Covid19

Omicron mund të shmangë antitrupat, por kjo s’do të thotë që ju nuk keni imunitet

Nga Mick Bailey & Nicholas John Timpson

Ndërsa variantin Omicron i koronavirusit të ri, që përmban me shumë mutacione se të tjerët po përhapet me shpejtësi kudo në botë, njerëzit janë shumë të interesuar të mësojnë nëse imuniteti ynë i përfituar nga vaksinimi apo nga një infeksion i mëparshëm me Covid-19 do të mjaftojë për të na mbrojtur nga infektimi apo nga zhvillimi i një forme më të rëndë të kësaj sëmundje.

Në rast se imuniteti i mëparshëm garanton një mbrojtje të mjaftueshme, atëherë masat paraprake për të ngadalësuar përhapjen e Omicron, bashkë me vaksinimin dhe dozat përforcuese, duhet të parandalojnë një mbingarkesë të rrezikshme në sistemet e kujdesit shëndetësor.

Nëse jo, atëherë shtimi i kufizimeve sociale do të jetë i pashmangshëm, pasi varianti i ri po përhapet në mbarë botën dhe potencialisht mund të zëvendësojë Deltën, që aktualisht është varianti dominues. Studimet e hershme, të cilat janë ende në versionet e tyre paraprake dhe presin të rishikohen nga shkencëtarë të tjerë, sugjerojnë se Omicron përballohet pak më dobët nga imuniteti ekzistues.

Por kërkimet tregojnë gjithashtu se marrja e një doze të tretë përforcuese të vaksinës mund të sigurojë mbrojtje. Pra, lajmi i keq nuk është aq i keq sa mund të duket. Por edhe lajmi i mirë duhet të trajtohet me shumë kujdes. Kjo pasi raportet e hershme mbi këtë variant, janë fokusuar tek të dhënat më të shpejta të arritshme, që është sasia e antitrupave që kanë njerëzi në gjakun e tyre dhe që janë në gjendje të neutralizojnë variantin e ri.

Dhe në përgjithësi, të dhënat sugjerojnë vazhdimisht se Omicron, mund t’u shmanget në një farë mase këtyre antitrupave neutralizues. Rënia e aftësisë mbrojtëse tek njerëzit që kanë marrë 2 vaksina është diku midis 10-20 herë, krahasuar me 40 herë për Deltë.

Pra tek njerëzit që kanë marrë 2 doza vaksine dhe që ishin infektuar më parë me koronavirus, niveli i neutralizimit të Omicron ishte më i lartë. Ky mund të duket një lajm alarmant. Por nuk është kjo e gjithë historia. Në studimet e mëhershme që kanë shqyrtuar format e mëparshme të virusit, nivelet e antitrupave neutralizues janë përputhur mirë me nivelet e mbrojtjes, pra një aktivitet më i madh neutralizues është i barabartë me një mbrojtje më të mirë.

Por nga ana tjetër,nivele më të ulëta të antitrupave neutralizues nuk do të thotë se njerëzit janë plotësisht të pambrojtur ndaj varianti të ri. Kjo pasi studimet e shkuara kanë zbuluar gjithashtu se shumë njerëz me nivele të ulëta të antitrupave, duket se ende janë mjaft të mbrojtur, sidomos kundër formave të rënda të sëmundjes, edhe me variantet më të reja si Delta.

Me shumë gjasa e njëjta gjë vlen edhe me Omicron, sepse antitrupat neutralizues që sulmojnë dhe asgjësojnë virusin janë pjesë e përgjigjes imunitare. Po ashtu ekzistojnë edhe antitrupa ndërlidhës, të cilët ngjiten pas virusit apo qelizave e infektuara, për t’i vendosur ato në qelizat e tjera imune që neutralizojnë, qelizat T dhe qelizat B të kujtesës, të cilat mund të sulmojnë direkt virusin dhe të prodhojnë më shumë antitrupa për ta luftuar atë.

Edhe në mungesë fillestare të antitrupave që mund të neutralizojnë virusin, këta mekanizma mund të ofrojnë gjithashtu një nivel mbrojtjeje kundër infeksionit apo sëmundjes simptomatike. Dhe kjo mund të jetë ende e mjaftueshme për të reduktuar gjasat që Omicron të shkaktojë sëmundje të rënda, dhe të kufizojë ndikimin e tij mbi sistemet shëndetësore.

Ndërkohë edhe dy nga raportet e fundit, sugjerojnë se një dozë e tretë përforcuese e një vaksine anti-Covid rrit ndjeshëm nivelet e antitrupave neutralizues kundër variantit të përhapur Delta, dhe se kjo do të rriste gjithashtu edhe neutralizimin e variantit Omicron.

Një raport i fundit nga kompania Pfizer, pretendon se një dozë e tretë përforcuese, mund të sigurojë një rritje mjaft të dukshme të fuqisë neutralizuese ndaj Omicron, megjithëse të dhënat e studimit më të ri, janë ende jo të plota.

Një shqyrtim në detaje i të dhënave që janë aktualisht të disponueshme në këto studime, tregon se aftësia e reduktuar neutralizuese përballë variantit Omicron, mund të jetë shumë e ndryshueshme. Ndërsa disa njerëz të vaksinuar ose të infektuar më parë janë më të aftë në  neutralizimin e Omicron, disa nuk kanë thuajse asnjë antitrup neutralizues, edhe pas një doze të tretë përforcuese.

Atëherë, a kanë gjasa këta njerëz të mbrohen kundër infeksionit ose formës së rëndë të sëmundjes? Është e vështirë të jepet një përgjigje e saktë. Siç e përmendëm edhe më lart, ne nuk e dimë ende shkallën në të cilën mund të ofrojnë mbrojtje mekanizmat e tjerë të sistemit imunitar.

Gjithsesi, ne e dimë se këta mekanizma të tjerë imunitarë synojnë pjesë të ndryshme të koronavirusit. Ne mund të shpresojmë që njerëzit me nivele të ulëta të antitrupave neutralizues, edhe pas një doze përforcuese do të mbrohen nga mbrojtjet e tjera imune,

që mbeten kryesisht të pa zvogëluara në sasinë e tyre. Megjithatë, kjo nuk është e sigurt, ndaj kemi nevojë për studime të mëtejshme për të matur sa është në fakt mbrojtja reale ndaj këtij varianti.

Shënim: Mick Bailey, profesor i Imunologjisë Krahasuese në Universitetin e Bristolit, Britani e Madhe. Nicholas John Timpson, profesor i Epidemiologjisë Gjenetike po në këtë universitet. / “The Conversation” – Bota.al

Back to top button
Close
Close