Speciale

PARANDJENJA / Instikti ynë i pagabueshëm për të ardhmen

Screen Shot 2015-08-28 at 4.26.16 PM

Aeroporti i Linates, Milano, 7 tetor 2001. Në orën 8:10, një avion i tipit Cessna dhe një avion i linjës MD80 u përplasën në pistë dhe shpërthyen. Në tragjedi humbën jetën 118 vetë. Në orën 7:43 – 27 minuta përpara tragjedisë – një polic i ri në moshë, në shërbim në aeroport, kishte marrë një sms nga një mikeshë, Michela: “Je në Linate? Çfarë ka ndodhur aty? Je mirë?”

Shumë vjet më vonë, Nicola M. kujtonte episodin e pazakontë: “Mikesha ime, Michela R. D. kishte shpesh herë parandjenja për sëmundje apo situata të veçanta që u ndodhnin miqve apo të afërmve… megjithatë, ajo nuk kishte parashikuar asnjëherë diçka kaq tronditëse. Atë ditë, në orën 4 të mëngjesit Michela ishte zgjuar krejt papritur sepse më kishte parë në ëndërr: më kish parë në një vend të mbushur me gërmadha, prej ku njerëz kërkonin ndihmë të dëshpëruar… Michela mendoi se mos ishte thjeshtë një ëndërr e keqe dhe pas kësaj ra sërish në gjumë, por shqetësimi nuk e la rehat. Kështu, sapo u zgjua, më dërgoi një sms. E lexova mesazhin pikërisht kur ndodhesha në zonën e bagazheve të Linate, teksa përpiqesha që të nxirrja nga gërmadhat personat e ngecur”.

Historia është e vërtetë: nga ajo ditë tragjike ruhen ende tabulatet e telefonatave dhe sms-ve, të marra e dërguara nga agjentët në vendngjarje, të domosdoshëm për hetimin pas aksidentit. Ishte një parandjenjë e fortë apo thjeshtë një koinçidencë shqetësuese? “Pavarësisht disa dekadave eksperimente”, paralajmëron Massimo Polidoro, psikolog i CICAP, “askush nuk ka arritur të demonstrojë se di të parashikojë një ngjarje të së ardhmes, që nga vdekja e papritur e një miku, deri tek shpërthimi i një lufte”.

Parashikimi është mbretëria e të papërcaktuarës, ku ka gjithmonë hapësirë për autosugjestion. “Parashikime si ai i fatkeqësisë së Linates nuk janë të rrallë”, komenton Polidoro. “Mjafton një njeri i ndjeshëm, që ka fantazi, pakëz i kuptueshëm, shtoi edhe probabilitetin statistikor, që gjërat të cilave u druhet, herët a vonë do të ndodhin vërtetë. Të gjithë këta faktorë bashkohen në një lloj profecie. Por nuk është kështu”. Për pjesën tjetër, mendja jonë është e para që na fut në kurth, duke bërë një vëmendje selektive: mes parashikimeve të shumtë që bëjmë, kujtohemi vetëm për ata të rrallët që ndodhin, duke fshirë parashikimet e gabuar, për të përforcuar besimin tek parandjenjat.
E megjithatë, studimi për parandjenjat dhe fenomene të tjerë psikikë ende nuk është arkivuar prej shkencës. Kohë më parë, Journal of Personality and Social Psychology botoi rezultatet e një studimi mbi parandjenjën dhe parashikimin, të kryer në tetë vite tek më shumë se tetë mijë njerëz nga Daryl J. Bem, docent i psikologjisë në Correll University në Ithaca, SHBA. Metoda e përdorur është e thjeshtë: kryerja në të kundërt e eksperimenteve, ku një vullnetar është i kushtëzuar të bëjë një zgjedhje të caktuar mes pamjeve apo fjalëve, për të parë nëse mendja mund të parashikojë diçka që do të ndodhë, ndoshta vetëm në vijim. Pra, nëse në një farë mënyre, e ardhmja mund të ketë ndikim mbi të tashmen.

Aspirina
Rezultatet janë domethënës: pak më shumë se gjysma e subjekteve (53.1%) ka “parashikuar” të ardhmen në tetë nga nëntë testet. Praktikisht, 3 përqind më shumë nga sa do të pritej prej përgjigjeve rastësore. Për Joachim Krueger, psikolog në Broën University në SHBA, një rezultat i papërfillshëm. E megjithatë, kundërshton Melissa Burkley e Oklahoma State University, rezultate të tjerë të pranuar nga shkenca (si efikasiteti i aspirinës me doza të ulëta për të parandaluar infarktin), bazohen në përqindje të vogla si kjo.
Dhe kështu rihapen investigimet për një fenomen që ka magjepsur njerëzimin, që në krye të herës. “Historia është e mbushur me parashikime dhe hyjnizime, apo me profeci të bëra prej perëndive bashkë me praktikat magjike”, pohon Maria Teresa la Vecchia, docente e Antropologjisë në Universitetin papnor Gregorian të Romës. “Format hyjnore, që nga astrologjia tek kiromancia, kanë ekzistuar gjithmonë dhe kudo”. Edhe sharlatanët, që përdorin besimtarët duke përdorur dykuptimësinë. “Si profecia e orakullit të Delfit për një ushtar gati për t’u nisur për luftë: “Ibis, redibis (,) non (,) morieris in bello” që në varësi të pozicionit të presjes mund të merret si “Do të shkosh, do të kthehesh, nuk do të vdesësh në luftë”, ose “Do të shkosh, nuk do të kthehesh, do të vdesësh në luftë”.

Dhe pikërisht Orakulli i Delfit iu nënshtrua testit të parë “shkencor” të historisë. Herodoti rrëfen se Krezi, mbret i Lidias nga viti 560 deri në 547 para Krishtit vendosi që të konsultohet me orakuj të ndryshëm (gjashtë grekë dhe një egjiptian) për t’i vënë në provë dhe për të vendosur kush është më i besueshëm. Në të njëjtën kohë dërgoi shtatë mesazherë me të njëjtën pyetje: “Cfarë po bën në këtë moment Mbreti Krez”? Për të shmangur koincidencat, kishte programuar një akt të paparashikueshëm: kishte vendosur të vlonin një breshkë dhe një qengj në një kusi bakri. Orakulli i Delfit bëri të vetmin pohim të saktë: “Ndjesitë e mia parandjejnë erën e breshkës me karkasë, që është vënë të ziejë në zjarr me mish qengji në një kusi të madhe bakri”.

Instikti i të ardhmes
Parashikimi i të ardhmes kurorëzon një prej dëshirave më të hershme të njeriut. Sot na ndihmojnë shkenca dhe statistika, si në rastet e parashikimit të motit. Por kapaciteti për të ndjerë ka qenë ndër të parët që ka zhvilluar njeriu: 2.5 milionë vjet më parë, homo habilis që jetonte në Afrikë nuk arsyetonte si ne, por dinte t’i “shpëtonte” një rreziku, duke mbledhur bashkë disa pak informacione që vinin nga ambienti. Një aftësi që e kemi edhe sot. Në fakt, neuronet tanë nuk bëjnë asnjëherë pushim: aktiviteti i tyre vazhdone dhe kur nuk jemi të vetëdijshëm, dhe e percepton kaq shumë realitetin saqë arrin të paraprijë, pothuajse të parashikojë, nëse do të marrim një stimul të lehtë, apo të dhimbshëm. Studimi është kryer nga studiues të Coma Science Group të Universitetit të Liezhit dhe ka treguar që ky perceptim i reales është i pavetëdijshëm. Pra, edhe nëse nuk duam, mendja jonë është gjithmonë e zgjuar për të imagjinuar dhe perceptuar ngjarje të së ardhmes, në një strategji mbrojtëse të pavetëdijshme.

Jo vetëm. Një studim i neuroshkencëtarëve të Ëashington University ka treguar se kujtimet e kaluar apo imagjinata për të ardhmen zënë të njëjtat zona të trurit. Të njëjtët që aktivizohen nëse mendojmë të vëmë në lëvizje një gjymtyrë. Pra, për trurin, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja, në një farë mënyre përkojnë.

Kohët e fundit, dy studiues amerikanë, Charles Honorton dhe Diane C. Ferrari, kanë shqyrtuar 309 eksperimente mbi paranjohjen, të kryer nga 1935 deri në 1987 nga 62 studiues mbi më shumë se 50 mijë subjekte. Ndonëse me shumë dallime (testet ishin kryer me metoda shumë të ndryshme mes tyre), kanë konkluduar që ekziston një mundësi në 1034 (0.096%) që parandjenjat nuk janë frut i rastësisë. Një mundësi e vogël, por ama nuk është hiçgjë. Dhe përmendin përdorimin e aspirinës në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare: përqindja e suksesit duhet të jetë vetëm 0.03 %. Nëse besohet tek aspirina, konkludojnë ata, mund të besohet edhe tek parandjenja.

Mes këtyre studimeve, spikasin ata mbi ëndrrat parashikuese, të kryer nga viti 1966 deri në 1978 nga psikologu Stanley Krippner dhe nga psikiatri Montague Ullman në Dream Laboratory i Maimonides Medical Center në Brooklyn: të dy kanë përdorur një metodë për izolimin e ëndërrimtarit, nga çdo stimul i jashtëm. Por interpretimet e rezultateve mbeten kundërthënës. “Askush nuk ka arritur asnjëherë të demonstrojë, që një ëndërr është krejtësisht parashikuese dhe jo frut i një intuite, apo i përpunimit të të dhënave ndjesore prej nënvetëdijes”, thotë Polidori.

Pavarësisht skeptikëve, studimet vazhdojnë. Edhe pse vijnë shtytje të reja nga një disiplinë aspak “magjike”: fizika kuantike. Mes tipareve të thërrmijave nënatomike, është edhe një e pazakontë: ai që quhet entanglement. në praktikë, duke iu atribuuar 2 thërrmijave, për shembull dy fotoneve, karakteristika (polarizimi, domethënë orientimi në hapësirë) të caktuara e të ndërlidhura mes tyre, ndodh që, edhe të ndara në distanca të mëdha, ato ndërveprojnë me njëra tjetrën: nëse i ndryshohet orientimi njërës, ndryshon në cast edhe ai i tjetrës. Me fjalë të tjera, ekziston mundësia për thërrmijat, që të “ndiejnë” në distancë atë që u ndodh të tjerave. Përse të mos e bëjë këtë edhe mendja? “Shumë shkencëtarë nuk besojnë tek fenomenet psikikë sepse këta nuk verifikohen në jetën e përditshme”, konkludon profesori Bem.

“edhe fizika kuantike nuk është se na tregon fenomene që ndodhin përditë, e megjithatë ajo vazhon të studiohet që cke me të: kërkohen thërrmija gjithnjë e më të vogla apo ligje matematikorë gjithnjë e më precizë. Mund të vlejë e njëjta gjë edhe për ngjarjet që sot i konsiderojmë paranormale”.

Shqisa e gjashtë
Shqisa e gjashtë ndodhet në një pjese të trurit, që na ndihmon në zgjidhjet e rëndësishme, duke gjetur një rruge të ndërmjetme mes arsyes dhe ndjenjës. Shqisa e 6-të ekziston dhe ndodhet në tru, midis dy hemisferave. Kjo pjesë e trurit është si një sistem alarmi që na paralajmëron kur do të ndodhë diçka. Gjithçka funksionon si një qark që na jep informacione, në mënyrë të tillë, që ne të arrijmë të mendojmë dhe të veprojmë në varësi të situatës. Ky zbulim është bërë tre vjet më parë nga dy shkencëtarë të Washington University në St. Louis. Mendohet se intuita ka lidhje me një transmetim të saktë dhe të shpejtë të informacioneve që japin shqisat. Logjika ndodhet në hemisferën e majtë të trurit të njeriut, ndërsa në të djathtën impulset dhe ndjenjat. Intuita ka nevoje për një proces neutral në të dyja këto pjesë. Thuhet se femrat jane më intuitive se meshkujt dhe kjo është pjesërisht e vërtetë, pasi eksperimentet kanë treguar këtë në testimin e dy individeve të sekseve të kundërt, por në moshë të njëjtë. Kjo shpjegohet me faktin se intuita ndikohet pak më shumë nga hemisfera e djathtë, të cilën femrat e kanë më të ndjeshme ndaj fenomeneve të jashtmë.

Le Scienze – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button