Teknologji

Sfida e Assange: “Totalitarizmi i ri janë kolosët e Interneti”

Nga themeluesi i Wikileaks, një sulm i fortë kundër Google. “Biznesi i kësaj kompanie është survejimi i miliona njerëzve”

IMG_0012Julian Assange, në librin e tij më të fundit “Kur Google takoi Wikileaks” është shumë i ashpër: “Nëse doni një vizion të të ardhmes”, shkruan ai, “imagjinoni syzet e Google të promovuara nga Uashingtoni dhe të lidhura me fytyra që mungojnë – përgjithmonë”. Akuza ndaj kolosit të internetit është që të tregojë madje “banalitetin e papenetrueshëm të mos të bërit keq”. Nëse referencat janë George Orëell dhe Hannah Arendt, kjo duket sikur nënkupton që Goole jo vetëm që është një dhe e pandarë me politikën e jashtme të SHBA – kjo është hipoteza kryesore – por që është edhe një entitet që mund të konfigurojë një formë të re totalitarizmi.

Assange, a besoni vërtetë?
Po, një formë moderne totalitarizmi. Por duhet t’i vendosim gjërat në perspektivën e duhur. Totalitarizmi që është zhvilluar në Gjermaninë naziste dhe në Bashkimin Sovjetik ishte hi-tech. Nazistët kanë qenë udhëheqësit botërore në zhvillimin teknologjik në disa drejtime, dhe kishin ambicie teknologjike që të shkonin përpara drejt një bote të panjohur të mrekullive të reja teknologjike. Nuk dua të bëj krahasime thjeshtësues me regjimin brutal nazist, dhe Google nuk është ende aspak pranë asaj pike. Por dëshira totalizuese ekziston.
Dhe ku konsiston?
Modeli i biznesit i Google, survejimi, prek miliarda qytetarë dhe thelbi i tij është mbledhja e sa më shumë informacioneve për njerëzit, magazinimi i tyre, indeksimi, përdorimi për të krijuar modele që parashikojnë sjelljen e tyre dhe për t’ua shitur më pas atyre që merren me reklamat. Në thelb është i njëjti model i mbledhjes masive të informacioneve që ka edhe NSA. Google si kompani, dhe Larry Page kanë një vizion totalizues të kompanisë, që parashikon një të ardhme ku gjithësecili do të mund të mbajë syzet e Google, me qëllim që të mund të përgjojë madje edhe vështrimin tonë, vendet ku shkojmë, takimet, të kontrollojë automobilët si dhe këshillat për cfarë duhet bërë dhe cfarë nuk duhet bërë. E gjitha në emër të atij që duket një maksimizim i eficencës, pa marrë aspak në konsideratë sistemin totalizues që është ndërtuar, që të ngjan me burokratët injorantë stalinistë.
Një kritikë radikale që, megjithatë, shkon përtej Google. Në vëllimin tuaj të mëparshëm, Cypherpunks, keni shkruajtur se interneti ¨është facilituesi më i rrezikshëm i totalitarizmit, që mund të kemi njohur ndonjëherë”. Megjithatë, në këtë libër shkruani se “gjëja më e mirë që po ndodh është radikalizimi i rinisë që di të përdorë Internetin”. Aq sa mjafton për t’iu kundërvënë një antiutopie digjitale globale?
Ka sinjale të qartë se qytetërimi global po shkon drejt një antiutopie. Pyetja është: cfarë mund të bëjmë? Përgjigja është se ka disa zgjidhje – mund të jenë të mjaftueshme apo jo, por janë gjithë sa kemi. Njëri është edukimi politik i masave, që ka nisur të shfaqet në Internet dhe që po vazhdon. Aftësia e të rinjve për të mësuar dhe për t’u përshtatur me atë që përndryshe do të ishte një sistem i orientuar për nga totalitarizmi elektronik, nuk duhet nënvlerësuar. Për shembull, shohim të shfaqen forma të reja organizative, sisteme si Bitcoin që i shtojnë rrjetit të kompromentuar një shtresë të sigurtë, të mbrojtur nga kriptografia.
A është realiste të pyesim si bëni ju, që survejimi në masë përfundon që thjeshtë reformohet, sidomos tani që ISIS risjell përsëri rrezikun terrorist në vëmendjen e globit?
Kemi botuar mijëra dokumenta për IS që nga viti 2007. Kalifati nuk është, në thelbin e tij, një fenomen i ri dhe ai e kupton që, nëse dëshiron të rrisë mbështetjen për veten duhet që të sulmohet. Ato foto të tmerrshme të prerjes së kokave shërbejnë për të fituar mbështetës. Përgjigja e SHBA dhe e aleatëve është që të transformojnë cdo gjë në një rrezik ndaj sigurisë së tyre, është apo jo i tillë, me qëllim që të terrorizojnë opinionin e brendshëm publik.
Dhe të justifikojnë survejimin në masë?
Sigurisht, po ndodh tashmë. Por nuk besoj se ka vërtetë rëndësi. Në fund të fundit, roli i NSA, GCHQ dhe aleatëve është që të shkelin ligjin. Për këtë arsye është iluzion të mendosh që antidoti i survejimit global në masë do të vijë prej normave. Mund të përballohen, por se si, kjo ka të bëjë më përdorimin e teknologjive mbrojtëse. /lastampa/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

 

 

Leave a Reply

Back to top button