Magazine

“Sharper”: Në Nju Jork paratë janë në thelb sinonim i suksesit

Kur një film nuk është i tillë? Kur bëhet fjalë për 6 filma në 1, kur zhanret ndërrojnë pa shumë mundim dhe kur e çon audiencën e tij në një udhëtim nëpër histori të ndërlidhura me aq vrull dhe stil, saqë askujt nuk i intereson që ajo që nisi si një komedi romantike, është kthyer në një thriller drithërues, që përshkruan një dramë hakmarrjeje dhe një artist të rrugëve.

Dhe nëse ka një mesazh mbi kapitalizmin global? Aq më mirë. Mirë se vini tek “Sharper”, filmi i ri i Apple TV+ me protagonistë Julianne Moore, Sebastian Stan, Briana Middleton, Justice Smith dhe John Lithgow, dhe me regjinë e regjisorit anglez Ben-jamin Caron, që më herët ka drejtuar filma si Andor, The Crown, Sherlock, Skins deri tek Wallander.

“Ky i pëdorur në këtë film është një stil gjithnjë e më i suksesshëm. “Duket si një përvojë e freskët. Shikimi i filmave është një përvojë ekzistenciale e të ndjerit diçka. Dhe këta filma të bëjnë të ndjesh diçka të thellë. Filmat duhet t’ju çojnë në një peizazh ëndrrash, në një udhëtim aventurash”- thotë ai.

Sipas tij audienca është shumë inteligjente dhe dëshironte që të “shkonte” së bashku me kineastët në atë udhëtim. “Prandaj me ‘Sharper’, unë doja të filloja me versionin tim të një komedie romantike. Tamam sikur ta kisha futur në një shishe Richard Curtis dhe ta kisha çuar në West Village në Manhatan.

“Aty ka një librari, një djalë të mbyllur në botën e trillimeve sepse aty ndihet i sigurt. Hapet dera dhe hyn një vajzë. Është një histori aq e vjetër sa koha. Pastaj iu dha stili i komedisë romantike. Pra, ne shëtisim së bashku në aktin e parë të filmit. Kjo pjesë e historisë është shumë e rëndësishme sepse fokusi që keni mbi Tom Smith dhe Sandra Middleton, është ai që ju shoqëron gjatë të gjithë filmi”- shprehet regjisori britanik.

Por shumë më tepër se sa kaq. Sepse shfaqet Julianne Moore. Dhe me ardhjen e saj, “Sharper” komplikohet. Afatet kohore përsëriten nga këndvështrime të ndryshme. Historitë e përditësuara e shtrembërojnë realitetin e asaj që ne kemi parë. Personazhet shfaqen nën drita të reja.

Dhe transformohen toni dhe stili i rrëfimit. “Julianne Moore është një nga aktoret më origjinale dhe më të guximshme sot në treg. Dhe asaj i pëlqen të aktrojë. Më kujtohen bisedat kur ajo thoshte: Unë e dua kamerën. Më pëlqen shumë aktrimi. Ajo është një aktore e mrekullueshme, por më e rëndësishmja, një qenie njerëzore shumë e bukur”- thotë Caron.

“Më kujtohet që e pashë atë në filmin “Safe” të Todd Haynes, i cili ishte një nga të parët e saj, dhe u dashurova me të që nga ai moment. Unë jam rritur duke e parë në filma modestë dhe filma të mëdhenj. Ajo ia ka dalë të kapërcejë me kaq shumë sukses nga kinemaja e studiove të mëdha tek ajo e pavarur, duke ruajtur një ndjenjë integriteti për atë që ajo përfaqëson. Ajo është shumë aktive. Flet me vendosmëri dhe me të drejtë kundër armëve në Amerikë”- shton regjisori britanik.

Ky film merret me pabarazinë e madhe të pasurisë që ekziston në SHBA. “Një për qind e më të pasurve zotërojnë gati gjysmën e pasurisë së Amerikës. Mendoni për këtë për një moment. Është çmenduri. Është si në shkollë, nëse një fëmijë në klasën tuaj do të zotëronte gjysmën e gjithçkaje. Nëse gjysma e librave, gjysma e karrigeve do të ishin vetëm për të.

Julianne nxiti një diskutim rreth Nju Jorkut, dhe mënyrën sesi funksionon ky qytet në raport me Ëndrrën Amerikane.

Është një qytet transaksional. Brenda disa dekadash, ai është shndërruar në një shesh lojërash kaotik të kapitalizmit të tregut të lirë dhe të një pasurie marramendëse, me një hendek të madh midis të pasurve dhe të varfërve. Është një qytet që nderon pasurinë dhe që tërheq si gangsterët, bankierët po ashtu edhe hajdutët”- deklaron Caron.

Ai shton se në Nju Jork nuk ka ndarje të vërtetë klasore siç ka në Britaninë e Madhe. “Në thelb, në Nju Jork paraja është e barabartë me suksesin. Personazhet tanë mund të ekzistonin vetëm në NewYork City. Ai është ende duke u lëkundur nga efektet e politikës së Reagant, ku papritmas paratë dhe pasuria ishin gjithçka, një qytet ku gjithçka lejohet dhe mund të jesh kushdo që dëshiron të jesh.”

Gjithsesi, të qënit diku ku mund të jesh kushdo që dëshiron të jesh, ka avantazhe e veta. Për këtë mjafton të pyesni Caron. Sharper është filmi i tij i parë pas një karriere të gjatë dhe të larmishme në televizion. Ai ka bërë një rrugëtim të gjatë.

“Futja në botën e televizionit ishte shumë e vështirë. Ne u rritëm në një pijetore në Black Country, afër Stourbridge. Pra, ideja për t’u bërë regjisor filmi nuk ishte diçka për të cilën fliste ndokush. “Ne shkonim një herë në javë në kinema në qendrën tregtare Merry Hill, sepse ata reklamonin në pub dhe fituam dy bileta falas. U desh të kalonte shumë kohë para se të realizoja filmin tim të parë”- thekson ai. / bota.al

Back to top button