Kinema & TV

Nga “House of Cards”, tek Rikardi III. Gjithçka nis nga etja për pushtet

kevin spacey“Ylli i vërtetë i House of Cards nuk jam unë, por është personazhi im, Frank Underwood, një njeri me ambicie politike dhe pa rregulla etike. Ylli i vërtetë është Uashingtoni, një vend i varfër për nga idealet në serialin tonë. Mendoj që ai qytet ka zënë vend mirë në botën e sotme, ku droga e vërtetë për të gjithë është mania e pushtetit dhe afirmimit personal”, thotë 53-vjeçari Kevin Spacey, për serialin televiziv ku është gjithnjë i mbështetur nga bashkëpunëtorja/bashkëshortja Clair (Robin Wright).

Autor i madh i kinemasë dhe teatrit, amerikan i dashuruar pas Londrës, ku në vitin 2015 do të përfundojë detyra e tij si drejtor artistik i Old Vic, më shumë se sa të flasë për intrigat e pushtetit të “House of Cards”, Spaceyt i pëlqen të bisedojë për versionin kinematografik të spektaklit “Rikardi III”, që me një sukses të pakushtëzuar të kritikës e ka sjellë në teatër, me regji të Sam Mendesit.

Elegant, dialektik, plot me kuriozitet, Spacey buzëqesh: “Le të themi që pa Shekspirin dhe Makiavelin, nuk do të ishte krijuar as seria televizive House of Cards”. Tekstet e tyre janë tmerrësisht shumë modernë, dhe përqëndrohen tek mania perverse e ngjitjes drejt suksesit personal dhe spektakolarizimin e pushtetit”.

Fitues i dy çmimeve “Oscar” (si aktor joprotagonist në filmin “The usual suspects” dhe “American Beauty”), Spacey pohon: “Teatri është i përjetshëm dhe, paradoksalisht, i shkurtër, i rrufeshëm: nuk mbetet asgjë nga ajo që jep një aktor, mbrëmje pas mbrëmjeje, në një spektakël. Me projektin “Now: In the wings on a world stage”, të drejtuar nga Jeremy Whelehan kemi dashur të dokumentojmë turneun e gjatë të Rikardit III. Uroj që secili telespektator të bëhet pjesëtar i kompanisë sonë teatrale, duke parë këtë film jonormal që ndjek ekipin tonë teksa bën xhiron e botës. Kush nuk do të shkojë në kinema, mund ta shkarkojë në kompjuterin e tij për 13 dollarë. Do të doja që për teatrin të ishte fillimi i një kërkese të madhe globale”.

Po cila punë ka qenë më impenjuese, ajo e politikanit të paskrupullt apo Rikardit III? “Nuk bëj dallim dhe jam krenar që jam eklektik në zgjedhjet e mia e nuk refuzoj aspak filma brilantë”.

Pak a shumë si Jack Lemmon, që atij i pëlqen ta kujtojë shpesh: “E vërtetë, Jack u mungon të gjithë aktorëve. Sidoqoftë, sot kinemaja ashtu si teatri është e pasur me talente. Jam një “komplotus” i skenës dhe i kinemasë, në kuptimin që jam gati për çfarëdolloj komploti të shëndetshëm, vetëm e vetëm që të nxjerr diçka të mirë në botën e spektaklit”.

Spacey nuk ka mbetur aspak i habitur nga suksesi që ka patur House of Cards tek publiku mashkullor dhe femëror: “Edhe në Britani, versioni origjinal i shkruajtur nga Michael Dobbs, këshilltar i Margaret Thatcherit, i atij që më pas do të bëhej burimi për serialin tonë, u kishte pëlqyer të gjithëve. Ndërsa në Amerikë, ka patur në fakt një fazë përgatitore me serialë që flisnin të gjithë për pushtetin në Uashington, si “Homeland”, “Scandal”, “Hostages”. Pa llogaritur që janë shkruajtur shumë libra për lobistët e këtij qyteti, një arenë, një qendër pushteti e përsosur për këto lloj punësh”.

Çfarë ka menduar tek interpretonte rolin e tij me kaq shumë kompllote politikë? “Ndiej një magjepsje, nuk po them simpati, absurde për cinizmin e personazhit tim, një manipulues, një gënjeshtar, një tradhëtar që sjell nota dramatike, vanitet, tension të madh dhe kërshëri nga një seri në tjetrën”.

A mendoni që Frank Underwood, ku lloj Jagoje, ky lloj Rikardi III i politikës, është një fitimtar? “Tek e sheh në veprim të kujtohen shumë personazhe si ai, përgjatë shekujve të hsitorisë. Nuk besoj se është fitues, por me siguri tregon shumë për politikën e djeshme dhe të sotme”.

Leave a Reply

Back to top button