Covid19 Analiza

Maska, më pak nxënës në klasë dhe distancim social: Ja si Evropa po planifikon të rihapë shkollat

Nga Jacopo Barigazzi

Në mbarë Evropën, fillimi i vitit të ri shkollor, ishte menduar të sinjalizonte një rikthim në normalitet. Vende të tilla si Italia i mbajtën nxënësit në shtëpi nga marsi deri në pushimet verore. Ndërsa vende të tjera si Danimarka, lejuan rihapjen e shkollave për pjesën e mbetur të vitit shkollor, pasi të kishte kaluar më e keqja e valës së parë të pandemisë.

Të gjithë u përpoqën t’i siguronin prindërit dhe fëmijët, se mësimi tradicional do të fillonte sërish në vjeshtë. Megjithatë, rihapja e planifikuar e shkollave, nuk mund të vinte në një periudhë më të keqe se sa kjo:Shumë vende evropiane, nga Spanja në Poloni, po përjetojnë një shtim të frikshëm të rasteve të reja me koronavirus.

Kjo ka detyruar disa shkolla të mbyllin sërish dyert e tyre, përfshirë ato në landin verior gjerman Meklenburg-Vorpomern, ku 4 shkolla u mbyllën pjesërisht, pas rihapjes javës së kaluar. Dhe në këtë situatë, nuk ndihmon aspak paqartësia mbi rolin që luajnë shkollat në transmetimin e virusit.

Tek fëmijët, janë zbuluar shumë më pak raste sesa të rriturit. Por shkencëtarët nuk janë ende të sigurt, se sa ka të ngjarë që fëmijët t’ia kalojnë virusin të tjerëve. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) tha këtë muaj, se të dhënat sugjerojnë “se rihapja e shkollave nuk është shoqëruar me një rritje të konsiderueshme të transmetimeve në komunitet”. Por nga ana tjetër e pranoi, se kishte “fakte studimore kontradiktore” mbi ndikimin e mbylljes apo rihapjes së shkollave.

E megjithatë, prindërit dhe nxënësit duhet të shqetësohen edhe më shumë, sesa vetëm për rreziqet e mundshme shëndetësore. Sondazhet e fundit kanë zbuluar se mbyllja e shkollave, ka pasur efekte negative në edukimin dhe mirëqenien psikologjike të shumë fëmijëve dhe adoleshentëve, ndërsa prindërit e kanë pasur tejet të vështirë të përballojnë kombinimin e punës në distancë, dhe shkollimit të fëmijëve të tyre në shtëpi.

Për këtë arsye vendet evropiane po ecin përpara me rihapjet e shkollave, me gjithë rrezikun e valë të dytë të mundshme të Covid-19 këtë vjeshtë. Ja se si 6 vendet e BE-së shpresojnë t’i mbajnë shkollat hapur, dhe në të njëjtën kohë të mbajnë nën kontroll koronavirusin.

Spanja

Qeveria qendrore nuk ka miratuar ende asnjë datë, ndonëse shkollat ​​e para në disa rajone do të rihapen më 7 shtator. Rekomandimet e qeverisë, përfshijnë distancimin social dhe përdorimin e objekteve si bibliotekat dhe mensat e shkollës si klasa, për të pasur më shumë hapësira në dispozicion.

Ndërkohë qeveria rajonale në Katalonjë po punëson 5000 mësues shtesë, për të krijuar “flluska” të qëndrueshme nxënësish, në mënyrë që të kufizojë kontaktet e përgjithshme brenda shkollave, dhe t’i japë mundësi fëmijëve të ndjekin shkollën më maska në fytyrë dhe distancim social.

Ndërkohë, rajoni i Madridit synon të punësojë 600 mësues shtesë, teksa ka propozuar 4 plane të ndryshme veprimi, në varësi të situatës, përfshirë pjesëmarrjen e pjesshme në klasa dhe mësimin në distancë. Ndërkaq në rajonin veri-lindor La Rioja, autoritetet po propozojnë që nxënësit më të mëdhenj se 14-vjeç të zgjedhin arsimin on-line ose të vijojnë shkollën pasdite.

Franca

Shkollat këtu do të rihapen më 1 shtator, përveçse zonave të deklaruara si zona “të qarkullimit aktiv të virusit” si Parisi ose Marseja, ku shkollat ​​mund të vijojnë të mbeten të mbyllura. Ministria e Arsimit, thotë se nxënësit nuk kanë nevojë të kenë distancim social në zonat ku kjo është e pamundur.

Gjithsesi fëmijët më të mëdhenj se 11-vjeç, do të duhet të mbajnë maska ​​brenda dhe jashtë klasës, nëse nuk garantohet një distancë minimale prej 1 metër. Shkollat ​​do të duhet të sigurojnë vetë maska ​​për stafin e mësuesve. Por Ministria e Arsimit e pranon se ka rezerva vetëm për 3 muajt e ardhshëm. Kësisoj, nxënësit dhe studentët pritet t’i blejnë vetë ato.

Italia

Shkollat ​​do të  rihapen më 14 shtator. Mësuesit duhet të mbajnë maska, teksa qeveria do të vendosë në javën e fundit të gushtit, nëse fëmijët më të mëdhenj se 6-vjeç do të duhet që ta bëjnë këtë. Klasat do të funksionojnë me më pak nxënës, për të lejuar distancimin social midis 8 milionë nxënësve që ka vendi.

Kjo do të thotë se nevojiten hapësira ​​për klasa të reja. Por sipas shoqatës së drejtuesve të shkollave, Italisë i mungojnë 20.000 klasa shtesë për gjithsej 400.000 nxënës. Detyra për gjetjen e këtyre hapësirave shtesë i është ngarkuar autoriteteve lokale. Komiteti i ekspertëve, e këshillon qeverinë të shmangë distancimin social, nëse nxënësit mbajnë maska në klasë.

Belgjika

Shkollat ​​ rihapen më 1 shtator, pavarësisht rritjes së rasteve të reja gjatë periudhës së verës. Ekspertët thonë se qeveria nuk duhet të shohë vetëm efektet shëndetësore, por edhe ndikimin që ka pandemia tek arsimimi dhe mirëqenia e fëmijëve.

Një studim i ri, tregon gjithashtu se fëmijët kanë pak gjasa të infektohen në shkollë. Nëse numri i rasteve shtohet frikshëm në një fshat të caktuar, nxënësit e shkollave të mesme do të ndjekin shkollën 1 javë po, dhe 1 javë jo në grupe të ndara. Masa të tjera mund të merren në varësi të ecurisë së pandemisë.

Gjermania

Viti i ri shkollor fillon në data të ndryshme në 16 landet federale. Në disa lande veriore, si

në Berlin dhe Shlezvig-Holshtajn, nxënësit tashmë janë rikthyer në shkolla; ndërsa në ato jugore shkolla rifillon si zakonisht në shtator. Arsimi është një kompetencë rajonale, dhe secili land ka një plan të ndryshëm për rihapjen

Por Akademia Kombëtare e Shkencave të Natyrës, ka nxjerrë udhëzimet e saj. Mes tyre përfshihet mbajtja e maskave për nxënësit e moshës 15-vjeç ose më të mëdhenj, grupe më

të vogla kontakti brenda shkollave dhe testime të vazhdueshme. Por disa mësues thonë se udhëzimet janë të pamjaftueshme, madje edhe kontradiktore. “Maska është e detyrueshme në shkollë, por jo brenda në klasa”-tha një mësues në një shkollë fillore në Berlin.

Polonia

Polonia planifikon të rihapë shkollat më 1 shtator, përveç një numri të vogël qarqesh me një numër më të lartë rastesh. Deri tani nuk ka asnjë kërkesë për të mbajtur maska, ​apo për të kufizuar numrin e nxënësve në klasë, por fëmijëve u kërkohet të lajnë duart shpesh, dhe të shmangin kontaktin me grupe të mëdha nxënësish.

Nga 380 qarqet e vendit, 19 kanë kufizime për shkak të numrit të madh të rasteve me koronavirus. Nëse në shkollat e tyre zbulohen raste me koronavirus, drejtorët e shkollave kanë autoritetin të vendosin kalimin tek mësimi online apo modelet hibride.

Danimarka

Shkollat janë rihapur që më 10 gusht për vitin e ri shkollor. Fëmijët mësojnë në grupe maksimumi 10-12 persona, ulen 2 metra larg njëri-tjetrit në klasë, dhe lajnë duart të paktën çdo 1 orë e gjysmë. Qeveria ka përcaktuar disa udhëzime bazë, por ia ka lënë në kompentencë komunave të jenë fleksibël në zbatimin e tyre. Ndërkohë as fëmijëve

apo mësuesve, nuk u kërkohet të mbajnë maska. / “Politico.com” – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close