HistoriMagazine

HISTORI E KURORA / “Na ishte një herë” një mbret…

Fitoret dhe humbjet, stili i qeverisjes dhe çuditë e burrave dhe grave që janë shndërruar në simbole absolutë të pushtetit. Origjina dhe fytyrat e shumta të një protagonisti absolut të pushtetit: monarkut

Screen Shot 2015-04-25 at 20.55.32

Na ishte një herë një mbret… Madje, ishin tre: një mbret-prift, një mbret-luftëtar dhe një mbret-perëndi. Janë modelet bazë të monarkisë, ndoshta forma më e lashtë e qeverisjes. Por fytyrat e kësaj figure paraprirëse të historisë kanë qenë në fakt shumë më tepër. Nuk dimë se si quhej i pari njeri i kurorëzuar.

Por dimë që qytetet e lindur mes Nilit dhe Mesopotamisë, më shumë se 6 mijë vite më parë, qeveriseshin nga sovranë. Dhe që monarku i parë (nga greqishtja, “ai që qeveris i vetëm”) ka qenë ndoshta një shaman apo një prift.

Paraardhësi i faraonëve egjiptianë, “Mbreti Akrep” i kronikave gjysmë-legjendare të Luginës së Nilit i njihte sekretet e vërshimeve të Lumit të shenjtë, të cilat dinte t’i parashikonte, dhe si rrjedhim, edhe t’i shfrytëzonte. Kontrolli mbi rubinetin e prosperitetit egjiptian i siguroi atij një vend në majën e piramidës sociale. Ishin ata si ai, që nisën të përdorin një prej shenjave më të lashta dhe më të përhapura të pushtetit: skeptrin, në formën e shkopit apo bastunit të komandës. Një shkop magjik që bashkon tokën dhe qiejt.
Dinastitë
Mbreti Luan ishte edhe paraardhësi i parë i asaj që, disa egjiptologë e quajnë “dinastia zero”. Dhe nuk ka monarki pa dinasti. “Edhe monartkitë siç i kemi njohur prej shekujsh në perëndim, bazoheshin në norma shumë të ngurta të linjës së vazhdimësisë”, pohon Maria Antonetta Visceglia, docente e historisë moderne në Universitetin la Sapienza të Romës dhe autore e librit “Rite të oborrit dhe simbole të mbretërive”.

“Vdekja e mbretit shënonte gjithmonë një moment pasigurie. Funerali mbretëror shërbente pikërisht për të projektuar në mënyrë publike sovranin e ri, dhe për të shpallur vazhdimësinë e pushtetit”. Shpallja që në Francë shënonte kalimin nga një sovran tek tjetri (“Mbreti vdiq! Rroftë mbreti”), ishte në fund të fundit, një shmangie e atij boshllëku të pushtetit. Sepse të mbeteshe pa monark, ishte pak si të mbeteshe pa perëndi.

Hyjnorë

Gjithmonë në zonën mes Egjiptit dhe Mesopotamisë ndodhi që mbreti-prift u ngrit nga një ndërmjetës mes njerëzve dhe hyjnive, në një perëndi në vetvete. Shumë shpejt, edhe tek popujt që udhëhiqeshin nga luftëtarë, si Ititët dhe persët, mbreti luftëtar i origjinës u shndërrua në një lloj perëndie. E madje edhe në Romë, ku nga monarkia e kohëve të hershme (ndoshta me prejardhje etruske), ishte kaluar në qeverisje republikane, në fund të fundit lartësohej imperum (e drejta për të komanduar), duke u frymëzuar nga shembulli lindor. Hapin e madh e bëri Oktavian Augusti, i hyjnizuar si Jul Cezar në vitin 42 para Krishtit. Por, prototipi ishte i mëhershëm: Aleksandri i Madh (356-323 para Krishtit). Një model shumë efikas sepse lejonte, falë karizmës perandorake dhe ceremonive publike, që të mobilizoheshin masa të mëdha njerëzish. “Aleksandri ishte në të vërtetë pasardhësi i tiranëve grekë të shekullit IV para Krishtit, që ndoshta përfaqësonin eksperimentin politik me sukses më të madh, pas krizës së demokracive (Athinë), dhe oligarkive (Sparta)”, shpjegon Mario Vegetti, një prej historianëve italianë më autoritarë sa i përket historisë së botës së lashtë. “Kishte hipur në fron si një pasardhës i ligjshëm i mbretit të Maqedonisë, por prestigji dhe pushteti i tij buronin nga pushtimet ushtarake dhe nga efikasiteti i qeverisjes. Për t’u bërë i pranueshem për popujt lindorë që kishte pushtuar kërkoi mbështjellën fetare, duke u prezantuar në Egjipt si bir i perëndisë Amon, ndërsa në Persi si mbret i hyjnizuar”.

Pa mbret?

Megjithatë, jo të gjithë shtetet e lashtësisë kishin sovranë. “Greqia, përpara Aleksandrit të Madh nuk njihte regjime monarkikë”, vazhdon Vegetti. Ndonëse dallimi mes mbretit (i legjitimuar nga prejardhja dinastike) dhe tiranit (mbajtës i një pushteti të paligjshëm) ishte i njohur në epokën klasike, gjuha e zakonshme shpesh herë nuk bënte dallim mes basileus (sovran) dhe tyrannos. Monarku absolut që nuk prekej fare prej ligjit konsiderohej si karakteristik në botën orientale. Aristoteli thoshte se të gjithë vartësit e Mbretit të Persisë gjendeshin në kushte skllavërie dhe tmerri e frika nga tirania ishin kaq të forta saqë vetë Perikliu (shekulli V para Krishtit) u akuzua për sjellje despotike nga ana e athinasve. Historiiografi Tucididi e përcaktonte regjimin e tij si “në teori një demokraci, por në fakt qeverisja e nejriut më tëmirë”. Por Perikliu duhej të kishte gjithmonë kujdes sa i përket sjelljeve të tij në ansamblenë e qytetarëve, reagimeve të së cilës i druhej shumë”.

Po ç’mund të thuhet për mbretërit që takojmnë tek Iliada dhe tek Odisea? Agamemnoni, Nestori apo Uliksi ishin trashëgimi të një epoke në të cilën demokracia, në Greqi ashtu sikurse kudo tjetër, nuk njihej ende. “Ishin mishërimi i fundit i Wanax, mbreti i qytetërimit Mikenas (shekulli XVII-XII para Krishtiut): një replikë, në shkallë të zvogëluar e sovranëve lindore”, vazhdon Vegetti.

“Wanax mbretëronte në një shoqëri ku burokracia mbretërore kontrollonte veprimtarinë ekonomike, administronte drejtësinë, dominonte rrethinat. Por pushteti i saj ishte i kufizuar nga një klasë priftërin jsh nga e cila me shumë gjasa varej pushteti dhe ligjshmëria e saj”.

Të parazgjedhur

Pra pak a shumë kuptimi i mbretërisë ka qenë gjithmonë i shoqëruar me shpjegimin: ruajtje e traditës dhe vazhdimësi e dinastisë. Në fakt nuk kishte mbret pa ritin që e shoqëronte në legjitimimin e tij dhe ku vihej theksi sidomos në karakterin e shenjtë të tij. Më i rëndësishmi i këtyre riteve, me origjinë shumë të largët por i perfeksionuar në Mesjetë, ishte ai i konsakrimit: “Artikulohej në faza të ndryshme: veshja, betimi, dorëzimi i flamurit dhe kurorëzimi”, thotë Maria Antonetta Visceglia. “Ishte një rit kalimi të pushtetit që transformonte protagonistin (princin zakonisht) duke e shndërruar në persona mixta ̈një njeri që kishte diçka hyjnore në vetvete”. Shumë rite konsakrimi parashikonin, përpara dorëzimit të simboleve, vajimin: një lloj pagëzimi mbretëror. “Që atëherë, mbretërit “barbarë” visigotë vajiseshin përpara se të hipnin në fron, por riti e ka origjinën që në konsakrimin e Pipinit të Shkurtër, 791”.

Sovranët e Francës dhe të Anglisë pas vajimit thuhej se përftonin edhe fuqinë e shërimit, me prekjen e tyre, nga disa sëmundje. “Nga ana tjetër, jo të gjithë “vajiseshin”: nuk bëhej kjo me mbretërit e Kastijës dhe Aragonës, as edhe ata të Spanjës. Në çdo rast, mbretërit perëndimorë nuk bëheshin asnjëherë mbretër-priftërinj si homologët e tyre bizantinë”. Edhe sepse në Europë ekzistonte tashmë një sovran absolut i cili bashkonte pushtetin spiritual dhe atë tokësor: Papa.

Kundërfuqi

Hyjnor apo gjysmëhyjnor, po të vëresh me kujdes asnjë mbret nuk ka qenë me të vërtetë “i vetmi në komandë”. Pushteti mbretëror duhej të bënte llogaritë edhe me kundërpushtetet apo kundërfuqitë, të forta në një slalom mes komplotesh dhe uzurepatorësh. Faraonëve u kundërvihej kleri i qyteteve të shenjtë (Menfi, Abidos, Karnak). Perandorëve romakë u kundërvihej aristokracia e senatorëve. Ata bizantinë kishin të bënin me peshkopët. Nga ana tjetër, Papa (i vetmi monark absolut që është ende në fuqi në perëndim) që me fillimin e viteve një mijë ngriti një kurth të suksesshëm ndaj sovranitetit të perandorëve gjermanë. Ndërsa në Angli, ishin baronët që vunë në frerë pushtetin e mbretit me anë të Magna Carta-s (1215), që është praktikisht embrioni i monarkisë kushtetuese. Madje edhe sovranët e Francës (të paktën deri në “revolucionin absolutist”) të Luigjit XIV kishin të bënin shumë me eminencat gri, si kardinalët Richelieu dhe Mazarino.

“Sipas disa historianëve, absolutizmi është një mit, një legjendë”, shpjegon Visceglia. “Pushteti i sovranit ishte i kufizuar nga ai i rendeve të tjerë shoqërorë: privilegjet e fisnikërisë, gjykatat e drejtësisë, të drejtat e profesioneve, ushtrisë dhe bashkimeve të qytetarëve, instancave të parlamenteve”. As edhe ancien regime nuk ishte monolit: ishte një shoqëri komplekse, e përfshirë nga konfliktet. “Prej këtyre konflikteve, institucioni monarkik pësoi ndryshime gradualë: e demonstruan në mesin e viteve 600 revolta kundër absolutizmit e dinastisë Stuart në Angli (Karli I kishte shpërndarë Parlamentin), Fronda franceze dhe revolucioni i vitit 1789”. Përplasje që transformuan, në një periudhë afatgjatë shumë mbretëri në monarki parlamentare dhe sovranët e tyre në krerë “të thjeshtë” shteti. E megjithatë, miti i “Mbretit të Madh” vazhdon të ekzistojë edhe sot e kësaj dite në atributet që ne i japim persait Kir, “i Madhi”, Aleksandrit dhe Karlit “të Madh”, Frederikut dhe Pietrit “të Madh”.

Modele

“Të mëdhenj” ishin një kohë sovranët që shndërroheshin në modele për tu ndjekur nga pasardhësit e tyre”, shpjegon eksperti. “Si mbretërit-ptofetë të Testamentit të Vjetër, “të drejtët” David dhe Solomon, apo themeluesi i perandorisë së parë që bashkoi Lindjen dhe Perëndimin, Aleksandri i Madh. Nga figurat e tyre të idealizuara burojnë tiparet kryesorë të sovranitetit të bazuar në parimin e madhërisë dhe mbi virtytet e drejtësisë dhe barazisë, por edhe ata të shenjtërisë”.
Pushtimet ushtarakë dhe diplomatikë kishin rëndësi, por fatin e një monarku të mirë e bënte mbi të gjithë shenja e mirë që kish lënë pas për pasardhësit. “Madhështia në arkitekturë ishte tashmë shenjë madhështie”, pohon Visceglia. “Por të lëvdoje dhe ngrije lart një mbret si të shenjtë, kjo qe një shenjë që po lartësoje të gjithë dinastinë. Kështu, fama e një monarku ndërtohej pas vdekjes së tij, duke i atrubuar kronaka dhe portrete, apo edhe episode çudibërës.

Sovranët e të tjerëve, nga Amerika në Kinë

Figura e mbretit është universale. Bëjnë përjashtim popujt nomadë (që megjithatë kanë patur edhe ata mbretër-luftëtarë të mëdhenj, si huni Atila apo mongoli Genghis Khan). Përtej oqeanit, në perandorinë e Inkasve në Ande mbreti, Qhapaq Inca konsiderohej me origjinë hyjknore dhe si i tillë edhe nderohej. Pak a shumë në të njëjtën periudhë në Meksikë mbretëronte një tjetër perandor, ai i Aztekëve. Ndsërsa Majat ishin të organizuar në qytete- shtete që përgjatë historisë së tyre mijëvjecare qaeveriseshin nga sovranë të dinastive. Edhe në Azi, monarkitë me trashëgim kanë qenë gjithmonë në plan të parë: nga India e perandcorisë Moghul tek Kina, mozaik etniko- politik i “homogjenizuar” vetëm nga centralizimi prej figurës gjysmë hyjnore të perandorit, deri tek mbretëria Khmer në Kamboxhia. Mbreti- luftëtar i stepave orientale ishte në fakt Khani i Madh i perandorisë mongole. Absolutizmi i tij i bazuar në forcëqn ushtarake shërbeu si model për carët rusë dhe perandorinë e tyre centraliste. /Storica/ Bota.al

Leave a Reply

Back to top button