Histori

Forum / A ka përfunduar vërtet Lufta e Ftohtë?

Shpeshherë mendohet se Lufta e Ftohtë, mori fund me shembjen e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Por me marrëdhëniet midis Rusisë dhe disa vendeve perëndimore, që janë bërë gjithnjë e më të ftohta, dhe që po flasin gjithnjë e më shumë për shtimin e arsenalit të tyre bërthamor, lind pyetja:A ka përfunduar vërtet kjo luftë? Tre historianë japin mendimin e tyre

Evan Modslej, profesor i historisë ndërkombëtare në Universitetin e Glasgout:Lufta e Ftohtë, ishte një produkt i revolucionit të vitit 1917 dhe Luftës së Dytë Botërore

Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Federatës Ruse, kanë qenë të ftohta gjatë 10 viteve të fundit, dhe u ftohën më tej nga aneksimi rus i Krimesë i vitit 2014. Por këto zhvillime, janë pjesë e një epoke të re. Lufta e Ftohtë, nënkuptonte më shumë se sa një tension midis dy shteteve kryesore. Ajo evoluoi me kalimin e kohës, por kishte 3 tipare thelbësore.

Së pari, pasojë e Luftës së Dytë Botërore, ishte bipolariteti global. Shumë shtete të mëdha u mundën ose u dobësuan, duke lënë në drejtimin e botës dy superfuqitë. Uashingtoni dhe Moska ndërtuan sistemet e tyre të aleancave, veçanërisht NATO-n dhe Traktatin e Varshavës.

Tipari i dytë ishte ideologjia, marksizmi-leninizmi kundrejt kapitalizmit liberal (ose anti-komunizmi). Këto sisteme ideore, bënë bashkë secilin bllok, dhe penguan marrëdhëniet e mira midis blloqeve kundërshtare.

Udhëheqësit sovjetikë, e morën seriozisht socializmin:ishte një pikëmbështetje e bllokut të tyre, veçanërisht në Europën Lindore, dhe fitoi mbështetjen e konsiderueshme të Bashkimit Sovjetik midis grupeve të majta politike në Europë, dhe më pas në lëvizjen anti-koloniale.

Tipari i tretë ishte ndërtimi masiv i armëve, veçanërisht atyre bërthamore. Armë të tilla, i bënë të paimagjinueshme konfliktet ushtarake, në shkallën e Luftës së Dytë Botërore. “Lufta” ishte pra e ftohtë, e zhvilluar përmes ideologjisë dhe jo luftës fizike. Bota ndryshoi thellësisht në të treja fushat, si rezultat i rënimit të BRSS.

Së pari, blloqet nuk ekzistonin më, veçanërisht sistemi i aleancës në Europën Lindore. Tashmë, federata Ruse nuk ka aleatë ose klientë të ngushtë. Ngjashëm, me asnjë kërcënim serioz të jashtëm, SHBA-ja merr vetëm një mbështetje të kufizuar nga miqtë e saj. Ndërkohë, marksizmi-leninizmi pushoi së qeni një ideologji e fuqishme.

Federata Ruse, flet herë pas here për një ideologji anti-liberale ose për “Eurazianizmin”, por as nuk siguron bazën për një lëvizje ndërkombëtare. Armët bërthamore ekzistojnë ende; SHBA-ja dhe Federata Ruse, kanë shumë më tepër se sa shtetet e tjera.

Por ato luajnë pak rol në marrëdhëniet mes tyre, dhe Federata Ruse, me një popullsi sa gjysma e asaj të SHBA-së, mund të përdorë vetëm forcat e dobëta konvencionale. Shtetet e mëdha nuk do të bien dakord, dhe do të garojnë mes tyre. Por Lufta e Ftohtë, ishte produkt i Revolucionit Rus të vitit 1917 dhe Luftës së Dytë Botërore. Ajo ka mbaruar, dhe nuk rikthehet më.

Vladisllav Zubok, është profesor i historisë ndërkombëtare në Shkollën Ekonomike të Londrës:Ironikisht, populistët në Perëndim tentojnë ta shohin tani Rusinë si një aleat potencial kundër sfidave të tjera

Ka pasur gjithmonë nga ata që besonin, se Lufta e Ftohtë nuk përfundoi në vitin 1991. Dhe këta mund të ndesheshin në 3 fusha kyçe:elitat post-sovjetike në Moskë, në vende më të vogla përgjatë kufijve të Federatës Ruse dhe në Uashington.

Në Moskë, këta njerëz ishin fillimisht në periferi të opinionit publik:ushtarakë, ish-zyrtarë të KGB-së dhe ideologë të nacionalizmit rus. Ata u frymëzuan nga anti-amerikanizmi dhe nga besimi, se SHBA-ja nuk do të toleronte një Rusi të fortë dhe të pavarur.

Në vendet që kufizohen me Federatën Ruse, nacionalistët që erdhën në pushtet pas vitit 1991 besonin se Rusia nuk s’do të bëhej kurrë një demokraci liberale e qëndrueshme. Udhëheqësit e këtyre vendeve, zgjodhën një strategji parandaluese:t’i bashkoheshin NATO-s, dhe në këtë mënyrë të parandalonin mundësinë e rikthimit gjeopolitik të Rusisë.

Së fundmi, në Uashington, regjimi i Jelcinit i viteve 1990, u pa nga “luftëtarët e Luftës së Ftohtë” si një largim i përkohshëm nga “Rusia e përjetshme”:autoritare dhe e vendosur në dominimin e Euroazisë. Sapo të rifitonte forcën, argumentuan ata, ajo do të ishte sërish një kundërshtare e SHBA-së.

Nuk ishte e paracaktuar që këto këndvështrime të bashkoheshin, dhe të bëheshin profeci vetë-përmbushëse. Pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, komentuesit thanë se “Ariu rus” ishte rikthyer. Duke ri-përdorur slogane të Luftës së Ftohtë, ata e paraqitën atë si një kërcënim për “botën e lirë”, me Ukrainën që ra si dominoja e parë, që po i shtron rrugën dominimit rus të Euroazisë.

Megjithatë, do të ishte një shtrembërim i historisë të konsiderohet Rusia e Putinit, një pushtet rajonal, autoritar dhe i korruptuar, dhe që po zhvillon beteja të njëjta si Bashkimi Sovjetik.

Në situatën e re, kur liberalizmi global në SHBA dhe Europë, kontrollohet nga kontradiktat e brendshme, mund të ketë një ri-reshtim të madh global.

Përpjekjet e mediave liberale të qendrës, për ta portretizuar Rusinë si armikun kryesor të bashkësisë ndërkombëtare, kanë dështuar të ndezin një luftë të re të ftohtë, sepse ato e çojnë realitetin shumë larg.

Ironikisht, populistët e djathtë në Perëndim, kanë prirje ta shohin Rusinë si një aleat të mundshëm kundër sfidave të tjera, nga islamizmi radikal, tek Kina e plotfuqishme. Kjo është një lojë tërësisht e re. Tek e fundit, Lufta e Ftohtë përfundoi në vitet 1989-1991. Ne jetojmë në një botë të re kaotike.

Robert Servis, historian i specializuar mbi historinë ruse:Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë mbërthyer në një luftë për epërsinë botërore

Lufta e Ftohtë, që zgjati nga fundi i viteve 1940 deri në fund të viteve 1980, ka marrë fund. Për 4 dekada, ndërsa u shmang Lufta e Tretë Botërore, Amerika dhe Bashkimi Sovjetik garuan në ofrimin e një modeli mbi mënyrën sesi duhet organizuar një “shoqëri e mirë”.

Kur Bashkimi Sovjetik u shemb në vitin 1991, presidenti rus Boris Jelcin u përpoq që vendi i tij të pranohej se po përqafonte vlerat e demokracisë, liberalizmit ekonomik dhe pluralizmit social. Gjatë shumicës së viteve 1990, Jelcin u përball me problemet e një depresioni të rëndë ekonomik, dhe një standardi në rënie të jetesës për shumicën e qytetarëve rusë.

Situata ndryshoi kur në pushtet u ngjit Vladimir Putin në vitin 2000. Ai njoftoi nisjen e një fushate për një shtet të forte, dhe një shoqëri të rregullt. Në fillim, ai zgjodhi miqësinë me presidentin amerikan George W.Bush dhe ndihmoi pushtimin e udhëhequr nga Amerika në Afganistan, por kur nuk arriti të siguronte miratim për sjelljen e tij të egër ushtarake në Çeçeni ai u bë armiqësor ndaj Perëndimit.

Rritja në tregun botëror e çmimeve të naftës dhe gazit, i dha Putinit të ardhurat që i duheshin. Ai e kundërshtoi politikën amerikane në Lindjen e Mesme, aneksoi Krimenë dhe ndërhyri ushtarakisht diku tjetër në Ukrainë. Ai modernizoi armatimet ruse, dhe provokoi presidentët amerikanë.

Në këtë pikë, ka shqetësime rreth ripërtëritjes së mundshme të Luftës së Ftohtë. Megjithëse Rusia është e lidhur me sistemin kapitalist, ajo pretendon të ketë një ide më të mirë se sa Amerika, mbi mënyrën e organizimit të një demokracie.

Megjithatë, Rusia dhe Amerika janë mbërthyer në një luftë gjithëpërfshirëse për epërsinë botërore, dhe rënia e fundit e çmimeve të naftës dhe gazit, e bën Rusinë një konkurrente më pak se sa mbresëlënëse. Nuk është ende nje Luftë e re e Ftohtë, por një situatë e rrezikshme akute. Kryqëzoni gishtat…

Burimi: HistoryExtra

Në shqip nga bota.al

Portalet që ripublikojnë këtë material DUHET të vendosin linkun e plotë:

https://www.bota.al/2018/09/forum-a-ka-perfu…t-lufta-e-ftohte/

Leave a Reply

Back to top button