BotaMAIN

“U shkel vija e kuqe!” “Tani, luftë totale!”

Tension i jashtëzakonshëm mes Izraelit dhe Hezbollahut. Udhëheqësi i grupit libanez Hassan Nasrallah tha se Tel Avivi kishte “shkelur vijën e kuqe”. Komenti i tij erdhi pas vrasjes së komandantit Fuad Shukr në një sulm izraelit në Bejrut. “Ne kemi hyrë në një fazë të re dhe presioni në të gjitha frontet për rezistencën që të dorëzohet, nuk ka qenë i suksesshëm,” shtoi ai në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt në TV në funeralin e Shukr. “Ajo që mund të them është se ka një luftë totale dhe të zgjeruar kundër armikut izraelit. Të gjitha opsionet janë të mundshme”, tha zëvendëskryetari i Autoritetit të Medias Ansar Allah (Houthi) dhe president i këshillit drejtues të Agjencisë së lajmeve Saba, Nasr al-Din Amer, i pyetur për rolin e mundshëm të Houthis në “hakmarrjen” e shpallur nga Udhëheqësi Suprem, Ali Khamenei, kundër Izraelit pas vrasjes së Ismail Haniyeh.

Hakmarrja e Hezbollahut

“Armiku nuk e di se nga do të vijë përgjigja jonë, qoftë nga veriu apo jugu i Palestinës dhe nëse do të jetë ndaraz, apo e njëkohshme”, kërcënoi Nasrallah. Hakmarrja, sipas kreut të grupit, do të jetë “reale dhe jo formale dhe shumë e menduar”: “Armiku dhe ata që janë pas tij do të duhet të presin përgjigjen tonë të pashmangshme. Mes nesh dhe atyre do të ketë ditë, netë dhe fusha beteje”. Sipas liderit të Hezbollahut “ajo që po ndodh nuk është më një front mbështetës” për Hamasin, “por një betejë e madhe e hapur, fushat e betejës të së cilës përfshijnë Gazën, Libanin jugor, Jemenin, Irakun dhe Iranin”.

“Kur një nga komandantët tanë bëhet martir, ai zëvendësohet shpejt. Ne kemi një gjeneratë të re të shkëlqyer komandantësh,” shtoi Nasrallah, i cili mohoi se presioni ushtarak do të shtyjë Hamasin, Hezbollahun ose grupe të tjera të mbështetura nga Irani të dorëzohen. “Aspirata e Benjamin Netanyahut është që Hamasi t’i thotë: “Eja, ja ku janë pengjet dhe armët. Kjo nuk do të ndodhë. Ne nuk do të dorëzohemi as në Gaza, as në Liban, as në Jemen”, tha ai.

Në fjalimin e tij, Nasrallah mohoi që Hezbollah të ketë kryer sulmin vdekjeprurës në fushën e futbollit në qytetin Golan të pushtuar nga Izraeli, Majdal Shams. “Ne kemi guximin të marrim përgjegjësinë për vendin ku kemi goditur, edhe nëse është gabim. Nëse kemi bërë një gabim, do ta pranojmë dhe do të kërkojmë falje,” tha ai, “armiku është bërë gjykatës, juri dhe xhelat pa asnjë dëshmi”.

Përgjigja e Houthi-ve

Vrasja e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh në një sulm me raketa në Teheran është një “krim i tmerrshëm terrorist”, thonë në një deklaratë rebelët Houthi të Jemenit të mbështetur nga Irani. “Të vësh në shënjestër atë është një krim i tmerrshëm terrorist dhe një shkelje flagrante e ligjeve dhe vlerave ideale,” shkruan Mohammed Ali al-Houthi, një anëtar i byrosë politike Houthi. Rebelët jemenas qëlluan me dronë dhe raketa mbi anijet në Detin e Kuq dhe kundër objektivave në Izrael që nga nëntori, duke pretenduar se po vepronin në solidaritet me palestinezët gjatë luftës së Gazës.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj dy personave dhe katër kompanive të akuzuara se kanë kontribuar në furnizimin me armë për rebelët jemenas.

Sanksionet e reja, tha Departamenti i Thesarit, synojnë “aktorët kryesorë” në Kinë, Hong Kong dhe Jemen, të cilët kanë “mbështetur drejtpërdrejt përpjekjet e Houthi-ve për të blerë materiale të nivelit ushtarak”. / bota.al

Back to top button