HistoriSpeciale

AXUM, ngjitja dhe rënia e një perandorie misterioze, djepi qytetërimit dhe vendi i ruajtjes së Arkës së Aleancës

Thesaret dhe rënia misterioze e mbretërisë afrikane, djepi qytetërimit dhe vendi i ruajtjes së Arkës së Aleancës. Pasardhësit e legjendares Saba, bashkë me qytetërime të tjerë, u zhvilluan përreth Axumit, një qytet kozmopolitan, ku fliteshin të gjithë gjuhet dhe tregtohej çdo lloj malli. Sipas Besimit Etiopian, më pas, kisha e Shën Marisë së Sionit në Axum do të ruante në brendësi të saj një simbol tjetër të rëndësishëm: Arkën e Aleancës, ose shtëpinë e ndërtuar nga Moisiu, sipas traditës, për të ruajtur Tabelat e Ligjit me dhjetë urdhëresat

Screen Shot 2015-06-21 at 11.31.31

Etiopia ka një histori shumë më të pasur dhe të lashtë. Dhe pikërisht Haile Selassie, me rolin e tij të dyfishtë prej udhëheqësi politik e shpirtëror, që mishëronte ëndrrën e pavarësisë afrikane dhe atë të njohjes si hyjni në brendësi të besimit rastafari, nuk ishte veçse përfaqësuesi më i vonë i një qytetërimi, i cili ka ditur të dominojë një zonë shumë të bukur, si dhe të ndërtojë një pikë të rëndësishme referimi fetar.

Thesare dhe tregti
Diku rreth mijëvjeçarit të III Para Krishtit, analet e dinastisë së parë egjiptiane fillojnë të flasin për tokën mitike të Puntit, ose zona që konsiderohet të korrespondojë pak a shumë me Etiopinë e sotme, e pasur me kafshë ekzotike dhe pasuri të paçmueshme, nga të cilat si pasojë filluan të importoheshin flori, fildish, temjan, abanoz, pupla struci, kafshë të egra, specie të jashtëzakonshme, e madje edhe skllevër. Pikërisht pozicioni i favorshëm ndaj tregtisë me origjinë nga India, si dhe nga Lindja e largët drejt Egjiptit dhe vendeve përballë Mesdheut, bëri që të zhvillohej përmes gadishullit Arabik, Bririt të Afrikës dhe Detit të Kuq një shteg paralel, dhe më pak i vënë re, i rrugës më të famshme të Temjanit, i cili nxiti edhe vendosjen e popullsive të ndryshme. Kështu fiseve Habashat – (nga të cilët do të buronte termi Abisini), të lindur nga shkrirja e grupeve arabo-jugore me gjuhë semitike dhe nga autoktonët (Kushiti) – iu bashkuan rreth shekujve V-IV para Krishtit, disa përfaqësues të një qytetërimi tjetër të rëndësishëm, Sabaeitët. Bëhet fjalë për pasardhës të mbretëreshës legjendare të Saba-s, që ndërkohë kishin populluar Jemenin, dhe që falë dijeve të tyre të jashtëzakonshme hidraulike – dëshmi e të cilave janë sot mbetjet e digës së Maribi-it, më e rëndësishmja e lashtësisë – bënë që të lulëzonte shkretëtira.

Pllajë e gjelbër
Për kompletimin e një kuadri që ofronte të gjitha kushtet për lindjen e një civilizimi të madh, siç ishte ai i mbretërisë së Axum (ose Aksum, sipas një grafike tjetër), kontribuan tokat vullkanike dhe shirat, që të shfrytëzuar në mënyrë efikase, garantuan zhvillimin e një bujqësie prodhuese. “Ndërtesat e mëdha, varret, skulpturat dhe altaret, bazorelievët me shije të hollë në gur, artefaktet në metale dhe përdorimi i shkrimit, tregojnë që një shoqëri komplekse, e organizuar në një shtet, ishte e konsoliduar në pllajë, tashmë në shekullin e III para Krishtit”, shpjegon studiuesi i historisë afrikane, John Reader, në librin e tij “Afrika”. “Dhe ekzistonte pothuaj një shtresëzim hierarkik, sepse disa mbishkrime flasin për sovranë që mbretëronin mbi grupe nënshtetasish të emërtuar “të kuq” e të “zinj”: mundet të besohet që popullsia të ishte ndofta e ndarë në bazë të kritereve racore”. Mbretëria u zhvillua përqark Axumit, qytet kozmopolitan, në të cilën fliteshin të gjitha gjuhët dhe gjendej çdo lloj malli (nga majmunët tek xhamat, nga veshjet me vlerë, tek vera dh vaji i ullirit), të rritur në lartësi mbi 2000m mbi nivelin e detit, midis maleve vullkanike të Tigrit, në kufirin me Sudanin.

Axumi arriti kulmin pak më shumë se 2000 vite të shkuara, ndërkohë që Egjipti i Ptolemeut rrënohej. Në shekujt që pasuan, dominimi i tij u përhap në Egjiptin Jugor, Sudanin, Etiopinë, Eritrean, Somalinë dhe Gibutin aktual, duke prekur në një pikë të caktuar edhe Jemenin, si dhe Jugun e Arabisë Saudite. Ishte hera e parë që një mbretëri nënsahariane arrinte zgjerim të tillë në Afrikën Lindore, saqë në shekullin e III pas Krishtit, teologu Mani, themelues i besimit Manicheas, e vendosi sipas rëndësisë, në të njëjtin nivel me Perandorinë romake, atë persiane dhe atë kineze.

Screen Shot 2015-06-21 at 11.31.48
Shira dhe besime fetare

“Në periudhën nga shekulli i I-rë tek shekulli i IV pas Krishtit, në zonë u vendos një klimë më e lagësht”,- shpjegon Reader. “Musonet, përgjegjës të shirave të mëdhenj në Afrikën Lindore u zhvendosën më shumë në veri, duke rënë në pllajë. Në Axum, stina e shirave filloi të shfaqej në Prill ose Maj, në vend të Korrikut”. Ky ndryshim, që zgjati me shekuj, bëri të rriteshin pyje që ushqenin aktivitete ndërtimore dhe artizanale.

Ishte në këtë pllajë të lartë të gjelbëruar, që u gjend për të predikuar siriani Frumenzi, i cili më pas u bë peshkopi i Axumit. Falë tij, në vitin 325, mbreti Ezana u konvertua në kristianizëm, duke i dhënë jetë Kishës Kristiane ortodokse etiopiane, që u bë shpejt Feja e Shtetit. Flitej për një variant të kristianizmit kopt (ai egjiptian) e monofisit. Axumi ishte vendi i parë ku simboli i kryqit, në fillim një kryq grek i mbyllur në një rreth, u shfaq në monedha dhe në qafën e çdo besimtari, për aktin e pagëzimit. Arka e padukshme

Sipas Besimit Etiopian, më pas, kisha e Shën Marisë së Sionit në Axum do të ruante në brendësi të saj një simbol tjetër të rëndësishëm: Arkën e Aleancës, ose shtëpinë e ndërtuar nga Moisiu, sipas traditës, për të ruajtur Tabelat e Ligjit me dhjetë urdhëresat, fillimisht e strehuar në tempullin e Jeruzalemit, pas arratisjes në shkretëtirë të popullit izraelit. Si ka mbërritur në Axum?
Edhe një herë tjetër është nevoja të kthehesh tek mbretëresha e Saba-s, mijëra vite para Krishtit: Bibla, Talmudi (libër i ligjeve civile e ceremonialeve), Kurani dhe Kebra Nagasti (teksti i shenjtë i besimit etiopian), bien dakort në rrëfimin, që sovrania e pasur dhe e fuqishme vendosi t’i bënte vizitë Solomonit, mbretit të Izraelit, i cili u dashurua me mikeshën e bukur, dhe nisi t’i vardiset me një mjeshtëri, të denjë për një Kazanovë të mirë. Nga bashkimi i tyre lindi Meneliku, themelues i shtëpisë mbretërore Etiopiane. Ishte Meneliku që e solli Arkën në Etiopi, disa thonë duke e grabitur pas një vizite në Jeruzalem, të tjerë thonë se e mori si dhuratë nga i ati. Qysh atëherë Saba-të, nga paganë politeistë, do të ktheheshin në monoteistë çifutë. E vetmja e dhënë e pakundërshtueshme është fakti që, prej atëherë, askush nuk ia ka dalë të shikojë Arkën, e cila është mbajtur madje larg prej syve edhe të vetë klerit. Por për besimtarët nuk përbën një problem: çdo kishë zotëron një kopje, të sjellë në procesionin solemn në ditën e Timkatit, Epifania ortodokse Etiope.

Screen Shot 2015-06-21 at 11.31.40

Kriza
Megjithë kristianizmin e vet të rrënjosur, Axumi vendosi marrëdhënie të mira edhe me shtetin Islamik që po lindte. Sipas historianit arab Ibn Hisham, me kërkesë të Muhamedit, që ishte edukuar nga një etiopian, mbreti kristian Armahu strehoi në vitin 615, duke i shpëtuar nga persekutimet, një grup myslimanësh, midis të cilëve bijën e profetit dhe dhëndrin, Kalifin e tretë të ardhshëm. Qysh atëherë, Muhamedi, mirënjohës, urdhëroi që asnjë mysliman, për asnjë arsye nuk duhej të ofendonte asnjë etiopian, dhe kështu ndodhi. Megjithatë, ishte pikërisht ekspansioni i Islamit, që i dha një goditje të rëndësishme në fund mbretërisë së Axumit, duke i prerë shtigjet tregtare dhe duke e izoluar nga shtetet e tjera kristiane. Elementi tjetër vendimtar, ishte ndryshimi i kushteve klimatike, të cilat kishin favorizuar suksesin. “Shpyllëzimi ishte çuar përpara për shekuj të tërë, për të prodhuar dru, qymyr dhe për të ndërtuar ndërtesa. Në fund, terreni ishte zhveshur dhe ekspozuar ndaj erozionit”, shpjegon Reader. Midis shekujve VI e VII, Axumi, i tradhëtuar nga musonet, nuk ishte më në gjendje të mbante vetë popullsinë. Pushteti i centralizuar u përmbys. “Rreth vitit 800, qyteti kishte ndaluar së ekzistuari”, konkludon historiani. Jo vetëm kaq. E njëjta morfologji malore që kishte mbrojtur kufijtë nga pushtimet e mundshme, përfundoi duke e izoluar nga pjesa tjetër e botës. Goditjen përfundimtare, një perandorie më shumë se një mijëvjeçare, ia dha rreth vitit 950 mbretëresha fanatike hebreje, Yudita.

Ringjallje e krenarisë
Në shekullin e XIII, trashëgimtarët e mbijetuar të këtij qytetërimi u transferuan në tokat e virgjëra të Etiopisë Qëndrore, ku do të lindte Etiopia moderne. Kryeqyteti i lashtë i rrafshnaltës, u transformua në një fshat të humbur bujqësor malor, i vështirë për t’u arritur, por mbeti një simbol i autoritetit shtetëror dhe fetar, për të mos thënë si vendi më i shenjtë i Etiopisë.
Qysh atëherë, vetëm Haile Selassie, i njohur edhe si Ras Tafari, ka provuar t’ia rikthejë këtij kombi vëmendjen historike, caktimin e statusit gjysmë mesianik të rikthimit të madh të të dëbuarve zezakë në Amerikë, edhe duke e modernizuar pjesërisht. Rezultati, megjithatë, në fund të qeverisjes së tij, të rrëzuar në vitin 1974 nga një revolucion ushtarak, i cili ndau fenë nga shteti, ka qënë një vend i ndarë dhe i pasur me konflikte, që akoma sot nuk ia del të ringrihet mbi kontradiktat.  / 
HT – Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button