HistoriMagazineMAIN

Misteri, ku përfunduan eshtrat e ushtarëve të rënë në betejën e Vaterlosë?

Mbi Betejën e Vaterlosë së 18 qershorit 1815, dihen tashmë shumë gjëra. Por ekziston ende një mister, ka të bëjë me fatin e eshtrave të ushtarëve që vdiqën atje. Në fakt, në vendngjarje, mbetjet njerëzore të gjetura janë shumë të pakta, krahasuar me numrin e tëvrarëve në atë betejë epike.

Ndër teoritë e ndryshme të ofruara nga ekspertët, është ajo që lidhet me mundësinë që kockatmund të jenë marrë, bluar dhe më pas përdorur si pleh për arat nga fermerët. Dhe sipas një studimi më e fundit të botuar Journal of Conflict Archeology, kjo gjë ka shumë gjasa tëketë ndodhur.

Studiuesit përdorën në studimin e tyre përshkrime, të dhëna dhe vizatime të mbledhura apo të bëra nga njerëz që e vizituan fushën e betejës disa ditë apo javë pas ngjarjes. Për shembull, ata analizuan letra të ndryshme si dhe shënimet personale të tregtarit skocez, Xhejms Ker, qëe vizitoi fushën e betejës vetëm disa ditë më vonë.

Në shënime ka edhe përshkrime të burrave që kishin ndërruar jetë në krahët e tij. Por siç shpjegon Toni Polard, profesor i Universitetit të Glasgout në Skoci, njëherazi drejtor i Qendrës për Arkeologjinë e Fushëbetejave, dhe një nga autorët e studimit, kjo lloj analize nuk ka gjasa të çojë në zbulimin e varrit masiv, ku ndodhen eshtrat e më shumë se 13.000 ushtarëve, të varrosur pasi humbën jetën gjatë betejës.

Polard thotë se është shumë e qartë se eshtrat e të vdekurve janë marrë nga fusha e betejës. Nëse nuk do të ishte kështu, do të ishte shumë e habitshme që nuk ka asnjë të dhënë, madje as një shënim të besueshëm, për ekzistencën e një apo më shumë varreve masive, që duhet të kenë pasur brenda mijëra kufoma.

Po sipas Polard, të paktën 3 artikuj gazetash të viteve 1820, përmendin importimin e eshtrave njerëzore të marra nga fushëbeteja të ndryshme në Evropë, dhe të përdorura si pleh për bujqësinë. Ky akt nuk ishte dhe aq çmenduri për kohën.

Profesori Polard thotë se mbetjet kockore, bluheshin derisa shndërroheshin në pluhur, duke u shndërruar më një formë plehu organik shumë efektiv. Një treg i tillë, ekzistonte tashmë në zonën e Ishujve Britanikë. Sapo mbaroi beteja, disa njerëz do të kenë shkuar në Vaterlo për të vjedhur sendet personale të vdekurve, madje edhe dhëmbët e tyre (më vonë ato u përdorën për bërjen e protezave për njerëz të tjerë).

Më vonë shkuan njerëzit që tregtonin eshtra për ti përdorur ato si pleh. Sipas studiuesit, banorët vendas ua treguan këtyre njerëzve vendet e varrezave masive. Por për të konfirmuar plotësisht këtë hipotezë, duhet të kryhet një studim gjeofizik, të cilin Polard e përcakton si ambicioz. Pasi studimi do të zgjaste disa vite, dhe do të kërkonte një analizë serioze në zonën e Vaterlosë për të gjetur mbetje njerëzore ose në çdo rast gjurmë të ndonjë grope nga e cila janë marrë eshtrat.

Back to top button