Analiza

20 gjëra që duhet të dini, për të kuptuar ç’po ndodh në Ukrainë

20 gjera qe duhet te diniWalter G. Moss

Me Ukrainën dhe Rusinë kaq shumë nëpër lajme, një përmbledhje e shkurtër historike e marrëdhënieve të tyre duket me vend. Shpesh ukrainasit dhe rusët i interpretojnë marrëdhëniet e tyre në mënyra të ndryshme, bile dhe shqiptimi i emrave (për shembull, Kiev apo Kyiv) mund të jetë konfliktual. Për hir të thjeshtimit dhe pa mungesë respekti ndaj ukrainasve, unë do të përdor shqiptimet e përdorura tradicionalisht nga historianët e Rusisë. Historia e territorit ukrainas është jashtëzakonisht komplekse dhe përfshin jo vetëm ukrainasit etnikë, por edhe të tjerë si puna e popullit hebre. Megjithatë, fokusi këtu është mbi sfondin e marrëdhënieve ruso-ukrainase.

  1. Në shekullin e Nëntë, një federatë e re sllavojugore e quajtur Rus formohet, nga e cila do të dalin eventualisht rusët, ukrainasit dhe bjellorusët. Vikingët skandinavë “ofrojnë” për të disa prej princave të hershëm dhe nga viti 900 Kievi është kryeqyteti i saj.
  2. 1054, ndarja e madhe midis kristianëve lindorë (ortodoksë) dhe kristianëve perëndimorë.
  3. 1237 – 1241, Mongolët pushtojnë Rusin.
  4. Nga viti 1380, Lituania dhe Polonia kanë aneksuar shumicën e pjesëve bjelloruse dhe ukrainase të Rusit të lashtë. Shekujt e kontrollit katolik mbi këta dy popuj sllavë do t’i diferencojnë gjithnjë e më shumë nga rusët ortodoksë, të cilët vihen nën kontrollin e Moskës. Gradualisht fillon të çlirohet nga “zgjedha mongole” mbi territoret e vjetra të Rusit.
  5. 1533 – 1689, Rusia zgjerohet nga perëndimi, duke luftuar për të marrë troje bjelloruse dhe ukrainase, dhe nga lindja në Siberi, duke e rritur me pesëfish madhësinë e Rusisë. Shumë luftëra me Komonuelthin Polako – Ukrainas (PLC, zyrtarisht në vitin 1569).
  6. 1654, me Traktatin e Pereiaslavlit, kozakët ukrinas dhe ukrainas të tjerë në më shumë se 100 qytete i ofrojnë besnikërinë Carit rus, i cili premton të respektojë të drejtat tradicionale ukrainase. Nis Lufta 13-Vjeçare midis Rusisë dhe Komonuelthit Polako – Ukrainas.
  7. Me traktatin e vitit 1667, Komonuelthi Polako – Ukrainas humbet disa pjesë të Ukrainës, përfshi Kievin, në favor të Rusisë.
  8. 1772 – 1795, Rusia, Prusia dhe Austria ndajnë PLC-në (në tri raste të veçanta) dhe ai pushon kështu së ekzistuari. Nën Katerinën e Madhe, Rusia siguroi pjesën më të madhe të tij, pak më shumë se tri të pestat e territoreve të Komonuelthit Polako – Ukrainas. Bjellorusët dhe ukrainasit përbëjnë rreth 40 përqind të popullsisë së territorit të saposhtuar. Megjithatë, shumë ukrainas perëndimorë (për shembull, në Lvov), bëhen pjesë e Perandorisë Austriake. Në të njëjtën periudhë Rusia fiton territore të reja nga Turqia, përfshi Krimenë, e cila eventualisht do të bëhet pjesë e Ukrainës. Kohët e fundit, në një konferencë për shtyp, Vladimir Putini u referohet këtyre pushtimeve nga Turqia si pjesë e Novorossiyas, një zonë, tha ai, që nuk ishte pjesë e Ukrainës në kohërat cariste, por “që i është dhënë Ukrainës në vitet Njëzetë të shekullit të kaluar nga qeveria sovjetike. Pse? Kush e di!”.
  9. 1847, arrestohet një grup i vogël nacionalistësh ukrainas, përfshi poetin dhe hartuesin e një gjuhe letrare ukrainase, Taras Shevchenko. “Krimi” i tyre: pjesëmarrje në një organizatë që propozonte të punonte për krijimin e një federate sllave, në të cilën kombësi të tilla si ukrainasit do të kishin qeveritë e tyre autonome kombëtare.
  10. 1863, qeveria ruse ndalon botimet arsimore, shkollore dhe fetare në gjuhën ukrainase.
  11. 1876, qeveria ruse ndalon gjuhën ukrainase që të flitet nëpër skena, apo nga mësuesit nëpër klasa, në çdo botim të ri apo në bibliotekat shkollore.
  12. 1914 – 1922, Lufta e Parë Botërore, Revolucioni Komunist, lufta civile ruse dhe lufta ruso – polake e vitit 1920. Këto ngjarje sigurojnë shpresë dhe orvatje nga ana e nacionalistëve ukrainas për të krijuar shtetin e tyre të pavarur, por në vitin 1921 krijohet Republika Socialiste Sovjetike e Ukrainës dhe në 1922 ajo bëhet pjesë e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Pjesë të Ukrainës perëndimore, si për shembull Lvovi, bëhet pjesë e shtetit polak të rikrijuar në vitin 1918.
  13. 1921 – 1923, zi buke në Rusi dhe në Ukrainë.
  14. 1931 – 1933, zi buke në Ukrainë dhe pjesë të tjera të Bashkimit Sovjetik. Miliona vdesin në Ukrainë. Shumë historianë ukrainas i referohen kësaj si “terrori i zisë së bukës”, zi buke – genocide apo Holodomor (një term unik që thekson vdekjen nga uria masive ukrainase e atyre viteve) dhe besojnë se ajo rezultoi pothuajse tërësisht nga politikat e kolektivizimit bujqësor të Stalinit dhe armiqësia ndaj ukrainasve.
  15. 1939 – 1953, Lufta e Dytë Botërore deri në vdekjen e Stalinit. Bashkimi Sovjetik fillimisht siguron territor ukrainas, përfshi Lvovin, si rezultat i paktit nazisto – sovjetik të vitit 1939, por pas sulmit nazist në vitin 1941, Ukraina pushtohet nga trupat gjermane, deri kur janë përzënë nga trupat sovjetike në vitet e fundit të luftës. Rreth 6 milion ukrainas u vranë, përfshi rreth 1.5 milion hebrenj. Si rezultat i marrëveshjeve të pasluftës, Bashkimi Sovjetik siguroi zona shtesë perëndimore ukrainase. Rezistencë guerrile ndaj sundimit sovjetik në Ukrainën perëndimore deri në mesin e viteve Pesëdhjetë.
  16. 1954, lideri sovjetik Nikita Hrushov e transferon Krimenë në kontrollin ukrainas, por përderisa i gjithë Bashkimi Sovjetik në atë kohë ishte nën drejtimin e fortë të Partisë Komuniste, ky transferim, nuk u duk me ndonjë peshë në atë kohë.
  17. 1991, kolapsi i Bashkimit Sovjetik. Ukraina dhe Rusia bëhen shtete të pavarura.
  18. 1995, marrëveshja ruso – ukrainase lidhur me Flotën e Detit të Zi; Rusia lejohet që të vazhdojë të përdorë bazën detare krimease të Sevastopulit.
  19. 2013 – 2014, Presidenti ukrainias Viktor Janukoviç bën prapaktheu ndaj lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Europian, por protestat në Kiev çojnë në rrëzimin e tij në shkurt të 2014. Prej kohësh i preokupuar me influencën perëndimore në rritje në ish pjesët e Bashkimit Sovjetik, Putin pretendon se Perëndimi ishte prapa rrëzimit nga pushteti të Janukoviçit.
  20. Mars 2014, pas një votimi krimeas për shkëputje, Krimeja aneksohet nga Rusia, një hap që inkurajon separatistët e tjerë në Ukrainën Lindore.

Walter G. Moss është Professor Emeritus i Historisë në Eastern Michigan University. Ai është autor i librit “A History of Russia, Vol. I and Vol II”.

Përgatiti për bota.al:

ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button