Shendeti

Pjeshkët, ja cilat janë vlerat e tyre në organizëm. Bëni mirë t’i konsumoni sa më tepër në këtë stinë.

Pjeshkët dhe nektarinat janë fruta të kësaj stine dhe Shqipëria është e pasur me zona, të cilat merren me kultivimin e tyre. Por cilat janë vlerat e pjeshkëve në organizmin e njeriut? Ato kanë funksione nga më të ndryshmet, që nga ndihma në “luftën” kundër obezitetit, reduktimin e kolesterolit, mbrojtjen dhe përmirësimin e shikimit, mirëfunksionimin e indit kockor dhe të dhëmbëve. Nga ana tjetër, ato janë të pasura me antioksidantë dhe detoksifikues, të cilat na mbrojnë edhe nga plakja. Pjeshkët ndihmojnë edhe në rregullimin e funksionit të aparatit tretës, duke lehtësuar edhe motorikën e zorrëve. Më poshtë keni të listuara disa nga vlerat e frutit të pjeshkës në organizmin tonë:

  1. Pjeshkët përmbajnë antioksidantë, si luteina, zeaksantina etj. Kjo gjë do të thotë mbrojtje e organizmit nga radikalet e lirë të oksigjenit, si peroksidet apo superoksidet, të cilat janë toksike dhe shkaktojnë dëme në organizëm. Përmbajtja e lartë në zink ndihmon gjithashtu nga këto radikale të lira duke parandaluar edhe plakjen e parakohshme.
  2. Pjeshkët përmbajnë sasi të lartë të kaliumit për funksionimin e mirë të sistemit nervor. Pakësimi i sasisë së kaliumit jep probleme me punën muskulare dhe shprehet me shtim të rrahjeve të zemrës, deri në arrest kardiak, në rastet më të rënda të hipokalemisë.
  3. Pjeshkët ndihmojnë në tretjen e ushqimeve dhe në parandalimin e obezitetit. Ato përmbajnë përbërës të rëndësishëm që ndihmojnë në ruajtjen e motorikës së zorrëve duke lehtësuar tretjen, thithjen e molekulave të nevojshme dhe në eliminimin e atyre të panevojshme për organizmin.
  4. Pjeshkët ndihmojnë në reduktimin e nivelit të kolesterolit në gjak. Mendohet se përbërësit e fenoleve, të cilat ne i marrim nga konsumimi i pjeshkëve ndihmojnë në mbajtjen e tij të ulët dhe në reduktimin e LDL-kolesterolit (kolesterolit “të keq”), si dhe në rritjen e HDL-kolesterolit (kolesterolit “të mirë”).
  5. Ndihmojnë në sistemin imunitar, pasi janë të pasura me acid askorbik, i cili përbën po të njëjtën gjë sikurse vitamina C. Pra, ne me konsumimin e pjeshkëve marrim edhe vitaminë C, e cila na ndihmon në shërimin e plagëve, në largimin e infeksioneve dhe në mbrojtjen nga infeksionet e ndryshme. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button