Magazine

Temperaturat e ulëta kanë një efekt misterioz në rritjen e jetëgjatësisë

Temperaturat më të ulëta mund të mos ju ngrohin zemrën, por mund t’iu garantojnë një jetë më të gjatë. Studimet e mëparshme kanë propozuar disa arsye që mund të qëndrojnë pas kësaj dukurie intriguese. Por së fundmi shkencëtarët nga Universiteti i Këlnit në Gjermani kanë kryer disa eksperimente mbi krimbat, duke identifikuar një arsye tjetër të mundshme:i ftohtinxit një proces, përmes të cilit largohen nga qelizat proteinat e dëmtuara.

Disa sëmundje neurodegjenerative që mund të përhapen teksa plakemi – duke përfshirë Alzheimerin dhe Parkinsonin – janë të lidhura me grumbullimin e proteinave të këqija, ndaj  zbulimi se si temperatura ndikon në këtë proces, është një hap i rëndësishëm përpara në drejtim të gjetjes së mënyrave për të ngadalësuar apo madje edhe ndaluar këtë përkeqësim.

Ndërsa qëndrimi ulur në të ftohtë, nuk ka gjasa të jetë së shpejti një opsion terapeutik, të kuptuarit e funksionimit të proceseve që nxitin temperaturat e ulëta, mund të na ndihmojë që t’i përsërisim ato përmes përdorimit të trajtimeve të synuara.

“Temperaturat ekstremisht të ulëta janë të dëmshme. Por një ulje e moderuar e temperaturës së trupit, mund të ketë efekte të dobishme për organizmin. Edhe pse efektet mbi jetëgjatësinë nga temperatura e ulët u raportuan që më shumë se një shekull më parë, dihet pak se si temperatura e ftohtë ndikon në jetëgjatësinë dhe shëndetin e njeriut”-shkruajnë studiuesit në punimin e tyre të sapobotuar në “Nature Aging”.

Ata kryen teste mbi krimbin Caenorhabditis elegans dhe tek qelizat e kultivuara njerëzore në laborator, duke zbuluar se temperaturat më të ulëta çuan në heqjen e grumbujve të proteinave që grumbullohen në modelet e kafshëve dhe qelizave të sklerozës anësore amiotrofike (ALS) dhe sëmundjes së Hantingtonit.

Kjo ndodhi përmes strukturave të quajtura proteazoma, të cilat shpërbëjnë mbetjet e proteinave, dhe në veçanti tek versioni i krimbave të aktivizuesit të proteazomësPA28γ/PSME3 që gjendet tek njerëzit. Mjaftoi vetëm një rënie e moderuar e temperaturës, që aktivizuesi të niste të punonte dhe të pastronte akumulimin e proteinave potencialisht të rrezikshme.

Po ashtu, ekipi zbuloi se një inxhinieri gjenetike e zgjuar, mund të nxisë aktivitetin e proteazomës, duke arritur të njëjtin rezultat pa ulje temperaturash. Kjo gjë e rrit mundësinë e trajtimeve që mund t’i mbajnë këta aktivizues në punë, pavarësisht nga temperatura e trupit.

“Të marra së bashku, këto rezultate tregojnë se si gjatë rrjedhës së evolucionit, i ftohti ka ruajtur ndikimin e tij në rregullimin e proteazomës, gjë që mund të ketë ndikim tek trajtimet terapeutike për plakjen dhe sëmundjet që lidhen me të“- thotë biologu Dejvid Vilçez nga Universiteti i Këlnit në Gjermani.

Ky është një zbulim emocionues. Shumëkush mund të mos e dijë por C.elegans ka shumë të përbashkëta me njerëzit, përfshirë mënyrën se si proteinat mund të grumbullohen së bashku (ky krimb përdoret shpeshherë në kërkime, pasi ne ndajmë disa ngjashmëri të rëndësishme gjenetike).

Sigurisht, ka ende shumë për të zbuluar në lidhje me marrëdhënien midis temperaturave më të ulëta dhe plakjes. Temperatura mesatare e brendshme e trupit të njeriut ka qenë në rënie të vazhdueshme gjatë dekadave, gjë që mund të ketë ndikuar në rritjen e jetëgjatësisë tonë.

Duke analizuar më nga afër se çfarë qëndron në themelin e kësaj marrëdhënieje, studiuesit shpresojnë që aktivizuesi i proteazomës PA28γ/PSME3, mund të jetë një rrugë drejt garantimit të një plakjeje më të shëndetshme. / bota.al

Back to top button