Po ndërtonte një verandë në oborr. Nën tokë e priste thesari më i madh viking i Danimarkës

Një punë e zakonshme në oborrin e një shtëpie në Danimarkë përfundoi me një zbulim thesari të jashtëzakonshëm: rreth 700 objekte argjendi të fshehura prej më shumë se një mijë vjetësh. Mes tyre ka monedha nga skajet e largëta të botës së njohur, bizhuteri, shufra argjendi dhe një çekiç të vogël të Thor-it.

thesari

Gjithçka nisi me një verandë. Në komunën Rebild të Danimarkës, pronari i një shtëpie kishte vendosur të rregullonte pjesën e jashtme të pronës. Asgjë që të sugjeronte arkeologji, vikingë apo thesare të humbura. Po hiqeshin bari, gurët dhe zhavorri për t’i hapur vend një tarrace të re.

Pastaj erdhi një tingull i pazakontë. Nën sipërfaqen e tokës ndodhej diçka metalike. Ajo që në fillim mund të dukej një copë e parëndësishme metali do të çonte në një prej zbulimeve arkeologjike më spektakolare të viteve të fundit në Skandinavi.

Nën oborr ndodhej një pasuri që dikush e kishte fshehur aty rreth një mijë vjet më parë. Dhe nuk ishte kthyer kurrë për ta marrë.

Thesari: 18.5 kilogramë argjend nën tokë

Kur arkeologët nisën të kuptonin përmasat e zbulimit, shifrat ishin të jashtëzakonshme.

Thesari peshon rreth 18.5 kilogramë dhe përmban afërsisht 700 objekte. Brenda tij gjenden shufra argjendi, byzylykë, bizhuteri, copa argjendi të prera, si dhe 47 monedha të plota ose fragmente monedhash.

Rreth 320 objekte ishin ende brenda një ene prej balte, ndërsa pjesa tjetër ishte shpërndarë në tokën përreth.

Për nga përmasat, zbulimi tejkalon thesaret e tjera të njohura të kësaj natyre në Danimarkë dhe është identifikuar si thesari më i madh i argjendit nga epoka vikinge i zbuluar deri më sot në vend.

Por ajo që e bën gjetjen kaq interesante për historianët nuk është vetëm pesha e argjendit. Është ajo që argjendi tregon. Sepse brenda atij grumbulli të fshehur një mijë vjet më parë gjendet, në miniaturë, një hartë e botës vikinge.

Monedha nga Anglia dhe nga bota islame

Kur flasim për vikingët, imagjinata popullore shkon zakonisht te anijet e gjata, luftëtarët, plaçkitjet dhe bastisjet në brigjet evropiane. Por realiteti ishte shumë më kompleks.

Vikingët ishin gjithashtu tregtarë dhe udhëtarë të jashtëzakonshëm, të përfshirë në rrjete shkëmbimesh që shtriheshin në distanca marramendëse për standardet e Mesjetës së hershme.

Thesari i Rebildit e tregon këtë në mënyrë spektakolare. Mes monedhave të zbuluara ndodhen ekzemplarë anglo-saksonë, përfshirë monedha të lidhura me mbretërimin e Edward Plakut, sundimtar i Anglisë në fillim të shekullit X.

Por në të njëjtën tokë daneze janë gjetur edhe monedha nga bota islame.

Për ne sot, një monedhë arabe në Danimarkë mund të duket thjesht një kuriozitet arkeologjik. Një mijë vjet më parë, ajo ishte dëshmi e një sistemi tregtar që lidhte Skandinavinë me Evropën Lindore, Bizantin dhe botën myslimane. Argjendi udhëtonte. Dhe bashkë me të udhëtonin mallra, njerëz, teknologji dhe ide.

Kërkime të tjera kanë treguar madje se argjendi i monedhave islamike riciklohej në botën vikinge dhe përdorej për prodhimin e monedhave vendase.

Skandinavia e shekullit X ishte shumë më pak e izoluar nga sa mund ta imagjinojmë.

Një ekonomi ku argjendi peshohej

Ka edhe një hollësi tjetër që ka tërhequr vëmendjen e arkeologëve. Shumë prej copave të argjendit duket se janë organizuar sipas kategorive të caktuara të peshës.

Kjo është e rëndësishme sepse në një pjesë të botës vikinge argjendi nuk kishte domosdoshmërisht vlerë për atë që ishte – një byzylyk, një monedhë apo një shufër. Kishte vlerë për sa peshonte.

Një bizhuteri e bukur mund të pritej në copa. Një monedhë e ardhur nga mijëra kilometra larg mund të copëtohej. Argjendi peshohej dhe përdorej në shkëmbime. Në këtë sistem, një monedhë nuk ishte domosdoshmërisht para në kuptimin modern. Ishte argjend dhe argjendi ishte pasuri.

Pikërisht për këtë arsye, thesari i Rebildit nuk duhet imagjinuar vetëm si koleksioni i çmuar i një vikingu të pasur. Mund të ketë qenë diçka shumë më pranë një rezerve financiare personale. Një bankë pa bankë e groposur në tokë.

Mes argjendit, çekiçi i Thor-it

Por mes qindra objekteve gjendet edhe një send shumë më i vogël që tërheq menjëherë vëmendjen: një varëse argjendi në formën e Mjölnir-it, çekiçit të Thor-it.

Thor ishte një prej perëndive më të rëndësishme të botës nordike, i lidhur me bubullimën, forcën dhe mbrojtjen.

Prania e simbolit të tij në një thesar të shekullit X është veçanërisht interesante sepse kjo ishte një periudhë transformimi të thellë për Skandinavinë.

Krishterimi po depërtonte gjithnjë e më shumë në botën vikinge, ndërsa besimet tradicionale nordike vazhdonin të ishin të fuqishme. Kështu, në të njëjtin horizont historik mund të gjenden kryqe të krishtera dhe çekiçë të Thor-it. Dy botë që për një periudhë jetuan pranë njëra-tjetrës. Njëra po vinte kurse tjetra ende nuk kishte ikur.

Misteri i një fjale të shkruar me rune

Një tjetër objekt mund të fshehë një histori edhe më personale.

Në një shufër argjendi janë gjetur shenja runike që studiuesit po përpiqen t’i interpretojnë. Një prej leximeve të mundshme është “hutu”.

Kuptimi mbetet i pasigurt. Por ekziston mundësia që mbishkrimi të ketë shërbyer si një lloj shenje pronësie. Dhe nëse është kështu, thesari papritur bëhet më pak anonim.

Sepse pas 18.5 kilogramëve argjend ishte një njeri. Dikush i mblodhi këto sende. Dikush i numëroi ose i peshoi. Dikush i vendosi një pjesë në enën prej balte. Dhe një ditë, dikush hapi një gropë dhe i fshehu. Pse? Kjo është pjesa më joshëse e historisë. Nuk dimë përse thesari u gropos.

Mund të ketë qenë një mënyrë normale për të ruajtur pasurinë në një botë pa kasaforta dhe banka. Mund të jetë fshehur gjatë një periudhe pasigurie, konflikti apo kërcënimi. Mund të ketë qenë pronë e një tregtari, luftëtari ose familjeje me pozitë të lartë.

Por një fakt është pothuajse i sigurt: pronari nuk u kthye për ta marrë. Ndoshta vdiq, ndoshta u largua, ndoshta nuk mundi më të gjente vendin, ndoshta sekretin e vendndodhjes së thesarit e mori me vete në varr.

Për më shumë se një mijë vjet, argjendi qëndroi aty ndërsa mbi të ndryshonte gjithçka.

Epoka e vikingëve përfundoi. Mbretëritë skandinave u kristianizuan. U ngritën dhe ranë dinasti. Kaluan luftëra, epidemi dhe revolucione. Bota hyri në epokën industriale, pastaj në atë dixhitale. Dhe mbi vendin ku një viking kishte fshehur pasurinë e tij, dikush ndërtoi një shtëpi. Pastaj, në vitin 2026, pronari i saj vendosi të bënte një verandë.

Një dritare e vogël drejt botës së vikingëve

Objektet po studiohen nga specialistët danezë dhe rëndësia e plotë e zbulimit do të kuptohet vetëm pas analizave të mëtejshme. Por thesari tashmë tregon diçka që historia e vikingëve na e kujton vazhdimisht: ata nuk jetonin në skajin e botës. Ishin pjesë e saj.

Argjendi arab, monedhat angleze, simbolet nordike dhe objektet e tregtisë ndodhen të gjitha së bashku në një enë balte të groposur në Danimarkë. Një lloj kapsule kohe nga shekulli X.

Dhe kjo është arsyeja pse zbulime të tilla na magjepsin. Jo për shkak të vlerës së metalit, por sepse për një çast zhduket distanca prej një mijë vjetësh. / bota.al

Back to top button