
Pablo Planas
“Herë pas here pyes veten nëse Messi është njeri”, tha Henry. Eshtë në fakt marsiani që sundon botën. “Nëse bashkon të gjitha virtytet e tij, ke përpara dikë që, sinqerisht, nuk është një qenie njerëzore”, tha Lineker. “Messi është një jashtëtokësor”, tha Maradona. “Është një lojtar PlayStation-i”, tha Wenger. “Bën gjëra që as nuk i shihja te Oliveri dhe Benxhi”, tha Luis Enrique. “Është prekur nga një shkop magjik”, tha Xavi. “Bën gjëra që duken të pamundura për një qenie njerëzore”, tha Iniesta. “Cristiano është më i miri i njerëzve, sepse Messi nuk është njeri”, tha Piqué.
Kupa e Botës 2026, minuta e 17-të. Messi e ka studiuar kundërshtarin për një kohë të gjatë. I kanë anuluar madje një gol në fillim të ndeshjes dhe ai gjen më në fund hapësirën. Shoku i skuadrës De Paul e gjen me një pasim perfekt që çan të gjithë vijën e mesfushës dhe “numri 10” na dhuron një tjetër nga ato pamje që vazhdon t’i përsërisë pa pushim, deri në pikën që ka arritur të normalizojë gjenialitetin e tij.
Ai rrotullohet, udhëheq topin dhe papritur lëshon një goditje të fuqishme në cepin e portës. Lot në festim. Në pjesën e dytë, instinkti i tij e bën të përfitojë nga dhurata e Zidane për të realizuar golin e dytë. Vendos topin në cepin e zonës, goditje e fortë dhe tregolësh në moshën 38-vjeçare. Histori.
Shumë më tepër se tre gola. Shumë më tepër se përfaqësimi i faktit se Argjentina ka ardhur në këtë Botëror për të mbrojtur dhe ruajtur kurorën, në herën e fundit që do të shohim Leon në një të tillë. Jo një Botëror çfarëdo, sepse që në ndeshjen e parë kundër Algjerisë ai ndryshoi historinë, duke treguar se ata që e quanin marsian nuk gaboheshin.
Messi e rrëzoi Pelén si mbreti i pjesëmarrjeve në gola. Nuk ka asgjë më të madhe se një mbret, të paktën në botën tokësore. Por për një jashtëtokësor kjo nuk është asgjë.
Askush nuk kishte realizuar më parë kaq shumë pjesëmarrje në gola (24) në Kupën e Botës. Turneu më i madh. Askush nuk kishte luajtur më parë në 6 Kupa Bote. Askush nuk kishte arritur më parë një diferencë prej 20 vitesh mes golit të tij të parë në një Botëror (16 qershor 2006 kundër Serbisë) dhe atij të fundit. Askush nuk kishte shënuar kundër 11 kundërshtarëve të ndryshëm në Kupën e Botës (Serbia, Meksika, Nigeria, Bosnja, Irani, Kroacia, Australia, Holanda, Franca, Arabia Saudite dhe Algjeria). Askush nuk kishte realizuar 6 gola nga jashtë zone.
Vetëm Miroslav Klose (16) ka po aq gola sa Messi në Botëror, duke kaluar me një Ronaldon Nazario (15).
Një përmbledhje e shpejtë, statistikore. E thjeshtë. E shkurtër dhe e drejtpërdrejtë, në gjuhën e futbollit. Sepse të shpjegosh atë që ndodh në fushë është thjesht e pamundur. / bota.al