Magazine

Një gjendje e rrallë e bën 23-vjeçarin të duket si një 13-vjeçar

23-vjeçari Luiz Markez ndaloi së rrituri pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për të hequr një tumor shumë të rrallë dhe tepër agresiv. Sot ai duket si një djalë 13-vjeçar. Luiz, që njihet me nofkën Guto në qytetin e tij të lindjes Paso Fundo në Brazilin Jugor, kishte një jetë krejtësisht normale deri në moshën 7-vjeçare, kur filloi të përjetonte dhimbje të porta të kokës.

Me kalimin e kohës, ato nisën t’i shfaqen më shpesh. Asnjë nga mjekët tek të cilët e çuan prindërit, nuk mundi ta diagnostikonte saktë gjendjen e tij. Ndërkohë dhimbjet e kokës nisën të ndikonin në aktivitetin e tij në shkolle dhe jetën e përditshme.

Disa pretendonin se ishte thjesht një virus, ndërsa të tjerë pretendonin se ishte një gjendje psikologjike, ose se ai po shpikte gjithçka sepse ishte dembel. Vetëm kur djali  i vogël pësoi një konvulsion dhe u dërgua në spitalin e qytetit, u zbulua më në fund shkaku i vërtetë i dhimbjeve të kokës…

Guto u diagnostikua me kraniofaringioma, një lloj tumorit i trurit shumë i rrallë, që prek rreth 1 në 1 milion njerëz. Mjekët i thanë hallës së djalit se duhej ta operonin për të hequr një pjesë të tumorit, në të kundërt do të vdiste brenda pak ditësh.

Megjithatë, vetë operacioni përmbante shumë rreziqe, pasi vendndodhja e tumorit nënkuptonte që Luiz mund të humbiste aftësinë për të ecur, folur apo për të lëvizur sytë. Po ashtu mund të ndikohej edhe rritja e tij fizike. Në fund, familja e tij vendosi të rrezikonte dhe t’i shpëtonte jetën djalit.

Pas operacionit, Guto u vendos në një dhomë të veçantë ku monitorohej gjatë gjithë kohës, sepse mjekët donin të shihnin nëse ai do të pësonte kriza apo do të shfaqte ndonjë simptomë të pazakontë. Për fat të mirë ai e mori veten, por pas kryerjes së një sërë analizash, mjekët i dhanë familjarëve disa lajme të këqija.

Gjatë operacionit ishte prekur gjëndra e hipofizës së Guto, dhe me shumë mundësi ai do të ndalonte së rrituri normalisht në një moment. Kjo gjë mund të ndodhte brenda 1, 2 ose 3 vitesh, askush nuk mund ta thoshte me siguri. Ai ndaloi së rrituri kur mbushi 12 vjeç dhe

sot në moshën 23-vjeçare, ngjan në pamjen e jashtme sikur është të paktën një dekadë më i ri.

Po ashtu, mjekët ishin në gjendje të hiqnin vetëm rreth 20 për qind të kraniofaringiomës pa shkaktuar dëme të pariparueshme në trurin e tij. Ndaj më vonë u detyrua të kryente shumë seanca kimioterapie për ta tkurrur tumorin. Mjekët mund të zëvendësonin funksionin e gjëndrës së hipofizës së Gutos duke i injektuar djalit hormonin e rritjes, por kjo rrezikonte

të zmadhonte edhe tumorin, ndaj familja e djalit nuk pranoi.

Kur ndaloi së rrituri, jeta e Luiz Augustos ndryshoi. Ai u përball me sfidën më të madhe, pranimin e gjendjes së tij të veçantë, dhe të faktit që nuk do të dukej më kurrë sa duhet ta tregojë mosha e tij. Ndaj nisi të rebelohej, pushoi së foluri me askënd në shkollë, përfshirë mësuesit, dhe familja ishte e vetmja që e ndihmoi të kapërcente pikëllimin.

“Pa familjen time, nuk do të kisha mundur ta kapërceja atë gjendje. Kam njohur njerëz që kur zbulojnë se kanë kancer heqin dorë nga gjithçka. Sot nuk më intereson asgjë tjetër. Unë kam miq me të mëdhenj se vetja, njerëz 20, 30, 40 vjeç, të cilët nuk më paragjykojnë, nuk më thonë asgjë. Sot jam shumë mirë, flas shumë më të gjithë, dhe nuk më vjen turp për asgjë”- tha Guto për BBC.

Sot, 23-vjeçari Guto është 1.62 metra i gjatë, peshon rreth 50 kg dhe nuk duket më i madh se 13 vjeç, por nuk e lejon më që kjo gjendje të ndikojë mbi gjendjen e tij psikologjike. Ai është i lumtur që është ende gjallë pas disa vitesh kimioterapie dhe 12 operacioneve në kokë, duke përfshirë njërin për të instaluar një valvul për të kulluar lëngun cerebrospinal nga kafka e tij. Ai ka ende një tumor në tru në madhësinë e një kokrre fasuleje, por nuk ka më dhimbje koke.

“Sëmundja e Gutos është shumë e rrallë, mund të jetë 1 rast për 50 milionë apo më shumë, sepse nuk ka statistika të sakta”-thotë Nerio Azambuja Jr., neurokirurgu i Gutos, duke shtuar se 23-vjeçari do të duket gjithmonë shumë më i ri se mosha e tij reale.

Back to top button