HistoriMAIN

Rruga drejt Rilindjes (evropiane)

Ngjarjet kryesore që formësuan rilindjen e të mësuarit dhe artit në Evropë, veçanërisht në Gadishullin Italian

Ngritja e Humanizmit

rreth vitit 1304 (Itali)

Një nga momentet kyçe në rrugën drejt Rilindjes ishte zhvillimi i humanizmit dhe një interes i ripërtërirë për Romën dhe Greqinë e lashtë. Këto ideale të reja u përqendruan në Itali, por shpejt u përhapën në zona të tjera të Evropës. Humanizmi bazohet në interesin e individëve dhe në aftësinë njerëzore për të mësuar, dhe ai inkurajoi mendimtarët e kohës, që të ngriheshin mbi idetë e pranuara përgjithësisht në Mesjetë. Babai i humanizmit, Francesco Petrarca studioi Ciceronin dhe Virgjilin, një filozof dhe një poet nga Roma e lashtë. Ai zbuloi tekste klasike të harruara më parë dhe përhapi besimin se bota do të arrinte edhe një herë shkëlqimin e botës së lashtë. Këto ide inkurajuan shumë intelektualë të tjerë, që të vënë në dyshim botën në të cilën ata jetonin, dhe u dhanë jetë mënyra të reja të mendimit kulturor që nuk ishin rreptësisht laike.

Vdekja e zezë

1347-1412 (Itali)

Italia nuk u kursye gjatë viteve të pikut të Vdekjes së Zezë. Edhe pas kulmit të saj në Evropë në fund të viteve 1340, sëmundja mbeti e pranishme në të gjithë shtetet italiane. E sjellë nga minjtë që kishin udhëtuar me anije nga lindja, murtaja bubonike dhe pneumonike goditi fort. Messina, në Siçili, ishte e para që ndjeu efektet e saj në vitin 1347, por pandemia gradualisht filloi në veri ndërsa arriti në Genova, Venecia dhe Piza në vitin pasardhës. Edhe pse sëmundja u shua në pjesë të tjera të Evropës, në Itali pati përsëritje të ndryshme gjatë dekadave që pasuan dhe epidemia u zbeh më në fund në vitin 1412. Vdekja e zezë vazhdoi në të dy qytetet dhe fshatrat deri në shekullin e 18-të, kur më në fund u shua përgjithmonë.

Ndarja e madhe

1378-1417 (Romë)

Pas vdekjes së Papës Gregori XI në vitin 1378, Kisha Katolike u nda. Fillimisht, Papa Urbani VI u emërua pasardhës i Gregorit, por brenda pak muajsh, një pjesë e hierarkisë katolike emëroi Klementin VII si papë. Urbani refuzoi të hiqte dorë dhe, në pamundësi për të arritur një kompromis, u vendos që ai të sundonte Kishën nga Roma, ndërsa Klementi të drejtonte fraksionin e tij nga Avignon, Francë. Në vitin 1409, në një përpjekje për t’i dhënë fund rivalitetit, një papë i tretë, Aleksandri V, u zgjodh menjëherë më pas, por kjo sërish nuk e zgjidhi çështjen. Këshilli i Konstancës u thirr në vitin 1414 për të detyruar dorëheqjen e Gjonit, i cili kishte zëvendësuar Aleksandrin, dhe papës së Romës, Gregori XII, duke hedhur poshtë sundimin e papës së Avignonit, Benediktit XIII. Kjo hapi rrugën për një Kishë Katolike edhe një herë të unifikuar.

Proto-Rilindja

1300-1400 (Shtetet e Italisë së Veriut)

Italia ishte vendlindja e Rilindjes. Para fillimit të saj, lëvizja e Proto-Rilindjes nisi në qytet-shtetet veriore të Italisë. Duke përfshirë pothuaj të gjithë shekullin e 14-të, ajo u dominua nga një valë e re e artit gotik. Me origjinë nga Siena, këto ishin pikturat e para që ndryshonin nga veprat tradicionale të artit mesjetar. Ndikimi erdhi nga arti bizantin, i cili kishte filluar të ndikonte në pikturat në oborret evropiane. Giotto di Bondones u bë i njohur si babai i pikturës dhe vlerësohet me kthimin e realitetit në pikturë, duke krijuar vepra që zëvendësuan pikturat e vjetruara që kishin dominuar më parë epokën mesjetare.

Venecia pushton Dalmacinë

1409 (Dalmaci)

Venecia ishte një fuqi e madhe evropiane që dominonte Mesdheun Lindor. Një nga përfitimet e saj më të rëndësishme territoriale ishte blerja e Dalmacisë dhe Istrisë aty pranë, në vitin 1409. Ladislausi, Mbreti i Napolit, vendosi t’i shiste të drejtat e tij rajonit, duke i dhënë Venedikut një derë të hapur për të pushtuar. Ajo do të sundonte Dalmacinë për 400 vitet e ardhshme. Ngritja e Venecias ishte jetike në ditët e para të Rilindjes dhe ndihmoi në përhapjen e ideve nga shtetet italiane, nëpër rrugët e saj të begata tregtare në Evropë dhe pjesë të Azisë.

Ngritja e familjes Medici

1429 (Firence)

Familja Medici ishte një familje bankare në Firence që mbështeti financiarisht artistë të Rilindjes si Michelangelo. Vitet e arta të kësaj dinastie filluan me Giovanni de Medicin, një bankier që i vendosi operacionet e veta në Firence.

Përveç grumbullimit të një pasurie të madhe, familja de Medici ishte me shumë ndikim, duke mbajtur shumë poste politike. Ai vdiq në vitin 1429, por djali i tij, Cosimo, i arsimuar në mënyrat e humanizmit, trashëgoi pasurinë e tij dhe krijoi një rrjet biznesi në të gjithë Evropën. Ai ishte një sipërmarrës i zgjuar, por kishte gjithashtu një oreks të shëndetshëm për artet. Cosimo autorizoi ndërtimin e katedraleve, mbështeti artistët e Rilindjes dhe ndërtoi Akademinë Platonike, e cila u përqëndrua në shkollimin e studentëve në veprat antike. Edhe pas vdekjes së tij, djali dhe nipi i Cosimos sunduan me zgjuarsi, duke ndihmuar Firencen të çimentonte statusin e saj si një fuqi e madhe, ashtu sikurse dhe një qendër arkitekturore dhe artistike. Familja ra menjëherë më pas, pasi Luftërat Italiane pushtuan gadishullin.

Shpikja e shtypshkronjës

1439 (Perandoria e Shenjtë Romake)

Dëshira për të lexuar tekste të lashta u plotësua nga lindja e shtypshkronjës. E shpikur në vitin 1439 nga Johannes Gutenberg, ajo mundësoi që tekstet të prodhoheshin në masë me shpejtësi dhe çmim të ulët. Në vend që të kopjohej me kujdes me dorë, boja transferohej në letër nëpërmjet një mekanizmi. Është vlerësuar se në vitin 1500, gjysmë milioni libra hynë në qarkullim dhe shumë qytete mbajtën panaire libri. Më të njohurat ishin Bibla dhe tekstet e lashta. Në këtë linjë montimi, mësimi mund të qarkullonte më shpejt se kurrë më parë dhe të arrinte një audiencë më të gjerë. Ky përparim teknologjik ishte një nga çelësat e fillimit të Rilindjes. Më shumë pjesë të popullsisë u bënë të shkolluar dhe të interesuar për tekstet shkencore, pasi ndodhi ky revolucion i informacionit.

Rritja e qytet-shteteve

1450 (Firence, Milano, Venecia, Genova)

Italia e Veriut u bë një fuqi ekonomike në Evropën Kontinentale. Nga mesi i shekullit të 15-të, këto qytet-shtete ishin në paqe me Shtetet Papnore dhe Mbretërinë e Napolit deri në në jug, pasi përfitoi nga Ndarja e Madhe për t’u çliruar nga kufizimet laike. Firence u bë e fuqishme përmes tregtimit të leshit, ndërsa Venecia përparoi nga tregtia në dete, ndërsa menaxhonte mallrat që vinin nga lindja. Të gjitha qytetet vepruan si streha të sigurta në të cilat studiues dhe artistë

mund të vendoseshin, pasi arratiseshin nga Perandoria Osmane pas rënies dramatike të Kostandinopojës. Një klasë e pasur tregtare u formua në qytetet-shtetet e begata, duke ushqyer një sistem shumë më të mirë se feudalizmi (i cili kishte dominuar zona të tjera të shoqërisë evropiane), për studime dhe mësime jo laike.

Merr fund lufta njëqindvjeçare

1453 (Francë)

Mbyllja e kësaj lufte 116-vjeçare ndihmoi në fillimin e Rilindjes. Anglia, e cila dikur kishte qenë në epërsi, pësoi një sërë humbjesh që kulmuan me një disfatë përfundimtare në Betejën e Castillon dhe mbreti Henry VI u çmend. Pas luftës, Anglia u tërhoq nga çështjet e kontinentit dhe u përfshi në Luftërat e Trëndafilave, një konflikt i brendshëm me shumë veteranë nga lufta. Franca dhe Spanja e kthyen vëmendjen në Gadishullin Italian, duke filluar kështu Luftërat Italiane. Megjithatë, nuk ishte e gjitha gjakderdhje, teksa komandantët e ushtrisë u kthyen në shtëpi me histori të një lëvizjeje të re: Rilindjes.

Rënia e Kostandinopojës

1453 (Kostandinopojë)

Nga mesi i shekullit të 15-të, Perandoria Osmane ishte rritur. Ishte aq e fuqishme, sa që tani ishte një kërcënim i madh për jetëgjatësinë e Perandorisë Bizantine. Qyteti i Kostandinopojës kishte përballuar një sërë rrethimesh gjatë historisë nga turqit, tek rusët dhe arabët, por në vitin 1453 u thye përfundimisht. Kostandinopoja qëndroi e vetme kundër armikut të saj, i cili goditi me breshëri muret me topa të mëdhenj bombardues. Ndërsa forcat osmane depërtuan, qyteti u shkatërrua me gjak dhe kufoma, por sulmet e mëparshme osmane kishin detyruar tashmë shumë nga mendjet më të mira bizantine të iknin drejt perëndimit. Destinacioni më i zakonshëm ishte Firence, e cila përfitoi nga ky fluks i ri dijesh, pasi studiuesit sollën me vete pasuritë e tyre, si dhe dorëshkrime dhe libra të lashtë, të paparë në Perëndim që nga rënia e Perandorisë Romake. Ndërkohë, Kostandinopoja u shpall kryeqyteti i ri i Perandorisë, pasi ushtritë osmane fituan një bazë në Evropën kontinentale. (bota.al)

Back to top button