MagazineMAIN

Statuja e Dianës, dhe tensioni midis monarkisë britanike publike dhe private

Nga Sean Lang

“The Conversation”

Një statujë u ngrit, një tjetër u rrëzua. Kur djemtë e Dianës së ndjerë, Princeshës së Uellsit, u bënë bashkë në Pallatin Kensington javën e kaluar për zbulimin e statujës që kishin porositur për të përkujtuar ditëlindjen e 60-të të nënës së tyre, një turmë në Kanada u mblodh për të përmbysur një statujë të gjyshes së tyre, Mbretëreshës Elizabeta II.

Protesta e kanadezëve ishte kundër lidhjeve post-koloniale me Britaninë e Madhe, pas zbulimit më të fundit të eshtrave të fëmijëve që vdiqën në shkollat e ngritura enkas për çrrënjosjen e gjuhës dhe kulturës autoktone, e fundit e së cilave u mbyll në vitet 1990. Ndërkohë përurimi i përmendores së Dianës, ishte një çështje private, dhe në të morën pjesë vetëm anëtarët e familjes Spenser. Por për Dianën nuk ka qenë asgjë private që kur emri i saj u lidh për herë të parë me Princin Çarls në vitin 1980.

Sapo u zbulua statuja, aty nisën të mbërrinin fansat e saj. Disa prej tyre ishin mjaftueshëm të moshuar për të mbajtur mend takimet e tyre me princeshën, ndërsa të tjerët e njihnin vetëm si një personazh historik.

Ata me siguri nuk shkuan aty për të admiruar estetikën e veprës artistike, por për të reflektuar mbi vetë Dianën, mbi atë “grua të fuqishme”, atë “person i bukur”, dhe “një nënë të mrekullueshme”, siç e përshkruan të intervistuarit për Sky News.

Njëri prej tyre citoi në mënyrë të pashmangshme përshkrimin e Dianës për veten e saj si “mbretëresha e zemrave të njerëzve”.Kanë kaluar 40 vjet nga dasma e saj, dhe 24 nga vdekja, por prapëseprapë ajo tërheq si turmat e njerëzve ashtu edhe tituj kryesorë në media. Pse?

Një grua me shumë role

Një pjesë e arsyes, qëndron në narrativën gjithnjë e në ndryshim që është endur rreth saj. Në fillim romanca si në përralla, pastaj princesha popullore, viktima e vetmuar, gruaja që u trajtua në mënyrë të padrejtë. Dhe së fundmi si shenjtorja martire – një imazh i krijuar nga zbulimet e fundit rreth mënyrës se si ajo u mashtrua në intervistën e saj të famshme dhënë për BBC në vitin 1995 me gazetarin Martin Bashir.

Por domethënia e vërtetë e kultit të saj të kujtesës, qëndron tek marrëdhëniet e saj me gruan tjetër mbretërore, të cilën ajo mësoi ta quante “mama”, dhe statuja e së cilës u rrëzua në të njëjtën kohë kur u zbulua ajo e Dianës:Elizabeta II.

Në varrimin e Dianës, Mbretëresha bëri diçka, domethënia e plotë e së cilës mund të mos ketë qenë e dukshme për miliona njerëz që e panë atë:ajo uli kokën para arkivolit të saj. Zakonisht monarkët nuk përkulen para nënshtetasve të tyre, madje edhe atyre që kanë vdekur.

Ta bësh këtë do të thotë të rrënosh vetë bazën e monarkisë, “hyjninë që mbron një mbret”, siç shprehet Shekspiri.

Ajo mund të ishte dukur si një formë e abdikimit, përveç se Mbretëresha nuk po përkulej vërtet para Dianës, por ndaj asaj që ajo ishte bërë:një fokus i fuqishëm i besimit publik, duke evokuar një lloj shpërthimi emocional që zakonisht shoqërohet me tubime ungjillore.

Simbolet e pushtetit

Në një monarki, simbolet janë gjithçka: Ato kanë të bëjnë me autoritetin dhe fuqinë ose nuk janë asgjë, gjë që natyrisht është arsyeja pse përmbysja e statujave mbretërore mund të jetë një akt që u fal njerëzve kaq shumë kënaqësi.

Në statujën e saj, Diana shfaqet e rrethuar nga fëmijët, në një pozë që të kujton çuditërisht fotot e para martesës së saj gjatë punës si një ndihmëse në një kopsht fëmijësh. Ajo nuk ka kurora ose diademë, nuk ka petkat mbretërore, madje as edhe një çantë dore.

Është një simbol i ndjeshmërisë, ndjenjës dhe dashurisë. Është e vështirë të imagjinohet kjo statujë si Shën Mëria e përmbysur (edhe pse vetëm për arsye estetike, disa mund të mendojnë se është një ide e mirë). Sidoqoftë, edhe në mesin e admiruesve, pati kritika.

Siç u shpreh një vizitor, në vend të 3 fëmijëve anonimë përreth saj, do të ishte mirë të ishin vendosur djemtë e saj. Ndikimi që ka pasur pas vdekjes Diana mbi monarkinë britanike ka qenë i madh, por trashëgimia që ajo la pas, qëndron tek marrëdhëniet e acaruara midis 2 djemve të saj.

Ata që e shohin Dianën kryesisht si një viktimë, tërhiqen në mënyrë të pashmangshme nga Herri, princi shumë i trazuar shpirtërisht, që më në fund gjeti lumturinë në një martesë të papritur, por që solli ndarjen e tij nga familja mbretërore.

Ata që e shohin Dianën kryesisht si një grua që u përpoq në mënyrën e saj t’u shërbente të tjerëve do t’i shohin këto karakteristika tek Uilliam, djali besnik i familjes mbretërore. Statuja e nënës së tyre i bëri bashkë por jo për shumë kohë:Herri u rikthye në SHBA që të nesërmen.

Diana donte të ishte e dashur nga njerëzit- dhe të qenit e dashur mund të vijë me kurorën, por afeksioni i publikut mund të jetë i paqëndrueshëm, siç e di shumë mirë edhe Mbretëresha. Statujat e monarkëve mund të rrëzohen dhe fotot e tyre të hiqen nga muret e sallave të universiteteve.

Kjo është ndoshta një shenjë se simbolika e monarkisë ka ende rëndësi. Kulti i Dianës, siç po bartet nga Herri dhe Megan, do të vazhdojë pa dyshim të sundojë në zemrat e njerëzve. Por monarkia, siç përfaqësohet nga Uilliam dhe familja e tij, do të sundojë akoma në kokën e tyre, madje edhe me koston e rrëzimit të herëpashershëm të përmendoreve të tyre. / bota.al

Back to top button
Close
Close