Gurioni, kryeministri i parë i ardhshëm i Izraelit, e kritikoi ashpër Zangwillin dhe qëndrimet e tij. Në një artikull të revistës Yiddishe Kemper, ai shkruante se shpronësimi i banorëve të Palestinës «nuk është qëllimi i sionizmit. […] Për asnjë arsye nuk duhet t’i cenojmë të drejtat e banorëve të saj. Vetëm njerëz si Zangwilli mund të përfytyrojnë se Toka e Izraelit do t’u jepet hebrenjve bashkë me të drejtën për t’i shpronësuar banorët e tanishëm».
Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, arabët dhe hebrenjtë zhvilluan përplasjen e parë të mirëfilltë të një lufte që vazhdon edhe sot: mes viteve 1936 dhe 1939, banorët arabë të Palestinës u ngritën kundër «mandatit» britanik në vend, një lloj protektorati, kryesisht sepse mendonin se ai favorizonte së tepërmi emigrantët e rinj hebrenj. Fillimi i së ashtuquajturës «Kryengritje e Madhe Arabe», siç njihen revoltat e asaj periudhe, datohet pikërisht më 15 prill 1936.
Gjatë tridhjetë viteve të para të shekullit XX, një numër gjithnjë e më i madh hebrenjsh kryen aliyah-n, që në hebraisht do të thotë «ngjitje», «kthim», drejt territorit palestinez. Atje blinin toka nga pronarët arabë, thanin këneta dhe përmirësonin toka të shkreta për të ndërtuar kibuce, bashkësi të mbështetura te barazia, ku prona private ishte shumë e rrallë, shkolla dhe institucione të tjera hebraike.
Më optimistët mes sionistëve mendonin se bashkëjetesa do të ishte paqësore dhe se arabët do ta pranonin gradualisht të mbeteshin pakicë në Palestinë. Më pesimistët mendonin se fluksi i pandërprerë i hebrenjve evropianë do t’i detyronte arabët të shpërnguleshin në vendet arabe fqinje, si Siria, Jordania dhe Libani.
Megjithatë, për shumë hebrenj të mbërritur në Izrael, popullsia vendase arabe nuk ishte problemi kryesor. Që kur, në vitin 1917, Perandoria Britanike, e cila kishte një lloj protektorati mbi Palestinën, njohu legjitimitetin e krijimit të një shteti hebre, hebrenjtë u përqendruan kryesisht në ngritjen e një sistemi ekonomik të qëndrueshëm, të frymëzuar nga socializmi. Ata investuan shumë, për shembull, në kultivimin dhe tregtinë e agrumeve, si edhe në krijimin e institucioneve të para shtetërore. Universiteti i njohur Hebraik i Jerusalemit u themelua në vitin 1918. Në atë kohë, rreth 90 për qind e popullsisë së Palestinës ishte arabe.
Në vitet që pasuan pati shumë shembuj tolerance, madje edhe bashkëjetese paqësore, mes arabëve dhe hebrenjve. Në Lida, një koloni e lashtë greke që më pas ishte shndërruar në një qytet të vogël arab, 20 kilometra larg Tel Avivit, mjeku hebre gjerman Siegfried Lehman themeloi më 1927 një shkollë me konvikt për të rinj hebrenj, që gëzonte shumë respekt në fshatrat arabe përreth. Lehmani u ofronte kujdes mjekësor banorëve të këtyre fshatrave, nxënësit shkonin shpesh atje për shëtitje dhe në shkollë ishte krijuar një «panair» për të nderuar dhe studiuar kulturën arabe. Në vitin 1947, njëzet vjet pas themelimit, shkolla e Lehmanit kishte rreth një mijë nxënës dhe ishte ndër më aktivet e bashkësisë hebraike në Palestinë.
Bashkëjetesa mes Izraelit dhe Palestinës
Në librin e tij të botuar së fundmi, Toka ime e premtuar, editorialisti i gazetës Haaretz, Ari Shavit, tregon se forma të ngjashme bashkëjetese paqësore mes arabëve dhe izraelitëve ekzistonin edhe në Rehovot, qytetin e vogël izraelit ku ai lindi në vitin 1957. Shaviti shkruan:
Ashtu si Rehovoti, edhe Zarnuga [fshati arab nga i cili vinte në atë kohë gjysma e fuqisë punëtore të Rehovotit] po zhvillohet me shpejtësi. […] Gjatë dhjetë viteve të fundit, popullsia e fshatit është rritur, duke arritur në 2.400 banorë; gjatë pesë viteve të fundit është dyfishuar edhe sipërfaqja e portokallishteve, e cila tani arrin në 2.555 dynymë. Në dhjetë vjet, çmimet e pasurive të paluajtshme janë dhjetëfishuar.
Duke punuar dhe duke kaluar pjesën më të madhe të kohës në Rehovot, shumë prej banorëve të tij kanë mësuar plot gjëra. Tani dinë të ngasin traktorët, të vënë në punë pompat e puseve dhe t’i kultivojnë portokallishtet sipas teknikave më të fundit. Ndërtojnë shtëpi moderne prej guri, gjithnjë e më të ngjashme me ato të Rehovotit. Në vendbanimin arab blejnë xhaketa me prerje perëndimore, mobilie, tenxhere dhe tiganë të prodhuar në Perëndim, ushqime të konservuara, ilaçe dhe ushqime për fëmijë.
Kështu, në vjeshtën e vitit 1935, kultivuesi [izraelit] i portokalleve mund të mendojë se çështja arabe nuk është aspak një çështje. Arabët që punojnë për të nuk përbëjnë problem […]. Rehovoti rritet dhe, krahas tij, edhe Zarnuga. Rehovoti pasurohet dhe po kështu edhe Zarnuga. Çdo mëngjes, kur punëtorët e fshatit mbërrijnë përpara portës së portokallishtes, duket sikur gjithçka po shkon për mrekulli. Dhe çdo ditë, kur dhjetëra djem të vegjël nga Zarnuga mbërrijnë në Rehovot me biçikletat e tyre, duket sikur nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.
Në të vërtetë, gjatë viteve njëzet dhe tridhjetë, situata ishte bërë gjithnjë e më e tensionuar. Hebrenjtë vazhdonin të mbërrinin me mijëra në Palestinë, të blinin toka dhe të themelonin kibuce. Kriza ekonomike botërore e vitit 1929 kishte vënë në vështirësi sidomos bujqit arabë, të cilët kishin humbur punën ose ishin detyruar t’ua shisnin tokat hebrenjve, që zotëronin burime të mëdha financiare të ardhura nga Evropa.
Si reagim ndaj gjithë kësaj, gjendjes së keqe ekonomike të popullsisë arabe të Palestinës dhe përparimit të projektit sionist, nacionalistët palestinezë u organizuan në shoqata nacionaliste dhe brigada paraushtarake. Ata kundërshtonin emigracionin hebraik dhe projektin sionist, të cilin e akuzonin se donte të imponohej mbi një tokë që e konsideronin të tyren.
Përplasja e parë e madhe ndodhi në vitin 1929. Në fund të gushtit u përhap fjala se hebrenjtë në Palestinë do të përpiqeshin të merrnin kontrollin e Murit të Lotëve, një vend që konsiderohet pjesë e tempullit të lashtë hebraik të shkatërruar nga romakët. Por Muri ndodhet menjëherë poshtë Esplanadës së Xhamive, më e rëndësishmja prej të cilave është xhamia Al-Aksa, e ndërtuar në vendin ku, sipas besimit islam, Profeti Muhamed u ngjit në qiell.
Pas përhapjes së këtyre fjalëve, popullsia arabe sulmoi banorë hebrenj në Palestinë. Në përplasjet e ditëve që pasuan u vranë rreth 130 hebrenj, gjysma e tyre në Hebron, një qytet me shumicë arabe në Bregun Perëndimor, që vazhdon të jetë shumë i rrezikshëm, dhe pothuajse po aq arabë.
Historiani James L. Gelvin, autor i një libri të vlerësuar mbi historinë e konfliktit izraelito-palestinez, e ka përshkruar shumë mirë situatën e atyre viteve nga këndvështrimi i arabëve palestinezë:
Sa më shumë hebrenj mbërrinin në Palestinë, aq më shumë tokë blinin agjentët sionistë. Çmimet e tokave bujqësore u rritën në qiell dhe jo pak pronarë tokash [arabë] që jetonin në qytete vendosën të nxirrnin fitime të majme duke ia shitur tokat e tyre Fondit Kombëtar Hebraik.
[Kur edhe] pronat e mëdha filluan të rralloheshin, agjentët sionistë nisën të blinin parcela të vogla, drejtpërdrejt ose duke i marrë nga fajdexhinjtë. Kështu ranë në kontakt me një numër gjithnjë e më të madh palestinezësh që jetonin në kufijtë e mbijetesës.
Deri në vitin 1931, blerjet e tokave nga sionistët kishin sjellë dëbimin e rreth njëzet mijë familjeve fshatare nga tokat e tyre. Brenda pak vitesh, përqindja e bujqve palestinezë pa tokë do të arrinte në 30 për qind. Për më tepër, 75–80 për qind e pronarëve zotëronin parcela që nuk mjaftonin për të siguruar mbijetesën. Sionizmi, i cili më parë kishte qenë diçka krejt abstrakte për shumë banorë vendas të Palestinës, ishte shndërruar në një prani të prekshme.
Në tetor të vitit 1935, situata u përkeqësua më tej. Në fund të atij viti, një zyrtar britanik zbuloi në portin e Jafës, një qytet i lashtë në jug të Tel Avivit, një sasi të madhe armësh të destinuara për bashkësinë hebraike në Palestinë, të fshehura në një ngarkesë çimentoje të nisur nga Belgjika.
Pas këtij zbulimi, një predikues popullor dhe udhëheqës ushtarak islamik, i quajtur Izz Abd al Kader Mustafa Yusuf ad Din al Kassam, bëri thirrje për xhihad kundër popullsisë hebraike. Megjithëse al-Kassami gëzonte popullaritet, duke shfrytëzuar varfërinë dhe pakënaqësinë e popullsisë arabe, pak njerëz iu bashkuan brigadave të tij. Vetë ai u vra gjatë një përplasjeje me ushtrinë britanike më 20 nëntor 1935.
Kështu u mbërrit te 15 prilli i vitit 1936, kur një grup burrash të armatosur bllokoi rrugën nga Tulkaremi drejt Tel Avivit. Kalimtarëve të parë iu kërkuan para për kauzën arabe. Kur mbërritën dy tregtarë hebrenj shpendësh që po shkonin në Tel Aviv, Israel Khazan dhe Zvi Dannenberg, grupi i armatosur i grabiti dhe i vrau.
Gazetat arabe të kohës, shkruan Haaretz, raportuan se një gjerman që ndodhej aty në atë çast u la i lirë dhe se grupi i armatosur i tha: «Shko në paqe, në emër të Hitlerit». Lidhjet mes udhëheqësve islamistë në Palestinë dhe diktaturës naziste vazhdojnë të jenë objekt studimi, megjithëse ekzistenca e tyre konsiderohet praktikisht e sigurt.
Rami Khazan, një pasardhës 64-vjeçar i Israel Khazanit, i tha Haaretz-it: «I zunë pritë. E ndaluan te postblloku dhe ai, nga krenaria, që në atë rast mund të quhet edhe papërgjegjshmëri, u përball me grupin e armatosur dhe u tha: “Ja ku jam, çfarë mund të më bëni?”. Dhe pastaj e qëlluan».
Pas vrasjes së Khazanit dhe Dannenbergut, Haaretz botoi një editorial që shprehte shqetësim të madh: «Këto ditë atmosfera është e elektrizuar. Gjendja shpirtërore e masave është helmuar nga një propagandë tërësisht ideologjike, sipas së cilës qëllimi justifikon çdo mjet. Ky elektricitet mund të shkarkohet në çdo çast, qoftë në akte “të vogla” kriminale, si ai i dy ditëve më parë, qoftë në mizori masive».
Më 17 prill, gjatë funeralit të Khazanit, një grup hebrenjsh u përpoq të vriste, në shenjë hakmarrjeje, disa punëtorë arabë që ndodheshin në rrugë. Në ditët që pasuan, popullsia civile hebraike u bë objekt i disa atentateve, mes tyre hedhja e një bombe në një nga rrugët më të mbushura me njerëz të Tel Avivit dhe disa vrasje nga snajperët. Gjithsej, gjatë verës së vitit 1936 u vranë 88 hebrenj.
Ndërkohë, udhëheqësit palestinezë, historikisht shumë të përçarë, kishin arritur të bashkoheshin në një «Komitet të Lartë Arab», i cili duhej të përfaqësonte interesat e tyre përballë britanikëve. Komiteti organizoi një grevë të përgjithshme të punëtorëve arabë, e cila shkaktoi probleme të ndryshme dhe, me kalimin e kohës, e thelloi ndarjen mes dy bashkësive. Britanikët dhe hebrenjtë i zëvendësuan punëtorët arabë në grevë me punëtorë hebrenj. Greva përfundoi në tetor të vitit 1936, pa pasoja të mëdha, ndërsa pak muaj më vonë britanikët e shpallën të jashtëligjshëm Komitetin e Lartë Arab, i cili pushoi së funksionuari.
Dhuna vazhdoi edhe në vitet pasuese. Gelvini shkruan se në vjeshtën e vitit 1937, «mes 9 mijë dhe 10 mijë luftëtarë arabë, palestinezë dhe të tjerë, lëviznin nëpër fshatra, duke sulmuar forcat britanike dhe vendbanimet sioniste e duke mbjellë panik».
Por viti më i dhunshëm i gjithë kryengritjes ishte 1938-a. Më 19 qershor, 18 civilë arabë u vranë nga shpërthimi i një bombe në një treg arab të Jerusalemit. Një tjetër bombë shpërtheu më 6 korrik në tregun arab të Haifës, duke vrarë 21 arabë. Të dy atentatet i janë atribuar Irgunit, një organizatë paraushtarake hebraike e themeluar pak vite më parë, e cila kreu dhjetëra sulme gjatë kryengritjes.
Në muajt që pasuan, ushtria britanike e shtypi kryengritjen arabe, kryesisht me dhunë. Por përplasjet e bindën bashkësinë hebraike se bashkëjetesa paqësore me palestinezët nuk ishte më e mundur. Në të njëjtin përfundim arritën edhe autoritetet britanike, të cilat, për këtë arsye, disa vite më vonë propozuan një plan ndarjeje që parashikonte krijimin e një shteti hebre dhe të një shteti arab.
Në vitin 1938, siç shkruan Shaviti në librin e tij, David Ben-Gurioni tha: «Zgjidhja ime për çështjen e arabëve në shtetin hebre është transferimi i tyre në vendet e tjera arabe».
Më 19 shtator 1939, kur kryengritja tashmë kishte përfunduar, u krijua shtabi i përgjithshëm i Haganahut, një organizatë paraushtarake hebraike që vepronte prej vitesh dhe që, pas luftës së vitit 1948, u bë bërthama e ushtrisë kombëtare izraelite.
Në vitin 1948, gjatë asaj që izraelitët e quajnë Lufta e Pavarësisë dhe palestinezët Nakba, «katastrofa», një nga veprimet ushtarake më të debatueshme të ushtrisë izraelite ndodhi në Lida, qyteti ku Lehmani kishte hapur shkollën me konvikt për të rinjtë. Për shkak të një lloj keqkuptimi, ushtria izraelite, e cila e kishte pushtuar tashmë qytetin me një operacion ushtarak, urdhëroi të hapej zjarr pa dallim mbi një grup civilësh që kishin mbetur në qytet: u vranë mes 150 dhe 200 persona.
Të nesërmen, ushtria izraelite i urdhëroi banorët e mbetur të mblidhnin plaçkat dhe ta braktisnin qytetin, për të shkuar drejt regjimenteve arabe që ndodheshin disa kilometra larg. Shumë prej tyre, ndoshta dhjetëra, ka shkruar historiani izraelit Benny Morris, vdiqën rrugës nga dehidratimi dhe rraskapitja.
Në një artikull të shkruar më 2013 për revistën The New Yorker, Shaviti shpjegonte:
«Lida është kutia e zezë e sionizmit. E vërteta është se sionizmi nuk mund ta toleronte një Lidë arabe. Që në fillim, ekzistonte një kontradiktë thelbësore mes sionizmit dhe Lidës. Nëse sionizmi duhej të mbijetonte, Lida nuk mund të ekzistonte.
Duke e parë pas në kohë, gjithçka është shumë e qartë. Kur Siegfried Lehmani mbërriti në Lida në vitin 1927, duhej ta kishte ditur se Lida ishte një pengesë për krijimin e një shteti hebre dhe se një ditë sionizmit do t’i duhej ta hiqte qafe. Por Lehmani nuk e kuptoi dhe sionizmi bëri sikur nuk kishte asgjë.
Për dekada, hebrenjtë arritën t’ia fshihnin vetes kundërthënien mes lëvizjes së tyre kombëtare dhe Lidës. Për 45 vjet, sionizmi bëri sikur ishte shkolla Ben Shemen dhe sikur jetonte në paqe me Lidën. Pastaj, brenda tri ditësh në verën e vitit 1948, Lida pushoi së ekzistuari».
Bota.al