MagazineMAIN

Ne jemi librat që lexojmë

Nga Tracey Thorn

Po vendosnim pak rregull tek librat që kemi në shtëpi, dhe kjo pjesërisht falë më të voglit nga fëmijët e mi, i cili ishte në shtëpi për festën e Pashkëve, dhe më në fund vendosi të pastronte dhomën e tij nga gjithçka që unë e kam detyruar të lexojë që kur ishte fëmijë.

Ose të paktën, ai ndoshta e sheh pikërisht në këtë mënyrë. Ai nuk ka qenë asnjëherë një lexues i pasionuar, edhe pse si fëmijë i pëlqente të na dëgjonte kur i tregonim përralla para se të flinte. Por duke u rritur ai u largua nga librat, të cilët nuk arritën të tërhiqnin vëmendjen e tij. Shumë gjëra të tjera ishin më të përshtatshme dhe më argëtuese për të.

Në kutitë e grumbulluara jashtë dhomës së tij, gjeta librat që ia rekomandova dikur. Shpesh ia lija librat në shtrat, me shpresën se duke i shfletuar ai do të gjente të duhurin. Romane fantastiko-shkencore, histori me detektivë, histori spiunazhi, komedi, i kam provuar të gjitha.

Ndonjë prej tyre arriti t’i tërhiqte vëmendjen e tij, edhe pse unë nuk kam qenë kurrë në gjendje ta parashikoj se çfarë do të ishte. Sidoqoftë, e mësova një leksion: dashuria për leximin është diçka që nuk mund t’i imponohet askujt.

Ose na pëlqen të lexojmë ose jo, dhe unë duhej të pranoja idenë se nuk do të ishte ndoshta kurrë një i pasionuar pas leximit. Pastaj një dite ai u kthye në shtëpi nga shkolla dhe më tha se kishin lexuar romanin “Dublinasit” nga Xhejms Xhojs dhe sytë po i shkëlqenin.

Asnjë roman nuk i kishte bërë aq shumë përshtypje më herë. Atë vit me rastin e  Krishtlindjeve i bëra dhuratë një poster të kopertinës origjinale të librit, që gjendet ende e varur në murin e dhomës së tij. Për këtë arsye tani nuk bezdisem kur shoh se duhet të largoj prej andej gjithë ata libra që nuk arritën të tërhiqnin vëmendjen e tij.

E frymëzuar nga shembulli i tij, fillova të shoh raftet me libra në dhomat e gjumit të vajzave tona, që vazhdojnë të mbeten ende plot me libra që kur ato shkuan në universitet. Shumë shpejt, në vend set`i flak tej, zhytem në historitë e treguara nga koleksioni i librave që kam para meje.

Janë shumë, të gjitha veprat e Shekspirit, që ishin pjesë e një konkursi të fituar në shkollë. Nuk mendoj se janë hapur ndonjëherë. Pastaj është “Libri i shkencës”, pranë një libri me receta nga Xhek Monro. Pastaj shoh një kopje të librit“Virgjëreshat vetëvrasëse”. Më kujtohet sa shumë përshtypje më la kur e lexova për herë të parë,dhe shqetësimin që ndjeva për vajzat e mia, dhe ngjitur me të qëndron libri“Brezi i humbur” nga Vera Britain. Më kujtohen ende lotët që kam derdhur duke e lexuar.

Buzëqesh kur shoh dhe marr në dorë librin voluminoz “Të Mjerët”. Jo vetëm që është 1.647 faqe, por edhe në gjuhën franceze, këtë libër e ka lexuar edhe vajza ime që nuk flet frëngjisht. Ajo ishte aq shumë e impresionuar nga historia, sa që sipas saj versioni i vetëm që duhej lexuar ishte ai në gjuhën origjinale. Një shembull tjetër se si adoleshentët janë absolutisht të pabesueshëm dhe të aftë për t’i vënë zjarrin botës me pasionet e tyre.

Sa më shumë që shoh librat e tyre, gjithnjë e më shumë kuptoj se ato pasqyrojnë shijet dhe personalitetin e tyre. Tabela Periodike gjendet pranë librit “Zgjidhjet sipas llojit të lëkurës”; Luis Burzhua në afërsi të “Biologjisë së mikroorganizmave”; libri “Ema” ngjitur me “Kozmos” të Karl Sagan.

Të gjithë këta libra kanë ndihmuar në formimin e njerëzve që ata janë tani. Midis librave të zgjedhur prej tyre në mënyrë të pavarur ka edhe disa nga të mitë, siç është një libër me poezitë e T.S.Eliot, me shenjën e djegies nga cigarja që kisha lënë mbi kopertinë.

Një shenjë e lënë qëllimisht nga unë gjatë kohës që studioja, dhe brenda përmban shënime të shkruara me dorë. O Zot, çfarë kam shkruar? “Indiferenca konsiderohet një gjendje universale”, “rutina shtypëse”, “seksualiteti i tronditur”, “shkatërrimi, çmenduria, paniku”.

Mendoj se kam shkruar një detyrë kursi bazuar në ato shënime. Me siguri i kam hapur sytë mentorit tim, duke e bërë atë të kuptojë atë çka përcjellin në të vërtetë ato poezi. Nuk duhet që të qesh. Për këtë arsye mbajmë libra në shtëpitë tona, apo jo? Për fantazmat e vogla të versioneve të kaluara të vetvetes që ato bartin brenda tyre?

Faqet janë të mbushura me gjurmë se kush ishim dikur:çfarë gjëje tjetër po bënim kur po lexonim këtë libër? Çfarë mendonim? Çfarë kishim veshur? Vë bast se askush nga ne nuk i rilexon librat që ka në shtëpi aq shpesh sa mundet apo sa mendojmë se duhet. Por na pëlqen mënyra se si ato duken të vendosura aty, dhe i duam kujtimet që na zgjojnë. Ja pra, kjo është historia e një jete të ruajtur këtu në bibliotekë. Nuk kam ndërmend që të heq dorë nga shumica e këtyre librave. / “New Statesman” – Bota.al

Back to top button