EkonomiMAIN

Rënia drastike e grabitjeve të bankave në Danimarkë, tregon përfitimin e madh nga një shoqëri pa para fizike

Danimarka ka zbuluar një përfitim të papritur nga një shoqëri pa para fizike, teksa grabitjet e bankave në vendin skandinav ranë në zero vitin që sapo lamë pas. Të dhënat nga “FinansDanmark”, një shoqatë e industrisë, tregojnë se numri i sulmeve ndaj bankave ka rënë ndjeshëm vitet e fundit, pasi zhvendosja drejt transaksioneve online ka bërë që shumë banka daneze të braktisin shërbimet me para në dorë në degët e tyre.

Ndërsa në vitin 2000 në vend u regjistruan 221 grabitje bankash, numri i tyre ra në 121 në vitin 2004, përpara se të binte në vetëm 1 rast gjatë vitit 2021, dhe asnjë rast vitin e kaluar. Po ashtu për dytin vit radhazi nuk pati sulme ndaj bankomateve ATM deklaroi një zëdhënëse e shoqatës, duke shtuar se krimi financiar është zhvendosur në internet, teksa po shtohen mashtrimet dixhitale.

Zhdukja e grabitjeve të bankave në Danimarkë, është një sinjal tjetër sesi sistemi financiar global po transformohet nga zhvillimi i internetit. Vetëm rreth 20 degë bankash në Danimarkë mbajnë ende para të gatshme në arkat e tyre. Sa i përket bankave, amerikanët mbeten më tradicionalë se sa evropianët.

Të dhënat e përpiluara nga FBI-ja, sugjerojnë se në Amerikë ka pasur një rritje të krimeve të lidhura me bankat. Kështu në vitin 2021 pati 1.964 grabitje bankash, vjedhje dhe sulme ndaj makinave të blinduara, nga 1.788 në vitin 2020.

Ashtu si danezët, edhe britanikët po favorizojnë gjithnjë e më shumë format e pagesës online. “UK Finance”, një organizatë e industrisë vendase, zbuloi se 57 për qind e të gjitha pagesave në Britani gjatë vitin 2021 ishin kryer me kartë, ndërsa me para fizike vetëm 15 për qind.

Ajo thekson se rreth 23 milionë njerëz kishin përdorur para të gatshme maksimumi 1 herë në muaj atë vit, nga 13.7 milionë në vitin 2020. Popullariteti në rritje i bankingut në internet në Britani, i cili është përshpejtuar shumë që nga shfaqja e pandemisë së Covid-19, ka bërë që shumë huadhënës të pakësojnë numrin e degëve.

Me mijëra degë janë mbyllur vitet e fundit. Por kjo ka sjellë shqetësimin se njerëzit që mbështeten ende tek paratë e gatshme po shkëputen nga sistemi bankar. Ndërkaq vitet e fundit, ka pasur një rritje të ndjeshme të mashtrimeve në internet dhe llojeve të tjera të mashtrimeve, pasi kriminelët përfitojnë nga rritja e bankingut në internet.

Back to top button