Videos

“Kush e ka përgjegjësinë, për të përcaktuar të vërtetën?”

Në një hapësirë digjitale që po zhvillohet me shpejtësi, përpjekja për të vendosur se “çfarë është e vërtetë”, është e mbushur me dilema etike. Eshtë një sfidë, e cila ngrihet mbi një pyetje themelore: “Kush e ka përgjegjësinë, për të përcaktuar të vërtetën?”

Ndërkohë që mund të duket se këtë përgjegjësi mund ta ketë çdo individ, i aftë të mendojë në mënyrë kritike, epoka digjitale ku ndodhemi e komplikon këtë ide. Sepse vëllimi dhe shpejtësia e paprecedentë e informacionit që konsumojmë, na e bën gjithçka më të vështirë.

Atëherë, a duhet ta kenë platformat, përgjegjësinë për ndarjen e të vërtetës nga sajesat? Dihet që ato kanë një rol të pamohueshëm në lehtësimin e rrjedhës së informacionit. E megjithatë, t’u besosh këtë rol organizatave që janë private, sjell po aq dilema të forta etike.

Sepse për nga natyra e tyre, ato janë të orientuara nga fitimet. Dhe algoritmet që përdorin për t’i maksimizuar këto fitime, shpesh bien ndesh me promovimin e informacionit të bazuar në fakte. Nga ana tjetër, sasia e jashtëzakonshme e informacionit që qarkullon, e bën pothuaj të pamundur verifikimin e çdo copëze të tij.

T’u japësh këtyre platformave të drejtën për të vendosur ‘çfarë është e vërtetë”, do të thotë të hapësh derën për abuzime. Sepse mund të ndodhë që, gjigandë teknologjikë në Silicon Valley, të jenë në gjendje të ndikojnë mbi opinionin në mbarë botën, shpesh herë duke përforcuar disa këndvështrime dhe duke i mbytur disa të tjerë.

Por edhe përfshirja e qeverisë është shumë komplekse. Mund të duket si gjëja e duhur për të mirën publike, por nga ana tjetër rrezikon të dëmtojë fjalën e lirë. Sidomos në ato vende ku mbrojtja e saj nuk është prioritet.

Qeverive u del detyra delikate që të hartojnë rregulla të cilat mbrojnë nga dëmi, ndërkohë që nuk preken vlerat demokratike dhe nxitet inovacioni. Dhe kjo kërkon që ato, qeveritë pra, të dëgjojnë, të kuptojnë dhe të zhvillohen në një hap me sferën digjitale.

Në përpjekjen për të përcaktuar se “çfarë është e vërtetë”, sfida nuk është thjesht në ndarjen e fakteve nga gënjeshtrat. Ajo ka të bëjë me dilema etike, me pajtimin e interesave që bien ndesh mes tyre, dhe mbi të gjitha forcimin e kolonave që mbajnë në këmbë një shoqëri demokratike dhe të informuar.

Prandaj udhëtimi ynë drejt të vërtetës nuk lidhet thjesht dhe vetëm me luftën ndaj dezinformimit. Ai ka të bëjë me rishikimin e ekzistencës në një realitet të ri, ku e vërteta nuk është vetëm çështje fakti, por mbijetese. Detyrë e vështirë, por që duhet marrë përsipër nga të gjitha palët, pa u lëkundur. / TruthHub – Bota.al

Back to top button