Magazine

Gjenet e Neandertalit na mësuan të zgjohemi herët në mëngjes

Sa herë që shkoni në shkollë apo në punë në kohë, duhet të falënderoni paraardhësit tuaj të Neandertalit. Sepse kërkimet e reja sugjerojnë se gjenet e trashëguara nga kushërinjtë tanë të zhdukur tashmë, mund të na kenë pajisur me aftësinë për t’u zgjuar herët në mëngjes.

Njerëzit e parë modernë që mbërritën në Euroazi, duhej të përshtateshin me një sërë sfidash mjedisore, midis tyre edhe një ndryshim më të madh sezonal në orët e ditës sesa ishin mësuar në atdheun e tyre afrikan. Për fatin e tyre të mirë, shtëpia e re ishte tashmë e populluar nga grupe të tjera njerëzore që ishin përshtatur mirë me jetën në gjerësi gjeografike më të mëdha.

Duke u shumuar me Neandertalët Euroaziatikë,  Homo sapiens-ët e lashtë morën shumë gjene, dhe disa tipare gjenetike pozitive mund t’i kenë ndihmuar ata të lulëzojnë në habitatine tyre të panjohur verior.

Për të parë nëse ky kryqëzim gjenetik ndryshoi modelet tona të gjumit, autorët e një studimi të fundit përdorën metodat e mësimit të makinerive të bazuara tek sekuencat për të identifikuar variantet e vjetra brenda gjenomit njerëzor që ndikojnë në ritmet cirkadiane.

I njohur gjithashtu si “Ora e trupit”, ritmi cirkadian vepron si një rregullator i integruar i cikleve gjumë-zgjim. Megjithëse ky sistem i brendshëm i matjes së kohës, ndikohet nga një gamë e gjerë faktorësh mjedisorë, gjenet cirkadiane luajnë një rol të madh edhe në përcaktimin nëse një person është një “laureshë e mëngjesit apo një “buf nate”.

“Kryqëzimi midis njerëzve modernë dhe Neandertalëve, krijoi potencialin për një përshtatje pasi njerëzit u zhvendosën në mjedise të reja që ishin populluar nga Neandertalët për qindra mijëra vjet. Ne identifikuam shumë variante specifike të vjetra, që mund të ndikojnë në lidhjen dhe rregullimin e gjeneve cirkadiane”- shkruajnë autorët e studimit në artikullin shpjegues.

Kur analizuan natyrën e këtyre varianteve, studiuesit vunë re se të gjithë dukej se e zhvendosnin në të njëjtin drejtim ritmin cirkadian. “Variantet me më shumë lidhje kishin një probabilitet më të lartë që një euroaziatik të ishte një person që zgjohet herët nëmëngjes”- thonë ata.

Megjithëse është e paqartë pse një njeri që zgjohet hershëm në mëngjes, është i përshtatshëm për të banuar në zona me gjerësi gjeografike më të madhe, autorët e studimit theksojnë se përshtatje të ngjashme cirkadiane janë vënë re edhe tek speciet e tjera që kanë pushtuar rajonet veriore. Për shembull tek mizat e frutave, këto gjene e ndihmojnë orën e trupit të sinkronizohet me stinën e verës, kur ditët janë të gjata dhe kur Dielli lind herët.

Back to top button