Lamtumira e Cristiano Ronaldos po kthehet në një rrëmujë tragjike. Simpatia po shuhet

Cristiano Ronaldos

Nick Miller

Si gjithmonë kur bëhet fjalë për bëmat e Cristiano Ronaldos, secili beson atë që do të besojë.

A e publikoi javën e kaluar deklaratën e tij të pazakontë, ku shpjegonte pse ishte larguar nga grumbullimi i Portugalisë, sepse ndeshjet e kombëtares për këtë periudhë kishin përfunduar dhe ky ishte çasti i përshtatshëm për të thënë të vetën, pa ua shpërqendruar vëmendjen shokëve të skuadrës? Apo e bëri sepse e marta ishte mbrëmja kur Lionel Messi do të luante ndeshjen e lamtumirës me Argjentinën, në anën tjetër të botës?

Të dyja duken të besueshme.

Me 1.740 fjalë të shpërndara në 10 slajde në një postim në Instagram, Ronaldon nuk mund ta akuzosh se nuk i ka trajtuar gjërat hollësisht. Kjo është ajo sasi fjalësh që fillon t’i bëjë nervozë redaktorët e The Athletic kur e shohim në artikujt tanë.

E vërteta e Cristiano Ronaldos

Nuk do ta shqyrtojmë këtu deklaratën rresht për rresht, por, shkurtimisht, Ronaldo thotë se kishte rënë dakord me trajnerin e Portugalisë, Jorge Jesus, që sulmuesi 41-vjeçar të luante në ndeshjen e parë dhe në të fundit të kësaj periudhe me katër takime ndërkombëtare. Më pas, Jesus i kishte thënë se do të aktivizohej edhe për 30 minuta si zëvendësues në ndeshjen e dytë, përpara se të ndryshonte mendje dhe ta linte Ronaldon në nxemje e të gatshëm, por pa e futur në fushë. Pastaj, me sa duket, Jesus, Ronaldo dhe të tjerë brenda ekipit kishin rënë dakord për një shpjegim të situatës në tetë pika, të cilin trajneri do ta paraqiste përpara mediave. Por, kur erdhi çasti, ai devijoi nga kjo strategji. Sipas Ronaldos, këto ishin dy raste kur Jesus “nuk e mbajti fjalën”.

Më pas, ai i kërkon falje popullit portugez që u largua nga skuadra me aq zemërim dhe e mbyll me shpresën se në të ardhmen do të ketë të paktën një ndeshje lamtumire.

Mund të zgjidhni frazat tuaja të parapëlqyera, por për mua një nga kandidatet kryesore është ajo ku Ronaldo thotë se “vendosa të largohesha nga grumbullimi pa pritur një tjetër premtim të pambajtur”, si një bashkëshort i nëpërkëmbur që thjesht nuk mund të mbyllë më sytë përpara një tjetër tradhtie. Pastaj është edhe pika e gjashtë e shpjegimit për të cilin pretendohet se ishte rënë dakord me Jesusin, ku trajneri duhej të thoshte se “gabova që nxora në nxehje dikë të kalibrit të Peles apo Diego Maradonës dhe pastaj nuk e futa në lojë”. Çfarë poshtërimi!

Vlen të vërehet gjithashtu se mes 1.740 fjalëve të deklaratës nuk gjenden as “Jorge” dhe as “Jesus”. Ronaldo i referohet thjesht si “Trajneri” ose “Trajneri aktual”, njësoj si një mikeshë e imja që bashkëshortin, me të cilin është martuar prej 11 vjetësh, e quan “burri im aktual”, vetëm që ta mbajë pak në ankth. Mesazhi i Ronaldos duket se është: “Unë kam qenë këtu përpara teje, Jorge, dhe do të jem këtu edhe pasi ti të jesh larguar, nëse vazhdon kështu”.

Nuk mund ta dimë pse Jesus devijoi në konferencën e shtypit nga ajo që, sipas Ronaldos, ishte qëndrimi për të cilin kishin rënë dakord. Ku i dihet: ndoshta ndërkohë iu kujtua se kishte edhe ai pak respekt për veten?

Sigurisht, nuk e dimë as nëse Jesus do të pajtohej me versionin e Ronaldos për ngjarjet, pasi Federata Portugeze e Futbollit ende nuk ka komentuar. Ndoshta, siç u shpreh mbretëresha e ndjerë Elizabeta për përshkrimin që Princi Harry dhe Meghan Markle i bënë jetës në familjen mbretërore Windsor, “kujtimet mund të ndryshojnë nga njëri te tjetri”.

Leximi i deklaratës së Ronaldos ngjall disa reagime të menjëhershme. Njëri është: përse gjithë ky mundim? Përpara se të mendojmë për arritjet e tij të jashtëzakonshme, kemi të bëjmë me një burrë 41-vjeçar, me bashkëshorte dhe pesë fëmijë. Sigurisht, askujt nuk i pëlqen ta gënjejnë apo ta bëjnë të ndihet i mashtruar. Por, nga ana tjetër… piqu pak, o burrë!

A nuk do të kishte qenë më mirë, ose më dinjitoze, të mos thoshte asgjë? Ose ndoshta të bënte një deklaratë të shkurtër, që të përmbante vetëm pjesën ku thoshte: “Po, nuk duhej ta kisha bërë. Më falni”, pa gjithë të tjerat? Ronaldo ka çdo të drejtë të paraqesë versionin e vet të historisë, por lind pyetja nëse kjo deklaratë, pas largimit nga grumbullimi i Portugalisë, do të bëjë më shumë dëm sesa mirë.

Kjo nuk është thjesht bezdisja e një gazetari anglez, pa ndonjë lidhje emocionale me Ronaldon, për mënyrën si është sjellë ai. Ekziston një rrezik real që njerëzit që e kanë dashur për dy dekada të jenë duke e humbur durimin. Vitet e fundit, të ndiqje një ndeshje të Portugalisë ka qenë pak a shumë si të merrje pjesë në një tubim kulti: një det njerëzish me fanella ku shkruhet “Ronaldo, 7”, që reagojnë vetëm nga shfaqja e heroit të tyre si ata adoleshentët e viteve 1960 kur arrinin të shihnin për një çast The Beatles.

Por për sa kohë do të vazhdojnë t’i përulen dhe ta lavdërojnë Ronaldon? A do të ndryshojë qëndrimi mbizotërues ndaj tij në Portugali? A ka ndryshuar tashmë? A po e ndihmon vetë Ronaldo publikun portugez të ecë përpara pa të, pikërisht përmes sjelljeve të tilla?

Mbi të gjitha, të vjen keq që gjithçka po shkon kështu: kaq rrëmujshëm, me kaq pak dinjitet. Bëhet fjalë për një nga vetëm katër burrat në historinë e futbollit që kanë luajtur më shumë se 200 ndeshje me kombëtaret e tyre. Ai ka shënuar gjithashtu 146 gola për vendin e vet.

Përpara se të shfaqej Ronaldo, mendimi se dikush mund ta sfidonte Eusébion si futbollisti më i madh i Portugalisë ishte qesharak, madje fyes. Por, siç rrodhën gjërat, Ronaldo e ka tejkaluar legjendën portugeze me një diferencë mjaft të qartë.

Dhe gjithçka po përfundon kështu. Ai duket se po i kalon ato që mund të jenë ditët e fundit të karrierës së tij me kombëtaren duke shkruar një deklaratë në aplikacionin Notes të iPhone-it, si një YouTuber që ka thënë diçka të papërshtatshme në një videoblog dhe tani shqetësohet se mos publiku e bojkoton.

Një ndeshje lamtumire, në një formë apo në një tjetër, do të ketë. Pyetja e vetme është ku, kur dhe kundër kujt.

Dy ndeshjet e ardhshme të Portugalisë janë në periudhën ndërkombëtare të nëntorit: dy takimet e fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve, në shtëpi kundër Danimarkës, në stadiumin e Bragës me kapacitet prej 30 mijë vendesh, i cili ka vetëm dy tribuna, në dy anët e tjera ka faqe të mirëfillta shkëmbore, dhe në transfertë kundër Uellsit, në një stadium vetëm pak më të madh në Cardiff, ku zakonisht luhet futboll klubesh të kategorisë së dytë. A do të konsiderohen këto të denja për rastin? Apo ai do të dëshirojë të presë një skenë disi më madhështore?

Ndoshta asgjë nga këto nuk ka rëndësi. Në vitet që do të vijnë, a do ta mbajnë mend njerëzit deklaratën me 1.740 fjalëshe pas një grindjeje të vogël me një trajner? Apo do të kujtojnë golat, jetëgjatësinë e jashtëzakonshme në futboll, Europianin e vitit 2016 dhe madhështinë e shfaqur në fushë përgjatë një brezi të tërë? Përgjigjja është mjaft e qartë.

Por, për momentin, kështu po i përjetojmë ditët e fundit të karrierës së Cristiano Ronaldos me kombëtaren. Dhe kjo të lë një ndjesi të trishtë. / the athletic – bota.al

Back to top button