Bota

Si ta kuptojmë duetin Erdogan-Putin?

Nga Marc Pierini

“Carnegie Europe”

Që nga pushtimi rus i Ukrainës, Turqia ka pasur një “qasje të balancuar” ndaj Moskës dhe Kievit, dhe po luan një rol kyç nëpërmjet disa mënyrave. Ajo e ka dënuar pushtimin e Ukrainës, dhe i ka mbyllur ngushticat në Bosfor. Po ndërmjetëson dialogun midis palëve ndërluftuese, teksa nxit dhe tani po monitoron zbatimin e një marrëveshje për eksportet e grurit ukrainas, së bashku me një ekip të OKB-së.

Në rrethana të tilla delikate një roli i tillë i Turqisë është i mirëpritur. Por një sjellje e tillë balancuese është një bast i kushtueshëm, jo vetëm për Ankaranë por edhe për komunitetin ndërkombëtar.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan nuk ka kursyer asnjë mjet në përpjekjen e tij për të luajtur rolin e ndërmjetësit kur bëhet fjalë për Rusinë dhe Ukrainën:telefonata, vizita, lehtësim takimesh, negociata mbi marrëveshjen e eksporteve të grurit, përfshirë drejtimin e qendrës së monitorimit të Marrëveshjes së Stambollit, dhe shoqërimin e anijeve që e kryejnë eksportin e drithit ukrainas.

Një politikë e komunikimit publik e hartuar me shumë kujdes, projekton një imazh pozitiv të rolit të presidentit turk, që nga ana tjetër pritet ta ndihmojë atë në skenën e brendshme politike përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të qershorit 2023.

Edhe nëse përpjekjet e Turqisë janë disi të nxitura nga qëllime të brendshme, kryeqytetet perëndimore mendojnë se çdo grimë e vullnetit të  mirë është i mirëpritur, dhe për këtë arsye vlerësojnë përpjekjet e Ankarasë. Por në lidhje me këtë “koreografi” diplomatike ka 2 këndvështrime të tjera: pas përpjekjeve të Turqisë fshihen motive të mëdha ekonomike, në një kohë që Rusia kërkon për vete përfitime të rëndësishme strategjike.

Përfitimet e shtuara të përpjekjeve diplomatike të Turqisë janë më se të dukshme. Së pari, tarifat ndaj anijeve tregtare që kalojnë tranzit nëpër Ngushticat Turke sapo janë rritur me 5 herë, ndërsa trafiku detar po rritet sërish. Numri i emigrantëve rusë në Turqi, si dhe investimet e këtyre të fundit në pasuri të paluajtshme dhe transfertat financiare në bankat turke, janë rritur po ashtu ndjeshëm.

Për më tepër, ekziston dyshimi se Rusia po përpiqet të anashkalojë disa nga efektet e sanksioneve perëndimore nëpërmjet Turqisë, sidomos përmes blerjes së aksioneve në bizneset turke të naftës, ndërsa kompanitë e përbashkëta ndihmojnë jo pak në fshehjen e tregtisë së naftës.

Më e rëndësishmja: ekspertët ukrainas kanë deklaruar se një pjesë e drithërave të eksportuara tashmë nga Rusia ishin vjedhur në fakt nga magazinat ukrainase në rajonin e pushtuar të Donbasit. Edhe pse kjo akuzë është e vështirë të dokumentohet, diçka e tillë do të ishte një surprizë e madhe në fushën e sanksioneve tregtare ndërkombëtare.

Po ashtu, Turqia po përpiqet shumë të ruajë dhe zhvillojë marrëdhëniet e saj me industrinë ushtarake ukrainase, duke përfshirë shitjet dhe furnizimin e vazhdueshëm me dronët “Bayraktar”, me synimin fundor blerjen për nevojat e veta të motorëve të avionëve nga industria ukrainase e hapësirës ajrore.

Pavarësisht rrezikut të zemërimit të Kremlinit, një marrëdhënie e tillë është e domosdoshme për zhvillimin e industrisë turke të dronëve, e cila aktualisht është më e avancuar se ajo e Evropës. Dhe më e rëndësishmja: Turqia ka hyrë në një marrëdhënie financiare me Rusinë.

Duke pasur parasysh situatën e rëndë ekonomike të vendit, të rënduar nga politika absurde me normat e interesit, Ankaraja është përpjekur që të sigurojë lehtësira financiare ose marrëveshje shkëmbimi valutor me partnerë si Kina, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas Bloomberg, tani ajo ka nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin nga Rusia të termocentralit bërthamor “Akkuyu”, me një kosto prej 15 miliardë dollarësh nga kompania bërthamore ruse “Rosatom”. Kompania e saj partnere turke do të blejë pajisjet për ndërtimin e impiantit, dhe kështu shmangen sanksionet e mundshme.

Fluksi i valutës së fortë gjatë periudhës së ardhshme 2-vjeçare, përbën një përmirësim afatshkurtër shumë të mirëpritur të rezervave të varfëruara të vendit. Por edhe përfitimet e vetë Rusisë nuk janë të parëndësishme. Së pari, marrëveshja mbi eksportin e grurit ukrainas, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, përçon imazhin e një qëndrimi pajtues nga ana e Rusisë, edhe pse nuk ka pasur asnjë sanksion mbi eksportet e ushqimit nga Rusia apo territori i pushtuar ukrainas. Pakti përfshin pjesëmarrjen e autoriteteve ruse në një mekanizëm monitorues shumëpalësh të vendosur në Stamboll, duke zbutur kësisoj perceptimin e një Rusie diplomatikisht të izoluar.

Së dyti, marrëveshja me Rosatom, është një mënyrë jo shumë sekrete që përdor Rusia për të zbatuar një marrëveshje industriale me Turqinë duke i shmangur sanksionet e parashikueshme për pajisjet kritike. Ndërkohë, ajo i siguron Erdogan një frymëmarrje financiare shumë të mirëpritur, që mund ta ndihmojë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Së treti, duke ia mohuar Ankarasë dritën jeshile për një operacion të ri ushtarak në Sirinë Verilindore, Kremlini e ka detyruar atë të hyjë në negociata sekrete me regjimin e Assad, edhe pse deri më sot Erdogan ka shprehur një kundërshtim të fortë kundër presidentit sirian duke kërkuar madje largimin e tij nga pushteti.

Së fundmi, dhe ndoshta më e rëndësishmja, duke e mbajtur Erdogan në anën e tij (pavarësisht mosmarrëveshjeve të shumta politike dhe ushtarake), presidenti rus Vladimir Putin po konsolidon arritjen e tij të vitit 2009, shitjen tek Turqia të sistemeve raketore ruse S-400, e cila po krijon një të çarë midis aleatëve të NATO-s.

Politika e Kremlinit është shumë pragmatike: duke ditur që partnerët e Turqisë në NATO, janë të prirur ta mbajnë atë në aleancën, dhe vetë Ankaraja ka shumë interes të qëndrojë brenda, synimi i Putin mbetet afrimi gjithnjë e më shumë i Erdoganit me Rusinë, përmes një rrjeti të gjerë përfitimesh reciproke, investimesh në fushën e mbrojtjes, energjisë, tregtisë dhe financave.

Duke e bërë këtë, Putini forcon pozitat e vetes si një president në luftë, dhe forcon hapur pozicionin e Erdoganit në zgjedhjet e ardhshme. Më shumë se sa braktisjen nga presidenti turk të partnerëve të tij tradicionalë perëndimorë, bota është dëshmitare sesi presidentit rus po e përdor Turqinë për përfitimet e tij.

Back to top button