Horizonti.alMAIN

Inteligjenca Artificiale, si po na ndryshon mënyrën si mendojmë

Revista prestigjioze shkencore Nature sapo ka publikuar një artikull me titull “Rasti i ndërveprimit njeri-Inteligjencë Artificiale (IA),  Sistem 0 i Mendimit”. Autori, së bashku me një ekip studiuesish (Marianna Ganapini, Enrico Panai, Mario Ubiali), janë ndër autorët që trajtojnë temën komplekse të marrëdhënies njeri-IA, duke përdorur një këndvështrim multidisiplinar.

Artikulli propozon një teori të re, se si inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si ne mendojmë dhe marrim vendime. Ndërveprimi midis njerëzve dhe sistemeve të avancuara të IA po krijon një sistem të ri konjitiv, të cilin po e quajmë “Sistemi 0”.

Për të kuptuar konceptin e Sistemit 0 është e dobishme të bëjmë një hap prapa dhe të kujtojmë teorinë e dy sistemeve të mendimit të propozuar nga fituesi i çmimit Nobel, Daniel Kahneman. Sipas Kahneman, njerëzit përdorin dy sisteme të ndryshme njohëse për të marrë vendime dhe për t’u përballur me problemet: Sistemi 1, i karakterizuar nga të menduarit e shpejtë, intuitiv dhe automatik, dhe Sistemi 2, i cili përfaqëson të menduarit më të ngadaltë, analitik dhe të reflektuar.

Sistemi 0 i referohet aftësisë së IA për të kryer detyra komplekse njohëse në mënyrë autonome dhe të pavarur nga mendja jonë biologjike. Këto detyra përfshijnë menaxhimin e sasive të mëdha të të dhënave, përpunimin e informacionit dhe marrjen e vendimeve ose sugjerimeve algoritmike.

Megjithatë, ndryshe nga Sistemi 1 dhe Sistemi 2 që janë “prej mishi e gjaku”, Sistemi 0 është i jashtëm për trupin tonë, është inorganik dhe nuk ka aftësi të brendshme për t’i dhënë kuptim informacionit që përpunon. Kjo do të thotë që IA mund të analizojë dhe gjenerojë përgjigje pa kuptuar në të vërtetë përmbajtjen me të cilën punon, duke i lënë njerëzit me detyrën e interpretimit dhe atribuimit të kuptimit të rezultateve të marra.

Ky nivel ndërveprimi midis njeriut dhe IA shihet si një themel mbi të cilin bazohet të menduarit intuitiv (Sistemi 1) dhe ai analitik (Sistemi 2). Me fjalë të tjera, Sistemi 0 u ofron njerëzve mbështetje njohëse që përgatit informacionin në mënyrë më efikase, por megjithatë kërkon ndërhyrjen njerëzore për interpretim dhe vendim final.

Imagjinoni të keni një asistent të padukshëm që vazhdimisht filtron, organizon dhe prezanton informacionin për ta bërë më të lehtë për t’u kuptuar dhe përdorur. Ky asistent jo vetëm që ofron të dhëna, por i përpunon ato paraprakisht bazuar në preferencat dhe nevojat tona. Megjithatë, ne jemi ata që duhet të marrim përfundimisht vendim. Rreziku është se mos pranojmë në mënyrë pasive rezultatet e prodhuara nga IA, pa i vënë në dyshim ato, duke çuar kështu në një gërryerje të aftësive tona të arsyetimit personal.

Një çështje tjetër ka të bëjë me transparencën dhe besimin: si mund të jemi të sigurt që sistemet e IA janë të besueshme, pa paragjykime dhe në gjendje të ofrojnë informacion të saktë? Deri më sot, nuk kemi siguri, për më tepër, integrimi në rritje i të dhënave sintetike (jo të mbledhura drejtpërdrejt nga realiteti) rrezikon të ndryshojë perceptimin dhe të kuptuarit tonë për botën. Kjo mund të ndikojë negativisht në proceset e vendimmarrjes, veçanërisht në kontekste ku saktësia e informacionit është thelbësore. / bota.al

Back to top button