Ekonomi

Kafshimi i “Mollës” nga Europa, një moment vendimtar. As edhe kompania më e madhe në botë, nuk është mbi ligjin

Screen Shot 2016-08-31 at 14.05.02

ANNELIESE DODDS

“Apple” është një kompani e cila pëlqen të bëjë gjëra në shkallë të madhe. Në vitin 2014, ajo prodhoi smartphone-n më të shitur në botë. Në fund të vitit pasardhës, regjistroi fitimet më të larta tremujore në histori. Aktualisht është kompania më e madhe në botë.

Tani ka thyer një tjetër rekord – por për arsyet e gabuara. Komisionerja e BE për Konkurrencën, Margrethe Vestager, ka deklaruar se Apple duhet të shlyejë një shumë prej 13 miliardë Eurosh në taksa të papaguara tek qeveria e Irlandës, në gjobën më të madhe ndaj ndihmës shtetërore, që është vënë në histori.

Në krahasim me këtë, gjobat e mëparshme që janë vënë për prodhuesin italian të makinave, FIAT, kompaninë belge të birrës AB InBev, gjigandin gjerman të industrisë kimike BASF dhe shumëkombëshen amerikane Starbucks, të duken shumë të vogla. Pothuaj mund të dëgjoje pasthirrma habie, në sallën ku Komisionerja Vestager e bëri lajmërimin.

Ajo që ka ndodhur është me të vërtetë tronditëse. Për 25 vjet me radhë, qeveria e Irlandës i ofroi Apple një marrëveshje ‘të ëmbël”. Sipas saj, gjigandi teknologjik ndërkombëtar ka paguar vetëm 0.005 përqind taksa për fitimet e saj në Europë, në vitin 2014. Edhe krahasuar me taksën e ulët mbi fitimin në Irlandë, prej 12.5 përqind, kjo është një shifër e pabesueshme.

Çfarë justifikimi mund të ketë për një qeveri, që të bashkëpunojnë me një shoqëri shumëkombëshe për të arritur këtë lloj marrëveshje? Kjo nënkupton se shteti irlandez ka hequr dorë nga miliarda Euro, të cilat mund të shpenzoheshin për shërbimet publike, investime në infrastrukturën e vendit, apo për të ulur tatimin mbi të ardhurat, për punëtorët e thjeshtë. I gjithë qëllimi i taksimit është që, ata që përfitojnë nga shërbimet e një vendi – nga rrugët, shkollat, spitalet, shërbimet e emergjencës – të kontribuojnë për mirëmbajtjen e këtyre shërbimeve. Si për të demonstruar se sa larg kanë shkuar disa vende, nga ky parim fillestar, qeveria irlandeze po përpiqet tani në mënyrë aktive, që të ndalojë Apple në shlyerjen e taksave që kompania i detyrohet.

Disa do të pretendojnë se një taksë kaq e ulët është “pro biznesit”, se ajo nxit inovacionin dhe investimet. Thuajani këtë kompanive të vogla rrishtare në teknologji, të cilat falimentojnë se nuk kanë qasje në firmat e mëdha të kontabilitetit, apo nuk kanë kontakte të brendshme me Thesarin e Irlandës, dhe si pasojë u duhet të paguajnë një më një, taksat që detyrohen, ndërkohë që rivalet e tyre shumëkombëshe e shohin taksën si një bezdi, e cila u ndodh të tjerëve. Nuk ka asgjë “pro biznesit” në këtë garë për taksimin. Ajo dëmton konkurrencën e ndershme dhe inovacionin, që të gjithë ne që jemi vërtetë pro biznesit, duam t’i shohim.

Vendimi kundër Irlandës dhe “Apple” është një moment vendimtar. Kompania më e madhe në botë, ka marrë si shuplakë gjobën më të madhe në botë, për shamngie të taksave. BE, që prin rrugën për drejtësinë e taksimit, ka treguar se askush nuk është kundër ligjit. Ky është absolutisht mesazhi i duhur që duhet dërguar, dhe qeveritë e BE si dhe kopanitë e mëdha shumëkombëshe (të të gjithë kombësive) nuk duhet të harxhojnë përpjekje dhe energji, duke sfiduar këtë dhe vendime të tjerë të marrë nga Komisionerja Vestager. Problemi nuk janë vendimet e saj, por kultura dhe praktikat që e detyruan t’i marrë ata vendime.

Në vend të ksaj, qeveritë dhe kompanitë duhet të lexojnë mirë humorin rretherrotull tyre. Njerëzve kudo në botë u ka ardhur në majë të hundës, me ligjin që është i detyrueshëm për ta, por që duket fakultativ për ata që kanë mjaftueshëm para për ta anashkaluar. Që zyrtarët e zgjedhur të ndihmojnë kompanitë më të mëdha në botë, për të shmangur përgjegjësinë e tyre që të kontribuojnë për shoqërinë gjatë kohëve të mira, kjo është tashmë joetike dhe e papranueshme. Por që ta bëjnë tani, kur ekonomia globale është e brishtë, dhe miliarda njerëz vuajnë, kjo është e turpshme.

Në vitin 1997, Apple na bëri thirrje të “Mendojmë Ndryshe”. Mendoj se është koha që ata – dhe politikanët që bashkëpunuan me ta – të dëgjojnë këshillën e tyre. /Newsweek – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button