Lëvizja studentore, nga tragjedia tek rrëzimi i Vuçiçit

Megjithëse ishte lëvizja studentore ajo që fitoi zgjedhjet në Serbi, asnjë student nuk është zgjedhur deputet

lëvizja studentore

Kjo lëvizje lindi nga një tragjedi. Ajo nisi me studentët që bllokonin rrugët dhe u shndërrua në protesta pothuajse të përditshme, duke u kthyer në një lëvizje mbarëkombëtare kundër korrupsionit dhe neglizhencës së qeverisë.

Në më pak se dy vjet, studentët arritën t’i jepnin fund 14 viteve të dominimit politik të Aleksandar Vuçiçit, i cili pa se si mbështetja për Partinë e tij Progresive Serbe (SNS) po zbehej, derisa kjo parti përfundimisht dështoi në zgjedhjet që u shndërruan në një referendum për të ardhmen e Serbisë.

Nga Beogradi në Novi Sad dhe Nish, atmosfera ishte euforike, ndërsa mbështetësit u mblodhën në qendrat e qyteteve ose përpara selive të Listës Studentore. Në një postim në rrjetet sociale, studentët shpallën: “Serbia është e lirë”.

Më simbolikja nga të gjitha ishte shpërbërja e të ashtuquajturit “Ćaciland”, një kamp me tenda në mbështetje të Vuçiçit, i ngritur 18 muaj më parë në Parkun e Pionierëve, në qendër të Beogradit, përpara Parlamentit serb. Gardhet metalike u rrëzuan mes thirrjeve: “Vuçiçi po largohet”.

Si e ndryshoi lëvizja studentore Serbinë

Ata nuk kanë udhëheqës të qartë dhe as përvojë në politikë. Megjithatë, lëvizja “Lista Studentore – Studentët Fitojnë” arriti të tërhiqte votues kundër qeverisë nga të gjitha shtresat e shoqërisë serbe.

Lëvizja paraqiti kandidatë për të 250 vendet në Parlament, por mes tyre nuk kishte asnjë student.

Ndërsa iu bashkua studentëve që marshonin drejt Beogradit javën e kaluar, kandidati kryesor i listës, kardiologu Ilija Srdanović, deklaroi se po rishkruhej historia: “Kjo energji është e pandalshme”.

“Ne u ofrojmë qytetarëve tanë vlerat themelore të një shoqërie të qytetëruar, të cilat ky regjim i mëparshëm ua ka mohuar qytetarëve tanë, tashmë për herë të fundit”, tha ai për BBC-në.

Gjithçka nisi më 1 nëntor 2024, kur streha prej betoni në hyrje të stacionit hekurudhor të Novi Sadit, qytetit të dytë më të madh të Serbisë, u shemb, duke shkaktuar vdekjen e 16 personave.

Tragjedia u konsiderua si një simbol i korrupsionit të përhapur. Kritikët e lidhën rikonstruksionin me mangësi fatale të stacionit me presidentin, i cili e kishte lidhur ngushtë emrin e tij me këtë projekt.

“Kur u shemb streha, ajo ishte pika që mbushi kupën”, thotë Helena Ivanov, nga instituti kërkimor Henry Jackson Society.

Sipas saj, ishte një moment i ngarkuar emocionalisht, që ndezi shkëndijën e një fushate kombëtare marshimesh dhe aktivitetesh. Kjo fushatë arriti të fitonte zemrat dhe mendjet e qytetarëve serbë në një mënyrë që asnjë parti opozitare nuk kishte mundur ta bënte më parë.

Ajo që nisi si protesta javore të studentëve, të cilët kërkonin drejtësi në kampuset universitare dhe në rrugët e qyteteve, u shndërrua shpejt në një lëvizje kombëtare. Shpesh e organizuar në nivel lokal, lëvizja përfshiu shtresa shumë më të gjera të shoqërisë serbe, mes tyre fermerë, aktorë dhe gjyqtarë.

Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiçit u trondit dukshëm dhe, në janar 2025, kryeministri i tij dha dorëheqjen “për të ulur tensionet”.

Në mars 2025, Beogradi u bë skena e protestës më të madhe kundër qeverisë në historinë e Serbisë. Ndërsa lëvizja studentore, pa një udhëheqje të centralizuar, po forcohej gjithnjë e më shumë, studentët nisën të organizoheshin përmes asambleve studentore, të njohura si plenume.

Në kohën kur Vuçiçi shpalli zgjedhjet e parakohshme muajin e kaluar, ata ishin gati. “Ata kanë arritur ta shndërrojnë atë vrull emocional në një organizim të mirëfilltë dhe t’i mësojnë njerëzit se si të mbrojnë ndershmërinë e procesit zgjedhor në qendrat e votimit”, shpjegoi Helena Ivanov.

“Mesazhi ishte i qartë: sundimi i ligjit, jo sundimi përmes ligjit”, tha Gordana Delić, drejtuese e Programit për Ballkanin në Fondin Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara. Sipas saj, votimi i së dielës ishte, në thelb, një referendum.

Fillimisht, Vuçiçi u përpoq t’i vlerësonte protestuesit si njerëz “me qëllime të mira”. Megjithatë, përpara zgjedhjeve, ai i akuzoi ata se po përpiqeshin të “rrëzonin” Serbinë.

Edhe pasi pranoi humbjen të dielën në mbrëmje, ai ngriti një akuzë të pabazuar, duke pretenduar se studentët kishin mbështetjen e disa “vendeve evropiane dhe shtetit të thellë amerikan”, pa përmendur emra konkretë.

Kush do ta qeverisë tani Serbinë?

Një gjë është e qartë: nuk do të jenë studentët, pasi ata nuk kandiduan në zgjedhje. Ky ishte një vendim i mirëmenduar, pasi elektorati ndoshta nuk do të kishte votuar për një listë kandidatësh me pak përvojë jetësore.

Megjithëse kandidati i tyre kryesor ishte Ilija Srdanović, profesor i kardiologjisë në Novi Sad, ai nuk konsiderohet realisht si një kandidat i mundshëm për kryeministër.

Pak prej kandidatëve dallohen si udhëheqës të mundshëm.

Sipas projeksionit përfundimtar të organizatave të pavarura të sondazheve CeSID dhe Ipsos, 141 kandidatë të kësaj liste kanë fituar mandate në Parlament. Mes tyre janë: ish-ylli i basketbollit, Dejan Bodiroga, i renditur i 24-ti në listë, aktori i njohur Tihomir Stanić, i teti në listë, këngëtari operistik Nikola Mikić, i 46-ti në listë, ish-guvernatori i Bankës Kombëtare të Serbisë, Dejan Šoškić, i 27-ti në listë, si dhe një numër relativisht i madh profesorësh universitarë.

Emri i Šoškićit është përmendur si një kandidat i mundshëm për postin e kryeministrit.

Ai ka folur publikisht për reformat që do të ndërmerrte në ekonomi dhe është kritikuar gjerësisht nga mediat pranë qeverisë.

Cili është programi i tyre?

Deputetët e zgjedhur do të kenë detyrën të zbatojnë atë që, në thelb, përbën një program politik.

Sipas vetë studentëve, ata po kërkonin njerëz që mund të hynin në institucione, “ta kryenin punën e tyre me përgjegjësi dhe të mos harronin arsyen pse ndodheshin aty”.

Në kuadër të një programi me 11 pika, lëvizja studentore synon:

Çrrënjosjen e korrupsionit, përmes krijimit të një njësie policore që do të arrestojë personat përgjegjës për korrupsion.

Pastrimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme nga zyrtarët që kanë shkelur rregullat gjatë shtypjes së protestave, si dhe nga kushdo që ka lidhje me krimin e organizuar.

Reformimin e medias në Serbi, ku ka pabarazi të theksuara, dhe çlirimin e transmetuesit publik nga kontrolli politik.

Ndalimin e emërimit të militantëve partiakë në drejtimin e ndërmarrjeve publike.

Vuçiçi dhe Partia Progresive Serbe i mohojnë akuzat për korrupsion dhe për përpjekje për të ushtruar ndikim mbi mediat.

A do të vazhdojë të jetë një lëvizje studentore, edhe pa studentë?

Megjithëse nuk janë zgjedhur deputetë, janë pikërisht studentët ata që u kanë bërë premtime qytetarëve serbë. Për këtë arsye, ata do të përballen me presion për të përmbushur programin e tyre.

Qytetarëve të zakonshëm serbë, të cilët studentët i përzgjodhën për të përfaqësuar lëvizjen e tyre, “u është besuar detyra që një pjesë të betejës, të cilën e kemi zhvilluar në rrugë gjatë vitit të kaluar, ta zhvendosin brenda institucioneve”, deklarojnë studentët.

Në fjalimin e tij të dielën në mbrëmje, Vuçiçi u tha mbështetësve të partisë së tij se studentët kishin shkatërruar dy vite të jetës në Serbi dhe se ata do të mposhteshin “më shpejt nga sa mendojnë”. / Paul Kirby, BBC

Bota.al

Back to top button