HistoriMAIN

Nga ushtritë fantazmë tek kapriçot e motit: Çfarë ndodhi gjatë D-Day, zbarkimit të madh aleat në Normandi

Orët e para të mëngjesit të 6 qershorit 1944, nisi një nga operacionet ushtarake më të mëdha dhe më komplekse në historinë e botës:zbarkimi në bregdetin francez të Normandisë, momenti i shumëpritur dhe i planifikuar me përpikëri i çlirimit të Evropës kontinentale nga nazistët, por që u shoqërua me humbjet më të mëdha në ushtarë dhe civilë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ja cilat janë faktet më interesante dhe ndoshta më pak të njohura në lidhje me atë operacion të madh, protagonistët dhe prapaskenat e tij.

Emri i operacionit

Në zhargonin ushtarak anglez, “D-Day” do të thotë thjesht “ditë”, pra dita e caktuar për një mision. Por që prej datës 6 qershor e 77 viteve më parë, ky term është i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me Zbarkimin në Normandi, që në fillim ishte i koduar me emrin sekret “Neptun”.

Parashikimi i gabuar i motit

Zbarkimi ishte planifikuar fillimisht në datën 5 qershor 1944, por u shty me 24 orë për shkak të kushteve të këqija të motit në Kanalin Anglez. Por meteorologët britanikë bënë sërish një gabim të madh, që mund të kishte hedhur në erë suksesin e operacionit.

Ata hipotetizuan një armëpushim midis stuhisë së 5 qershorit dhe ditës tjetër, që sipas tyre do të ishte me mot të mirë. Në fakt nuk pati asnjë qetësim të situatë:gjatë zbarkimit u vu re vetëm një dobësim i lehtë i erërave, gjë që u dha mundësi anijeve të vazhdonin zbarkimin.

Prandaj, suksesi i aleatëve ishte pasojë e fatit të mirë.

Gjermanët e kishin parashikuar saktë tendencën e motit, ndaj nuk e prisnin ardhjen e forcave armike në2 javët që do të pasonin. Për këtë arsye ata e lanë shumicën e trupave në pjesën e pasme të frontit.

Sulmet e rreme dhe fshehtësia e përgatitjes

Pjesa më e madhe e suksesit të aleatëve, varej nga aftësia e tyre për të devijuar dyshimet në lidhje me vendin e zbarkimit. Operacioni “Fortitude”, synoi t’i mashtronte gjermanët të besonin se aleatët po planifikonin një sulm në brigjet e Kalesë dhe jo në Normandi.

Për këtë qëllim, aleatët krijuan një ushtri të tërë të rreme: FUSAG, që iu besua një komandanti të vërtetë, gjeneralit amerikan Xhorxh Paton.

Aleatët krijuan tanke prej gome dhe avionë prej druri. Mashtrimi funksionoi: gjermanët vendosën 18 divizione në Kale. Ndërkohë për të mos tërhequr vëmendjen e kundërzbulimit gjerman, portet e lëvizshme të përdorura gjatë D-Day, u prodhuan nga mbi 300 kompani të ndryshme në vende të ndryshme përgjatë bregdetit britanik, dhe më pas u montuan së bashku.

“Muri i Atlantikut” ishte lënë përgjysmë

Trupat naziste mbase mund të kishin organizuar një mbrojtje më të mirë nëse Muri i Atlantikut, linja e fortifikimeve që shtrihej nga Kepi i Veriut në Norvegji deri në Spanjë, do të kishte përfunduar siç duhej. Projekti i dëshiruar fuqimisht nga Hitleri, konsistonte në ndërtimin e një “muri” (me bunkerë, vendosje armësh, barriera anti-ajrore) për një sulm të mundshëm në Evropën kontinentale të pushtuar nga nazistët.

Por kur Ervin Romel mori komandën e trupave në frontin e Perëndimit në vitin 1943, e kuptoi se vija e fortifikuar ishte e paplotë, për shkak të ç’organizimit dhe shpërdorimeve të mëdha të burimeve. Prandaj, ditën e zbarkimit “Muri” u arrit të kapërcehej që atë mbrëmje pa shumë vështirësi.

Fjalëkryqet

Shumë prej emrave të koduar të përdorur gjatë zbarkimit si Juno, Gold, Sword, Utah, Omaha (terma që tregonin plazhet e zgjedhura për pushtimet), Overlord (emri i koduar i të gjithë operacionit), Mulberry (portet artificiale të përdorura nga aleatët) dhe Neptun (emri i koduar i sulmit detar), dolën si zgjidhje në fjalëkryqet e gazetës britanike “Daily Telegraph” në muajin që i parapriu sulmit Aleat.

Inteligjenca britanike hetoi çdo rrjedhje të mundshme informacioni, nga e cila mund të përfitonin gjermanët, por nuk u gjet asnjë provë. Leonard Doui autori i fjalëkryqit, u mbrojt duke thënë se ato emra ishin thjeshte rastësi. / Focus – Bota.al

Back to top button
Close
Close