AnalizaMAIN

Si do të heqë dorë Trumpi?

Nga Damon Linker

Xho Bajden do të betohet si president më 20 janar 2021. Donald Trump nuk ka kapacitetin për të përmbysur zgjedhjet që i humbi me një diferencë të dukshme, pavarësisht sa shpesh dhe në çfarë forme ai e përsërit gënjeshtrën se fitoi.

Ai mund të përpiqet të shkatërrojë tranzicionin presidencial. Por tek e fundit, shumica e këtij procesi ndodh automatikisht. Gjë që do të thotë se fundi i administratës Trump po vjen, pavarësisht se sa bindshëm presidenti e pretendon të kundërtën. Kjo është ajo që vazhdon të thotë pjesa e arsyeshme e mendjes sime.

Por një pjesë tjetër, më e shqetësuar e imja në nxit të them diçka tjetër. Jo se Trump është i gatshëm të bëjë një grusht shteti dhe të eliminojë qeverisjen demokratike në Shtetet e Bashkuara. Por fakt është se rruga nga këtu ku jemi deri atje ku duhet të jemi pak më shumë se dy muaj më vonë është… e paqartë.

Si të kalojmë nga presidenti qëkëmbëngul se zgjedhjet i janë vjedhur, nga udhëheqja e partisë së tij që e mbështet atë në këtë pretendim, dhe një shumicë e votuesve republikanë që e besonin historinë e tij tinëzare -tek të gjithë ata që e pranojnë dhe pohojnë në publik se Xho Bajden është presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, dhe se ai në fakt nuk përfundoi në Shtëpinë e Bardhë përmes një grushti shteti?

Për këtë pyetje nuk kam një përgjigje të mirë. Trump nuk po ngre pikëpyetje në lidhje me numërimin e votave në shtete të caktuara. Ai nuk është duke thënë se Bajden fitoi, por se ai (Trump) do të qëndrojë në detyrë, duke u shndërruar kësisoj në një diktator autoritar.

Ai po këmbëngul se i fitoi zgjedhjet plotësisht. Se zgjedhjet ishin një mashtrim. Një konspiracion i Partisë Demokratike që fabrikoi fitoret thelbësore dhe false për Bajdenin, dhe që tani një komplot i zyrtarëve shtetërorë (shumë prej tyre republikanë) dhe gazetarëve (përfshirë ata të Fox News) po punon pa u lodhur për të legjitimuar këtë rezultat të paligjshëm.

Ky është qëndrimi i Trump, i shprehur në një seri deklaratash publike, nga shakaja e tij e Natës Zgjedhore në orën 2:30 të mëngjesit, tek shpërthimet dhe veprimet e shumta në ditët që pasuan. Supozimi i shumë republikanëve deri më tani, është se ata thjesht kanë nevojë për humor.

Lëreni Trumpin të tërbohet nga inati, le të zhvillohen betejat në gjykatë dhe rinumërimet. Dhe në fund të të gjithave, Trump do të tërhiqet, do ta pranojë se ka humbur dhe do të largohet. Por kur e ka bërë ndonjëherë Trump diçka të tillë? Përgjigja natyrisht është: kurrë.

Mendoni pak për të gjitha gënjeshtrat diskredituese:pretendimi në kundërshtim me provat e kundërta se Barak Obama ka lindur jashtë vendit, ndaj nuk i takonte te ishte president. Apo pretendimi se i ati i Ted Kruz kishte dorë në vrasjen e Xhon Kenedit.

Kur e ka pranuar ndonjëherë Trump gabimin? Nuk ka ndodhur asnjëherë. A mund të parashikojë dikush seriozisht, që Trump do të dalë dhe të njoftojë (në një deklaratë apo në Twitter) se e kishte gabim mbi akuzat për manipulim të zgjedhjeve, se gjyqtarët që vendosën kundër tij janë të justifikuar në vendimet e tyre, dhe se rinumërimet që tregojnë se ai në fakt i humbi zgjedhjet, dhe se Bajden fitoi me ndershmëri?

Supozimi tjetër që po bëjnë njerëzit, është se nëse Trump nuk tërhiqet, udhëheqja e partisë së tij në Uashington do të ushtrojë presion ndaj tij dhe ta detyrojë të heqë dorë – nëse jo brenda këtij muaji, apo para se anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të votojnë në mesin e dhjetorit, atëherë të paktën pasi Partia Republikane të ketë përdorur indinjatën e radhës për të fituar zgjedhjet për 2 senatorët në Xhorxhia më 5 janar, që do të përcaktojnë edhe kontrollin e Senatit.

Por sërish unë pyes:Kur ka ndodhur diçka e tillë? Dështimi i udhëheqjes republikane për t’i dalë ballazi Trumpit, ka qenë një nga dramat kryesore të 5 viteve e gjysmë të fundit të politikës amerikane. Njëri pas tjetrit, anëtarët kryesorë të partisë së presidentit janë palosur dhe janë përkulur para Trump.

Tani, është e vërtetë që ndonjëherë ndodhin edhe gjëra të reja, të papara. Ndoshta kjo situatë është e ndryshme. Një situatë ku Trump do të sillet ndryshe nga sa ka bërë në të kaluarën, ose këtë do të bëjnë anëtarët e zgjedhur të partisë së tij.

Ose ndoshta turmat e ithtarëve të Trump do të kthehen kundër tij për herë të parë, duke arritur në përfundimin se megjithëse ata nuk do t`a braktisnin atë edhe nëse do të qëllonte dikë  me armë në Fifth Ave, ata thjesht nuk mund ta mbështesin teksa po përpiqet të sfidojë rezultatet “zyrtare” të zgjedhjeve.

Por kjo gjithashtu, do të ishte diçka krejtësisht e pashembullt. Siç e thashë në fillim, unë mendoj se Xho Bajden do të betohet si president më 20 janar 2021. Por nëse Trump nuk tërhiqet kurrë nga e vetja, dhe nëse lidershipi republikan nuk i reziston duke e detyruar të lëshojë, dhe nëse votuesit republikanë nuk ia kthejnë shpinën, atëherë unë sinqerisht mund të them se nuk e di saktësisht se si duhet të arrijmë në atë destinacion të shpresuar. / “The Week” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button