Magazine

Nga pakënaqësia nis rruga drejt lumturisë

Susanna Tamaro

Thjeshtimi i gjuhës që ka ndodhur në njëzet vitet e fundit na ka privuar nga shumë shprehje që dikur kanë qenë të përditshmërisë tonë. “Ti ma thyen zemrën”, “i pashpirt”, “me zemrën në dorë”, “zemërgur”, “me zemër të hapur” etj. Nëse një person përdor prepotencë ne themi “më shkele këmbën”, por nëse një person na bën keq në nivel emocional, themi “më lëndove zemrën”. E gjora zemra plakë është futur në arkiv dhe në vend të saj kemi vetëm dy entitete që na dominojnë, inteligjencën dhe organet gjenitale. Por nuk ka nevojë të jesh filozof i madh për të kuptuar se një jetë që udhëhiqet nga këto dy entitete shkon drejt rrënimit. Ne jemi shndërruar në bartës të instinkteve të ndërmjetësuara nga një racionalitet gjithnjë e më i dobët, konfuz dhe i manipuluar nga bota e medias.

NDËRMJETËSI I MADH NJERËZOR

Zemra, ndërmjetësi i madh njerëzor, nuk konsiderohet më pjesë themelore e ekzistencës sonë. Pse të mos kujtojmë gjërat e bukura që mund të na japë? Ka gjëra që na bëjnë vërtet të lumtur dhe të gjitha këto janë të lidhura me realitetin e së mirës. Jemi të lumtur kur pranë nesh kemi pasurinë e një miku të vërtetë. Jemi të lumtur kur jetojmë në bujari. Jemi të lumtur kur mund të ndihmojmë dikë që është në kushte të vështira. Mund të jemi të lumtur duke vizituar një person që nuk është. Mund ta bëjmë këtë duke shpëtuar një kafshë të abuzuar.

Jeta e përditshme na ofron mundësi të pafundme për të shfaqur energjinë e zemrës, por për të qenë në gjendje ta jetojmë atë plotësisht, duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin që ajo është pikë qendrore e ekzistencës sonë. Në vend të kësaj, shumë shpesh, bëhemi pre e frikës, ndjenjës së inferioritetit dhe më pas përdorim të gjitha armët arkaike që i përkasin evolucionit tonë njerëzor. E para prej të cilave është ushtrimi i pushtetit dhe e dyta mbrojtja e një grupi, i cili na jep një forcë që ne vetë nuk mund ta kemi.

ÇLIRIMI

Prandaj, për të shkuar atje ku na shpie zemra, na nevojitet një udhëtim i madh lehtësimi. Ne duhet të çlirohemi nga të gjitha frikërat, nga të gjitha drojat, nga i gjithë ankthi i të mos qenit në lartësinë e duhur. Nuk është një udhëtim që mund të bëhet në një ditë, as në një muaj. Është udhëtimi i një jete, por është i vetmi udhëtim që e bën jetën tonë me të vërtetë të vlefshme.

REBELIMI NDAJ MODELEVE “TË DREJTA”

Dhe forca për të ndërmarrë këtë rrugë mund të lindë vetëm nga një pakënaqësi e lehtë që dominon jetën tonë. Jetët tani janë të detyruara të ndjekin ritme që kanë pak të bëjnë me njerëzillëkun, vazhdimisht të kontrolluara nga informacione që na pushtojnë, e që nuk bëjnë gjë tjetër veçse na tregojnë modelet e duhura për t’u përshtatur. Rruga e zemrës, pra, tani më shumë se kurrë, është rruga e madhe, ndoshta e vetmja rrugë rebelimi që na është dhënë. 

bota.al

Back to top button