MAINMedia Transition Promotion Program

Media në Tranzicion / Kur interesat e publikut janë në fund të listës

Intervistë me gazetaren Klementina Cenkollari

-Sikur të hidhnit një vështrim retrospektiv medias tone ne tranzicion, cilat do të renditnit si arritjet dhe dështimet më të qenësishme të saj?

Unë kam pasur mundësi që të jem pjesë aktive e medias në Shqipëri thuajse gjysmën e ekzistencës së saj pas shembjes së komunizmit. Në mendimin tim padyshim ka hapa përpara përsa i përket përpjekjeve për ngjashmëri me modelet e zhvilluara mediatike perëndimore. Gazetarët, në të gjitha llojet e mediumeve kanë arritur më shumë pjekuri dhe kësisoj edhe mediat vetë. Kjo, mendoj se ka ardhur në sajë të lehtësimit të mënyrës sesi merret informacioni apo se si mund të ndiqen shembujt nga gazetaria perëndimore, studimit në universitetet europiane apo edhe të trajnimeve të shumta të gazetarëve, sidomos ato në vendet e zhvilluara

Në studimet që kam shfletuar, pas shembjes së komunizmit dhe ardhjes së pluralizmit politik, lindi dhe u zhvillua gazetaria opozitare. Në fillimin e viteve 90 u krijuan media, të cilat mund të kritikonin qeverinë dhe të mos përdoreshin më vetëm për propagandë bajate. Fatkeqësisht, mediat nisën të vuanin shumë shpejt trysninë e politikës dhe të biznesit duke mbytur pasionin e gazetarëve për profesionalizëm. Në periudhën që unë nisa punë në media, pra që nga mesi i dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të ri, nisi me hov një gazetari e mirë investigative, përpos trysnisë së madhe politike dhe ekonomike që kishte kohë që kishte nisur ndaj medias. Në harkun kohor të thuajse dhjetë viteve, ka pasur raste raportimesh të mira investigative, si pasojë e të cilave shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë në shoqërinë tonë.

Vitet e fundit, fatkeqësisht, në gjykimin tim, vihet re një mbytje e punës investigative, ose nëse jo mbytje, një orkestrim i saj në drejtime që u interesojnë palëve të caktuara politike ose të biznesit. Trysnia politike, që ka çuar edhe në mbyllje të shumë emisioneve, përfshirë edhe investigative, madje edhe të televizioneve, e ka dëmtuar rëndë gazetarinë dhe kësisoj edhe prodhimtarinë e saj. Kjo trysni kulmoi dhe ende është në kulm me përpjekjet e qeverisë për miratimin dhe zbatimin e ligjit “Anti-shpifje”, që nga ne gazetarët vetë, por edhe organizmat më të rëndësishme ndërkombëtare që vëzhgojnë lirinë e medias në botë, apo edhe institucionet europiane, shihet si kufizim i fjalës së lirë.

Është e trishtë që shumë gazetarë janë larguar nga vendi këto pesë a gjashtë vitet e fundit si pasojë e kërcënimeve dhe ndërhyrjeve në ushtrimin e detyrës së tyre. Një problem tjetër që e ka shoqëruar gazetarinë shqiptare këto vite tranzicioni janë pagesat e ulëta ose që nuk jepen apo jepen me vonesë dhe mungesa e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Nga ana tjetër, cilësia punës së gazetarëve dhe medias në përgjithësi është rritur, për shkak të arsyeve që përmenda më lart. Etika është përmirësuar dhe mediat janë më të kujdesshme në ato që raportojnë. Zhvillimi teknologjik kudo në botë është pasqyruar edhe në vendin tonë dhe kjo ka ndihmuar në kryerjen e punës sonë më mirë dhe më shpejt. Ngjarje të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit, siç ishin së fundmi fatkeqësia natyrore e tërmetit, apo të gjitha zhvillimet e lidhura me pandeminë e koronavirusit, janë arritur të përçohen me anë të më pak njerëzve dhe mjeteve, si pasojë e zhvillimit teknologjik. Këto kanë bërë që të mbulohen shumë zhvillime, dhe në kohë reale, duke i dhënë audiencës më shumë mundësi informimi dhe alternativa. Sot është mundësia që me anë të gazetarisë multimediale, edhe një person i vetëm të bëhet kanal i dhënies së informacionit. Pra, të gjitha këto zhvillime, përfshijnë televizionin apo mediat online, si portalet apo kanalet në YouTube.

-Si mendoni se është perceptimi i publikut për median në përgjithësi dhe figurën e gazetarit në veçanti? Cilët gjykoni si elementët e duhur që mund të përmirësojnë këtë imazh? Si e gjykoni besueshmërinë e medias sonë sot?  

Misioni i gazetarit është që të informojë përmes fakteve opinionin publik. Përgjatë historisë dhe evolucionit të shtypit në të gjithë botën, gazetari është perceptuar si profesioni që shkon përtej asaj që një qytetar mund të shikojë. Për perceptimin e publikut për median do të thoja që besimi është zbehur, pavarësisht se në media ka persona të përgatitur dhe të mirëformuar. Kjo ka ndodhur për disa rrethana të cilat në një mënyrë apo në një tjetër kanë ndikuar në devijimin e misionit që ka një media. Unë do të veçoja se një nga faktorët kryesorë për mungesën e besueshmërisë në media është përdorimi i saj nga politika apo biznesi për qëllime propagandistike. Duhet të vë në pah se ndonëse pjesa më e madhe e publikut nuk janë ekspertë në fushën e medias, njerëzit kanë një instikt shumë të mprehtë në dallimin e modelit negativ të gazetarisë që promovon interesat e politikës apo vetvetes nga ana e gazetarëve, gjë që ndikon në besueshmërinë e gazetarëve dhe mediave.

Vlen të theksohet se duke u përdorur nga politika, media largohet gjithmonë edhe më shumë nga realiteti dhe problemet që ka një shoqëri. Thënë këtë, mjafton të shohësh vijën editoriale të një medie për të kuptuar se nga cila palë politike po përdoret. Madje mund të them që eksponentë të politikës financojnë media për qëllime propagandistike, duke dërguar lajme të gatshme. Nëse një gazetar nuk pranon të bëhet palë e “marrëveshjes media-politikë”, ai mund edhe të pushohet nga puna. Kjo gjë jo vetëm që zhvlerëson median, por dhe figurën e gazetarit në përgjithësi. Mendoj se imazhi i gazetarit apo i medias në tërësi do pastrohet vetëm në momentin që do të shmangë ndikimet politike ose interesat e biznesit. Duke shmangur këto, media mund të marrë frymë lirshëm dhe më këtë mënyrë gazetarët do të informojnë me profesionalizëm opinionin publik. Një nga shembujt që më ka bërë më shumë përshtypje gjatë një trajnimi në SHBA për median e re dhe tradicionale ishin mediat që financoheshin nga një seri personalitetesh nga bota akademike, mjekë dhe njerëz të artit. Financimi i gjerë dhe mos përqendrimi vetëm në një pronar i bënte ata të pandikueshëm e të paorientuar, por edhe shmangnin influencën direkte te gazetarët. Mendoj se një media e tillë mund të rrisë pavarësinë e për pasojë edhe besueshmërinë e publikut, si te media ashtu edhe te reporteri.

Si e gjykoni ecurinë e lirisë së shprehjes dhe të medias gjatë tranzicionit dhe në ç’nivele gjendet aktualisht? A mendoni se gazetarët, redaktorët dhe kryeredaktorët i marrin vendimet në punën e tyre të përditshme mbi bazën e ndërgjegjes profesionale?

Liria e shprehjes në vendin tonë është ende e brishtë dhe përgjatë viteve kjo liri ka tendencën të tkurret, madje në disa raste, të shtypet. Që do të thotë se ndikime të forta, kryesisht politike, kanë tentuar ta kufizojnë këtë liri dhe shpeshherë kanë arritur. Atje ku nuk mund ta kufizojnë, mund t’i diktojnë medias atë çka ata duan të përcjellin tek opinioni publik. Sigurisht, këtu nuk përfshihen të gjitha mediat në Shqipëri, pasi ende ka gazetarë që punojnë me shumë profesionalizëm. Shpesh, liria e shprehjes kufizohet dhe me justifikimin e shmangies së abuzimeve nga media, por kufiri mes kontrollit për mosabuzim dhe censurës është tejet i hollë. Kthehemi sërish te paketa “Anti-Shpifja”.  Ligji ka ngjallur polemika mes organizatave apo institucioneve që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe mazhorancës, pasi nga ana e tyre ky ligj shihet se një mekanizëm për të censuruar mediat, ndërsa nga pala propozuese shihet si një ligj që mbron qytetarët nga abuzimi mediatik. Pra, një ligj interpretohet në dy mënyra ku të dyja palët pretendojnë se kanë të drejtë. Në këtë pikë dua të heq një paralele me aksiomën e famshme në fushën e drejtësisë ku është më e rëndësishme që më mirë të mos dënohet dikush për të cilin nuk ka prova bindëse se ka kryer një krim, sesa të kalbet në burg duke qenë i pafajshëm. Dua të theksoj se është më e rëndësishme të ekzistojë fjala e lirë, sesa t’i trembemi shpifjes. Vendi ynë e ka vuajtur për gjysmë shekulli mungesën e fjalës së lirë.

Përsa i përket vendimeve të gazetarëve apo redaktorëve në punën e përditshme, mund të them që në vendin tonë një gazetar e di klimën e medias ku punon dhe e ka të qartë vijën editoriale që do të ndjekë. Kjo është diçka shumë e dëmtuese për lirinë e shprehjes, pasi është censurim ose më keq akoma vetëcensurim. Më sipër fola për ndikimin e politikës dhe biznesit në media, dhe këto ndikime ekzistojnë në një redaksi. Në këtë mënyrë nuk mund të lënë një kryeredaktor që të marrë vendime vetëm mbi bazën e ndërgjegjes profesionale. Mendoj se media në vendin tonë nuk është plotësisht e lirë dhe ka nevojë për më shumë mbështetje për të mbrojtur lirinë e shprehjes në mënyrë që të rrisë besueshmërinë tek opinioni publik.

-Sot po përjetojmë nga njëra anë një krizë të medias, por njëherësh edhe një revolucion të saj. Në ç’raport mendoni se janë mediat tradicionale dhe mediat e reja në vendin tonë, dhe cili është ndikimi i këtyre të fundit?

Mediat tradicionale gjithmonë janë ndier të kërcënuara nga evoluimi i teknologjisë së përcjelljes së informacionit dhe mënyrave të reja për ta dërguar informacionin te qytetarët. Raporti i mediave tradicionale dhe i mediave të reja (Web) nuk mund të shikohen si dy pole kundër njëra-tjetrës, por si zgjatim i medias tradicionale. Kjo e fundit ka mundur të mbijetojë në revolucionin e medias në sajë të profesionalizmit dhe saktësisë së informacionit që ajo disponon për opinionin publik. Ndërsa në krahun tjetër kemi mediat e reja të cilat mundësojnë informacion të shpejtë, por shpeshherë jo të saktë, ose më mirë të themi jo të plotë. Duhet thënë se kur ka revolucion mundësia për krijimin e krizave është e madhe, por në shumë raste mediat tradicionale kanë mundur të përshtaten me evolucionin. Pra, mediat tradicionale krijuan web-et e tyre gjë e cila i mban ato ende në tregun mediatik. Në lidhje me ndikimin që mediat e reja kanë tek opinioni publik, ne nuk mund të pohojmë kurrësesi që mediat e reja përmbushin vetëm funksionin e përcjellëses së informacionit. Politizimi i shtypit, i cili shpeshherë kthehet në një mjet propagandistik, kushtëzon deformimin e realitetit. Kjo ndikon drejtpërdrejt te lexuesi dhe bindjet e tij për një çështje të caktuar. Në këtë aspekt mund të themi që ndikimi i medias së re është më i madh se ai i medias tradicionale, për vetë faktin se informacioni në median e re është më i shpejtë dhe i kudogjindshëm duke “bombarduar” në mënyrë të vazhdueshme opinionin publik. Në këto kushte, mund të themi që mediat e reja janë më të lehta të manipulohen dhe të manipulojnë. Një situatë e tillë, nuk favorizon krijimin e një shoqërie demokratike, në të cilën media duhet të gëzojë autonomi të plotë nga trysnia politike. Pra, media nuk duhet të kritikohet vetëm për cilësinë e informacionit që jep, por dhe për rolin që ajo luan në jetën sociale. Referuar studimeve që janë bërë nga departamente të ndryshme të shtypit, rezulton që qytetarët i drejtohen medias tradicionale për informacion të besueshëm, pasi edhe vetë mediat e reja kanë si pikë referimi median tradicionale. Vlen të theksohet se ndikimi i mediave të reja në vend është  i madh dhe shqetësues për shkak të mungesës së kontrollit të tyre. Por dhe në këtë pikë duhet të tregohet shumë kujdes nga ana e autoriteteve pasi kufiri mes kontrollit të informacionit të saktë dhe censurimit të një medie është tejet i hollë.

-Gazetaria duket se po kalon në një periudhe krize kudo në botë. Media e pavarur has vështirësi të mbijetojë në një treg ku mbizotëron sensacionalizmi, klientelizmi politik, dhe lajmet e rreme. Si e shihni të ardhmen për gazetarinë e pavarur në vitet në vijim? Jeni optimist apo pesimist?

Ditët e sotme, ngritja e një medie, automatikisht është e lidhur me interesat e një kahu politik apo një apo më shumë përfaqësuesve të biznesit. Lajmet e rreme, janë betejë që duket e vështirë të fitohet, me numrin në rritje të portaleve, akoma, disa të pa regjistruara zyrtarisht. Kjo nuk ofron një pamje optimiste për gazetarinë e pavarur, e cila duhet thënë, kohët e fundit  po zhvillohet në kuadër të projekteve që vijnë si mbështetje financiare nga donatorë të huaj. Por, mundësia për të qenë pjesë e këtyre mediumeve që ofrojnë liri, është e kufizuar, e po aq e kufizuar mbetet edhe mundësia për të qenë i lirë në raportimin e informacionit. Megjithatë, në këto vite kemi parë gazetarë, që edhe pse nën presion e kanë çuar deri në fund misionin e tyre për të thënë të vërtetën. Kjo edhe me çmimin për të humbur punën.

Media online dhe rrjetet sociale pa dyshim kanë sjellë një revolucion në aspektin e marrëdhënies që krijohet me publikun dhe komunikimin në përgjithësi. Si mendoni se ka ndikuar kjo dukuri në cilësinë dhe profesionalizmin e informacionit? Po gazetaria, si mendoni se po përshtatet me këtë?

Mediat e reja kritikohen në mënyrë të vazhdueshme përsa i përket profesionalizmit që ato kanë në dhënien e informacionit tek opinioni publik. Këto lloj mediash janë më të priruara që të kapin numrin e lartë të audiencës sesa rritjen e cilësisë së informacionit. Numri i lartë i audiencës përkthehet në më shumë fitime monetare për këto lloj mediash, pasi siç dihet, një nga burimet kryesore të të ardhurave të një mediaje janë reklamat. Sa më shumë audiencë, aq më shumë rritet vlera monetare që mediat marrin nga reklamat. Për këtë fakt dhe jo vetëm, jo rrallëherë këto media harrojnë misionin e vërtetë të tyre, cilësinë dhe saktësinë e informimit të opinionit publik. Sigurisht, në këtë kategori nuk mund të përfshihen të gjitha mediat e reja, pasi ekzistojnë edhe media të cilat janë korrekte e që ruajnë me fanatizëm misionin real të  medias. Profesionalizmi në këto media është një pikë mjaft e kritikueshme, pasi numri i madh i këtyre kanaleve informimi ka ulur kualifikimin e burimeve njërëzore që punojnë për to.

Vlen të theksohet se ritmi i zhvillimit të medias në Shqipëri, nuk ka qenë i njëjtë me ritmin e përgatitjes së kuadrit ligjor të nevojshëm për këtë sektor. Nismat ligjore shpesh kanë shërbyer për të “legalizuar” një treg të ngritur në kushtet e informalitetit. Kuadri ligjor i medias nuk i ka paraprirë zhvillimeve në këtë sektor, përkundrazi ka qenë i vonuar dhe ka sjellë shpesh përplasje mes aktorëve të ndryshëm që ndërhyjnë në këtë sektor.

Në fakt, gazetaria është përshtatur shumë shpejt me mediat e reja, pasi janë të lehta në krijim dhe përdorim, por mjaft të rënda në ndikimin që ato kanë tek opinioni publik. Vitet e fundit ka një trend në përqafimin e këtyre mediave, duke bërë që drejtues mediash të largohen gjithmonë e më shumë nga ajo tradicionale. Ndërthurja e shumë mediave tradicionale me median e re tregojnë se ato mund të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën. Në këtë bashkëjetesë favorizohen mediat e reja, ndërsa tradicionales nuk i ngelet gjë tjetër veçse të përshtatet.

 Si mendoni se ka evoluar marrëdhënia ndërmjet medias dhe politikës ndër vite? Si e shihni zhvillimin e këtij raporti në të ardhmen?

Qëkurse nisën të zhvilloheshin mediat private në vend, u duk qartë varësia e medias nga politika: cilat media financoheshin nga pushteti, dhe cilat sulmoheshin nga pushteti. Shumë media, janë vënë plotësisht në dispozicion të politikës, shpesh duke u shfaqur hapur, e në të tjera herë duke ndjekur axhendën e saj. Sot flitet gjerësisht për atë që njihet si “agenda setting”, kur pushteti përmes kanaleve të tij, vendos orientimin e medias, të lajmit, të raportimit, të emisioneve. Përplasja me pushtetin, ka çuar në raste ekstreme të mbylljes së medias, siç ishte rasti i “Agon Channel”, për të cilën fatura e rëndë financiare e arbitrazhit, do të paguhet nga taksat e shqiptarëve.

Nga ana tjetër, shohim media të cilat janë opozitare, financuar nga njerëz pranë opozitës, të cilat, edhe pse shumë të njëanëshme, arrijnë të sjellin shqetësime që nuk gjenden në media të tjera, qofshin edhe të mëdha, të cilat të diktuara nga pushteti, censurojnë lajme dhe i ikin realitetit.

Media dhe politika, janë bërë zgjatim i njëra-tjetrës dhe kjo duket se do jetë panorama e një kohe të gjatë, në një Shqipëri, që ka probleme me demokracinë, me shtetin e së drejtës e natyrisht me lirinë e fjalës. Sot, është pikërisht politika, ose më saktë, njëri kah i politikës, që po rishikon ligjin e medias, aq të kritikuar nga Komisioni i Venecia, BE, Këshilli i Europës, edhe Presidenti, po deshët, pa u konsultuar me njerëzit e fjalës, të cilët dolën në protestë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Një protestë, e cila, pikërisht për shkak të ndikimit të politikës, nuk u pasqyrua në disa televizione, gazeta e portale, paçka se protesta, ishte për të mbrojtur liritë e të gjithë gazetarëve, pavarësisht logos.

-Gazetaria profesioniste kudo në botë është në gjendje të vështirë edhe për një arsye madhore: ka ndryshuar modeli tradicional i biznesit, me hyrjen në lojë të internetit, medias online dhe rrjeteve sociale. Po në Shqipëri si e shihni këtë problem, dhe a shihni një model biznesi që është në gjendje të mbështesë një gazetari të pavarur, në interes të publikut?

Është evidentuar dita-ditës se me hyrjen në lojë të internetit dhe rrjeteve sociale, media online është fuqizuar në masë. Edhe në Shqipëri, si kudo në botë, pa dyshim që ky model tradicional është transformuar, duke bërë që përmes internetit dhe përdorimit në masë të tij, të dalë ofrimi i shumë dritareve informative. Sot i quajmë portale.

Mirëpo, jo të gjithë arrijnë të mbijetojnë për shkak të numrit të madh të mediave online, duke bërë që disa të marrin mbështetje financiare nga bizneset apo persona me influencë, shpesh të padukshëm, për të mbijetuar në tregun e ri mediatik. Në kushte të tilla, është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që kjo media të ndihet e pavarur, pasi në kushtet e varësisë së financave, ajo shpesh është në funksion të interesave të ‘sponsorit’, pra duke postuar rrjedhimisht interesat e vërteta të publikut në fund të listës.

Leave a Reply

Back to top button