
Lufta SHBA-Iran nuk ka përfunduar kurrë. Uashingtoni dhe Teherani godasin njëri-tjetrin, ndalen dhe kthehen sërish te kërcënimet. Tani, hija e bombardimeve të reja shtrihet mbi 4 nëntorin, një ditë pas zgjedhjeve të mesmandatit. Sipas shtypit amerikan, ka shumë të ngjarë që Donald Trump të japë urdhrin për të sulmuar dhe republikanët të dalin nga kutitë e votimit të mundur. Nuk mjaftojnë për të qetësuar situatën fjalët e ministrit të Jashtëm Abbas Araghchi, i cili e cilësoi letrën e dërguar nga zëvendëspresidenti JD Vance si “një hap pozitiv”.
Trump pret që regjimi të përkulet, ndërsa në Teheran komandon një pushtet i përçarë, i mbledhur rreth Mojtaba Khameneit, i cili ka mësuar të kundërpërgjigjet. Por, pas tetë muajsh, në ç’pikë është situata në terren?
Dy palët mbërrijnë në një sfidë të re të mundshme më të dobësuara. Amerika ka konsumuar një pjesë të mirë të raketave të saj interceptuese, Irani nuk e kontrollon Ngushticën e Hormuzit, por ruan raketat e veta. Ngushtica, përmes së cilës kalonte një e pesta e naftës botërore, është bërë peng i një bllokade të dyfishtë dhe përfundimi i rrethimit amerikan të porteve iraniane mbetet kushti i parë i Teheranit.
Në Jemen, Houthit kanë rindezur luftën me Arabinë Saudite dhe kanë vënë në shënjestër armët e tyre në portën tjetër të naftës bruto: Bab el-Mandeb.
Udhëheqja e teokracisë: Regjim më i ashpër. Lamtumirë «strategjisë së durimit»
Prej tetë muajsh, Republika Islamike është në luftë dhe që atëherë drejtohet nga Mojtaba Khamenei, i zgjedhur pas vrasjes së babait të tij, Aliut, në sulmin izraelito-amerikan të 28 shkurtit.
Dje, ajatollahu urdhëroi “një përgjigje të menjëhershme dhe të efektshme, pa kufizime gjeografike” ndaj çdo sulmi të ri, pasi Uashingtoni i paralajmëroi vendet e Gjirit për sulme të mundshme në prag të zgjedhjeve të mesmandatit.
Regjimi është më i ashpër dhe më ekstremist. Ahmad Vahidi komandon Pasdaranët, Hossein Taeb milicinë Basij, ndërsa Mohsen Rezaei dhe Saeed Jalili qëndrojnë në krye të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare. Ata e konsiderojnë tradhti çdo hap drejt diplomacisë.
Me “Djallin e Madh” (Shtetet e Bashkuara) negociojnë kryetari i Parlamentit Bagher Ghalibaf, një pragmatist dinak, dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, pjesë e qeverisë “reformiste” të Masoud Pezeshkianit, një president me pak pushtet.
Regjimi e ka braktisur “«durimin strategjik”, shtyllë e epokës së Ali Khameneit, falë të cilit kishte mbijetuar duke pësuar goditje pa u kundërpërgjigjur. Sot Teherani godet pa shumë skrupuj vendet e Gjirit, bazat amerikane dhe Hormuzin.
Ngushtica e Hormuzit: Bllokadë e dyfishtë, listë e zezë anijesh
Përpara luftës, përmes Ngushticës së Hormuzit kalonin rreth njëzet milionë fuçi naftë në ditë, një e pesta e sasisë botërore.
Që atëherë, shifrat ngrihen dhe bien nga java në javë. Në shtator, sipas të dhënave të kompanisë Kpler, flukset e naftës nga Gjiri ishin rikthyer mbi 8 për qind, por më pas, në tetor, një valë sulmesh bëri që ato të binin ndjeshëm, në më pak se tre milionë fuçi brenda një dite të vetme.
Ngushtica është peng i një bllokade të dyfishtë. Nga njëra anë është regjimi, i cili më 4 mars e shpalli të mbyllur dhe më pas krijoi një autoritet që vendos se kush mund të kalojë. Ai lejon tranzitin e anijeve të vendeve mike, si Kina dhe India, kërkon pagesën e një tarife kalimi dhe mban një listë të zezë.
Nga ana tjetër janë Shtetet e Bashkuara, të cilat që prej prillit rrethojnë portet iraniane për t’i penguar eksportet e Iranit. Përfundimi i këtij rrethimi është për Teheranin kushti i parë për çdo marrëveshje. Ndërkohë, ka lindur një korridor i fshehtë. Që prej majit, Komanda Qendrore Amerikane udhëheq gjatë natës anijet që transportojnë mallra përgjatë brigjeve të Omanit, për t’u shpëtuar iranianëve.
Megjithatë, anijet cisternë të naftës goditen dhe Rezaei pohon se Irani sulmon pesë ose gjashtë të tilla çdo natë.
Situata ushtarake: Arsenale të zbrazura. Tri aeroplanmbajtëse amerikane kundër dronëve të rinj
Lufta i ka zbrazur arsenalet. Sipas burimeve të cituara nga CNN në gusht, Shtetet e Bashkuara kanë konsumuar pothuajse katër të pestat e raketave interceptuese Thaad dhe gjysmën e atyre Patriot. Dhe Irani ka shkaktuar më shumë dëme sesa ka pranuar Uashingtoni.
Një analizë e Associated Press numëroi strukturat mbrojtëse, avionët dhe ndërtesat e goditura nga raketat dhe dronët iranianë në më shumë se njëzet baza amerikane në Lindjen e Mesme, deri te avioni radar E-3 i shkatërruar në Arabinë Saudite.
Ushtarët amerikanë të vrarë janë të paktën 22. Në Iran, organizata për të drejtat e njeriut Hrana flet për 3.600 të vdekur, pa specifikuar sa prej tyre janë ushtarakë, dhe paralajmëron se Teherani e nënvlerëson këtë numër. Goditjen më të rëndë Republika Islamike e ka pësuar nga ajri.
Që në mars, Izraeli njoftonte se kontrollonte hapësirën ajrore të Teheranit dhe, për javë të tëra, avionët luftarakë armiq kanë fluturuar të papenguar.
Megjithatë, sipas inteligjencës amerikane, në maj Pasdaranët ruanin shtatë nga dhjetë raketat dhe sistemet e lëshimit të tyre dhe i kishin vënë sërish në punë fabrikat, duke rifilluar prodhimin e dronëve.
Në Detin Arabik, aeroplanmbajtëset George Washington dhe George H. W. Bush presin Roosevelt-in në nëntor. Aeroplanmbajtëset amerikane do të bëhen tri.
Fronti jemenas: Houthit ushtrojnë trysni mbi Riadin. Rrezikohet Deti i Kuq
Lufta në Iran ka rindezur edhe atë në Jemen.
Në korrik, pas katër vjetësh, u prish armëpushimi mes Arabisë Saudite dhe Houthive, milicisë që Teherani e armatos dhe e mbështet. Rebelët u shtrinë përgjatë bregdetit të Bab el-Mandebit, ngushticës që mbyll Detin e Kuq, duke shpallur bllokadën e anijeve saudite.
Që kur Hormuzi është pothuajse i bllokuar, Riadi e dërgon naftën e tij bruto përmes shkretëtirës, përgjatë një naftësjellësi prej 1.200 kilometrash, deri në portin e Yanbut.
Prej andej, anijet cisternë që nisen drejt Azisë duhet të kalojnë pranë brigjeve jemenase, nën zjarrin e Houthive.
Në shtator, alarmi u dha madje edhe në Mekë, ku sauditët thonë se kanë rrëzuar një dron të milicisë, ndërsa në fillim të tetorit një sulm ndaj aeroportit të Riadit shkaktoi 14 të vdekur.
Të hënën mbërritën në Teheran tre nënshkrues të paktit të Mekës: ministri saudit i Mbrojtjes, Khalid bin Salman, kreu i ushtrisë pakistaneze, Munir, dhe kreu i inteligjencës turke, Kalin.
Arsyeja: të mbështesnin ndërmjetësimin mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara dhe të flisnin për Houthit. Ata sapo e kishin lënë Pezeshkianin, kur milicia goditi sërish mbretërinë. / Greta Privitera, “Corriere della Sera”
Bota.al