Herman Webster Mudgett është një prej vrasësve serialë më famëkëqinj të historisë. I njohur më mirë si Dr. Henry Howard Holmes, ose thjeshtë H H Holmes, ai është akuzuar se ka vrarë deri 200 vetë, në mënyra nga më të ndryshmet dhe më të tmerrshmet. Eshtë një rrëfim shastisës me tmerre të paimagjinueshëm, dhe vdekje tronditëse, që supozohet se do i japë Leo Di Caprios një tjetër shans për të fituar një Oscar si aktori më i mirë. “Djalli në Qytetin e Bardhë” do të sjellë në ekranin e madh historinë e tmerrshme, teksa Martin Scorcese do të jetë regjisori i filmit, ku aktor kryesor është bashkëpunëtori i tij i preferuar.
Dyshja e superyjeve të kinemasë kanë punuar së bashku për filma të suksesshëm si “Ujku i Uoll Stritit”, “Ishulli i të marrëve” dhe “Banditët e Nju Jorkut”, por projekti i tyre më i fundit po shkakton shumë bujë, për shkak të natyrës së jashtëzakonshme të temës.
Holmes jo thjeshtë i vriste viktimat e tij, ai kënaqej duke i torturuar në shumë mënyrë të ndryshme dhe të frikshme. Në fund, vdekja e tij e merituar ishte po aq e tmerrshme.
Holmes vepronte nga hoteli i tij në Chicago, i pagëzuar me emrin “Kështjella” nga fqinjët. Një sistem labirinti prej 100 dhomash pa dritare fshihte krimet e tij të tmerrshëm. Dhomat e gjumit që nuk përshkoheshin nga zhurmat, të pajisura me linja gazi i mundësonin të mbyste viktimat dhe një dhomë me pllaka hkuri i mundësonte djegien e tyre, ndërkohë që “dhoma e fshehtë e varjes” ishte vendi për linçimet. Viktima të tjera thjeshtë mbylleshin në dhoma të mëdha pranë zyrës së tij, ku liheshin të mbyteshin.
Holmes i hiqte qafe trupat në një kalim të fshehtë në bodrum. Disa prej tyre i priste, u hiqte mishin dhe ua shiste shkollave mjekësore si skelete. Të tjerë i digjte në gëlqere apo acid, ndërkohë që dy furra të mëdha përdoreshin për të djegur trupat si dhe provat inrkiminuese. Ishin vrasje në një shkallë të tmerrshme.
Vetë Holmes nuk u pendua asnjëherë për krimet e tij, duke thënë se ishte i prekur nga Satanai. “Kam lindur me djallin brenda meje”, thoshte ai. “Nuk kam ç’i bëj faktit që isha vrasës, ashtu si një poet nuk ka ç’i bën frymëzimit për të kënduar”.
“Kam lindur me Djallin Nr. Një si mbështetësin tim, që qëndronte pranë shtratit tim kur erdha në këtë botë, dhe ai nuk më është ndarë që atëherë”. Viktimat e Holmes ishin kryesisht gra dhe kryesisht bjonde, por kishte dhe disa burra dhe fëmijë.
Në tetor 1895, Holmes doli para gjyqit për vrasjen e bashkëpunëtorit të tij, Benjamin Pitezel. Në moshën 34-vjecare, ai u shpall fajtor dhe u dënua me vdekje. Më tej ai rrëfeu për 30 vrasje në Chicago, Indianapolis dhe Toronto. Në 7 maj 1896, Holmes u var në Burgun Moyamensing. Ai qëndroi i qetë deri në fund. Vdekja e tij ishte pothuajse po aq e tmerrshme sa edhe ato që u shkaktoi të tjerëve.
Qafa e tij nuk u thye kur u var, kështu që vdekja ishte e ngadaltë dhe me mbytje. Trupi i tij qëndroi varur për 20 minuta përpara se të shpallej zyrtarisht i vdekur. Filmi me aktor kryesor Di Caprion bazohet në ekzaminimin që Erik Larson i ka bërë në vitin 2003 krimeve të Holmes: “Djalli në qytetin e bardhë: Vrasje, magji dhe cmenduri në panairin që ndryshoi Amerikën”./Bota.al