Presidenti Trump mund të humbasë votat, por në biznes, The Donald ka fituar tashmë

Mund të humbasë votat, por në biznes ka fituar tashmë. Donald J. Trump përballet me zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit me nivelin më të ulët të mbështetjes popullore, që kur George Gallup shpiku këtë lloj sondazhi (1946, me Harry Truman). Në të njëjtën kohë, askush nuk ka pasur ndonjëherë në dispozicion fonde kaq të mëdha për një fushatë që dëshmon se politika amerikane tashmë është shndërruar në një degë të ndërmjetësimit financiar.
Inflacioni, tarifat doganore, nafta e shtrenjtë, një luftë pa rrugëdalje dhe fakti i qartë se manifesti Maga ishte një karrem për naivët redneck, i sajuar nga një produkt i mirëfilltë i elitës së pasur njujorkeze, e kanë rrënuar mbështetjen popullore për Trumpin. Por Big Tech dhe Big Finance, edhe nëse janë dy entitete të dallueshme, kanë vënë bast në favor të The Donald, duke hyrë në lojë me të gjitha paratë.
Komitetet Pac (political action committee) dhe super-Pac, në shërbim të Partisë Republikane dhe udhëheqësit të saj, po i bombardojnë votuesit me reklama përmes investimeve që as mediat më prestigjioze amerikane nuk arrijnë t’i përcaktojnë, përveçse në rendin e miliarda dollarëve.
Vetëm Maga Inc, super-Pac i pagëzuar me sloganin e trumpizmit, ka një fond prej 473 milionë dollarësh. Dy të tretat e kësaj shume janë shpenzuar tashmë. Një shifër marramendëse, po të mendosh se në nëntor 2024, kur Shtëpia e Bardhë ishte në lojë, Maga Inc kishte në dispozicion vetëm 290 milionë.
Vetë presidenti ka shtuar 400 milionë dollarë nga xhepi i tij për të mbështetur kandidatët e GOP (Grand Old Party), të përzgjedhur prej tij. Miku Elon Musk ka mbledhur gjatë korrikut pothuajse 300 milionë dollarë përmes America Pac-ut të tij. Pastaj janë komitetet e tjera kombëtare (Senate Leadership Fund, Safety & Affordability, Maha), pa llogaritur degëzimet e panumërta të komiteteve shtetërore.
Sipas parashikimeve, republikanët megjithatë pritet të humbasin shumicën e 453 deputetëve të Kongresit. Për të fituar Senatin, ku votohet për 35 nga 100 senatorët, demokratët duhet të ruajnë vendet e tyre dhe t’u marrin republikanëve katër vende në tetë shtetet vendimtare.
The Donald: Premtimet financiare dhe kapitalizmi i miqve
Presidenti, i cili i konsideron të manipuluara të gjitha zgjedhjet që ka humbur, si ato të vitit 2020 kundër Joe Biden, do t’i japë një shpërblim prej 1 milion dollarësh kujtdo që denoncon mashtrime zgjedhore. Ai vetë e ka dhënë shembullin, madje falas, duke paraqitur paraprakisht një padi gjyqësore lidhur me një vend në Senat në Alaskë.
Por lista e përfitimeve nuk mbaron këtu. Në rast fitoreje, Trump ka premtuar 5 mijë dollarë për çdo të rritur, çka përkthehet në një shpenzim publik prej një mijë miliardë dollarësh. Ka akorduar 8 miliardë për fermerët në krizë. U ka dhënë 90 dollarë mbi 20 milionë të moshuarve, për një shumë të përgjithshme prej 2 miliardësh. Kush denoncon raste korrupsioni në sektorin publik, do të marrë 30 mijë dollarë.
Duket si një gjetje humoristike. Në dy vitet e para të mandatit të dytë, Donald junior, djali i madh i Trumpit, vëllai Eric, njerka Melania, dhëndri Jared Kushner dhe rrethi i ngushtë i presidentit e kanë shfrytëzuar pushtetin politik në një mënyrë që e bën të zbehtë “crony capitalism”, kapitalizmin e miqve, të George W. Bush dhe zëvendësit të tij, Dick Cheney.
Lista e kontribuuesve për sallën e re të ballove të Shtëpisë së Bardhë, me vlerë 600 milionë dollarë, e cila do të përurohet në shtator 2028, pak javë përpara zgjedhjeve presidenciale, është një Hall of Fame i vërtetë i miliarderëve në kërkim të dashamirësisë së pushtetit.
Kontributin më të lartë, 25 milionë dollarë, e kanë dhënë Apple, Nvidia, sipërmarrësi i telekomunikacionit Charlie Ergen dhe Miriam Adelson, 81 vjeçe. E veja e Sheldon Adelson, mbretit të kazinove të Las Vegasit, ka shtetësi amerikane dhe izraelite dhe mbështet financiarisht super-Pac-un trumpian Preserve America, përveç Bibi Netanyahut.
Me 22 milionë dollarë renditet Google, e cila ka derdhur në fondin për sallën e ballove paratë e marrëveshjes për zgjidhjen e çështjes gjyqësore të ngritur nga presidenti kundër YouTube-it. Platforma e kontrolluar nga Google ia kishte pezulluar llogarinë Trumpit pas sulmeve të dhunshme ndaj Capitol Hillit, më 6 janar 2021.
Në kuotën e 21 milionëve është kontributi i Isaac Perlmutter, ish-drejtor ekzekutiv i Marvel-it. Me nga 10 milionë secili kanë kontribuar gjiganti i industrisë ushtarake dhe aeronautike Lockheed, Microsoft dhe Palantir i Peter Thiel, sipërmarrës dhe guru i së djathtës.
Më pas vijnë Comcast (NBC dhe Sky), Altria (ish-Philip Morris), Amazon i Jeff Bezos, BlackRock (15 mijë miliardë pasuri nën administrim), Cisco Systems, Meta e Mark Zuckerberg dhe familja Singer e fondit Elliott, ish-pronar i Milanit.
Pronari aktual i klubit kuqezi, Gerry Cardinale, ka kontribuar në përfundimin e blerjes së Warner-it nga Paramount Skydance, kompania e supertrumpianit Larry Ellison, i cili ka një pasuri të vlerësuar në pak më shumë se 200 miliardë dollarë. Cardinale ka ndjekur bashkimin prej 111 miliardë dollarësh përkrah David Ellison, djalit të Larryt, njeriu i tetë më i pasur në botë.
Miliarderët në krah të Trumpit
Lista e dhjetë miliarderëve më të pasur, e përditësuar nga Forbes më 26 tetor, është një listë donatorësh dhe aleatësh të presidentit.
Pas numrit një, Musk, i cili mund të thyejë çdo rekord me bashkimin e Tesla-s dhe SpaceX-it të tij, të vlerësuara në 3.500 miliardë dollarë, vijnë Bezos, dy bashkëthemeluesit e Google, Larry Page dhe Sergey Brin, Michael Dell, Mark Zuckerberg, Jensen Huang i Nvidia-s, Ellison i vjetër dhe Steve Ballmer i Microsoft-it.
Warren Buffett, 96 vjeç, mit i investitorëve amerikanë, është vetëm në vendin e dhjetë dhe është i vetmi që ka qëndruar larg Shtëpisë së Bardhë. George Soros, përkundrazi, një tjetër financier veteran i brezit të Buffett-it, dhe i biri Alex vazhdojnë të mbështesin kandidatët demokratë, së bashku me Mike Bloomberg, botues dhe ish-kryebashkiak i Nju Jorkut, i cili ka mbledhur 80 milionë dollarë.
Në krah të Trumpit janë edhe Stephen Schwarzman, numri një i Blackstone, gjigantit të administrimit të aseteve që zotëron një pjesë të Autostrade per l’Italia, dhe Steve Wynn, një tjetër manjat i kazinove.
Në frontin e bankierëve, në vitin 2025 Jamie Dimon i JPMorgan Chase ka krijuar një fond prej 1.500 miliardë dollarësh për investime në sigurinë kombëtare dhe ka shpenzuar tashmë 230 miliardë në mbështetje të industrisë së rëndë, armatimeve dhe energjisë.
Vetë Dimon ka pranuar se do t’i pëlqente të kandidonte për president të Shteteve të Bashkuara. Trump nuk duhet ta ketë vlerësuar këtë dhe ka ngritur padi kundër JPMorgan-it, sepse i kishte mbyllur llogaritë pas sulmit ndaj Capitol Hillit në vitin 2021.
“Zgjedhjet – ka deklaruar për New York Times Chuck Schumer, kreu i pakicës në Senat – mund të përmblidhen kështu: a mund ta kapërcejnë sasitë e jashtëzakonshme të parave republikane epërsinë e demokratëve në çështjet, kandidatët dhe klimën politike?”.
Ndoshta jo. Dhe Trumpi, i cili si biznesmen ka njohur ulje e ngritje, u beson parave, por edhe më shumë vetvetes. Tubimet e tij në shtete të ndryshme i kanë shndërruar zgjedhjet e mesmandatit në një referendum mes universesh paralele.
Në botën reale, presidenti e përdor detyrën për t’u pasuruar bashkë me familjen, miqtë dhe vasalët e tij, siç kujtoi së fundmi Barack Obama në tubimin e Ohajos në mbështetje të kandidatit për senator Abdul El-Sayed.
The Donald: Mes spektaklit dhe politikës
Në botën e argëtimit, ku Trumpi është një interpretues i jashtëzakonshëm, ka skeçe nga komedianë të njohur të stand-up-it, me numra tashmë klasikë që shkojnë nga testet njohëse te Kate Zakharija, zëdhënësja e shkarkuar pas pesë ditësh sepse kishte falsifikuar jetëshkrimin e saj, deri te vlerësimet e presidentit për vijën e nofullës së kandidatit republikan në Kentucky dhe për të pasmet e reperes Maga Niki Minaj, si edhe të senatorit të Ohajos John Husted.
Një hap më tej janë çmenduritë si ideja për ta riemërtuar liqenin Ontario në Lake America, për ta kristianizuar ngushticën e Hormuzit duke e quajtur ngushtica Trump, ideja për të stampuar fytyrën e presidentit në pasaporta apo për të gdhendur fytyrën e Donald J. Trumpit në fasadën e Kennedy Center në Uashington, në këmbim të 257 milionë dollarëve publikë për shpenzimet e rikonstruksionit, ashtu siç bëhet me të drejtat e emërtimit të një impianti sportiv.
Ironia del shumë rrallë nga vetë personazhi. Ai e bëri këtë më 10 tetor, në një tubim në Clarksville, Tennessee: “Mund të them gjërat më budallaqe dhe ju do të më duartrokisnit”. Dhe menjëherë u tërhoq: “Por unë nuk them gjëra budallaqe, them gjëra me kuptim”. Pikërisht logjikën e shëndoshë duhet të kujtojë votuesi mesatar se është gjithnjë më i varfër dhe më i shfrytëzuar, ndërsa njerëzit e afërt të presidentit pasurohen.
Është zbatimi i frazës së shkrimtarit John Steinbeck, i cili shpjegonte, gjashtëdhjetë vjet më parë, se në Shtetet e Bashkuara nuk ekzistojnë proletarë, por kapitalistë përkohësisht në vështirësi ekonomike.
Rrethi i besnikëve dhe interesat e biznesit
Nuk mund të mungonte as rikthimi i reality show-t The Apprentice, i drejtuar për katërmbëdhjetë sezone (2004–2017) nga një Trump në atë kohë i falimentuar, i cili u përsëriste konkurrentëve frazën torturuese: You’re fired! (Je i pushuar!).
Mes të shkarkuarve të kohëve të fundit, përveç Zakharijas, janë Paolo Zampolli dhe Kimberly Guilfoyle, ish-ambasadore në Athinë.
Zampolli, agjenti milanez i modeleve që i prezantoi Trumpit gruan e tij të ardhshme Melania, ishte emëruar i dërguar i posaçëm për partneritetet globale. Guilfoyle, ish-e fejuara e Donald juniorit, donte t’i kërkonte Eric Deters, njërit prej donatorëve të Trumpit, të paguante 100 mijë dollarë shpenzime të kartës së kreditit. Guilfoyle dhe Zampolli janë jashtë loje.
Don Jr. u martua në shtator me një kontribut prej qindra mijëra dollarësh nga oligarku rus Umar Kremlev. Më pas, Don Jr. ka thënë se ia kishte kthyer paratë. Mund ta kishte shmangur këtë, duke qenë se Vladimir Putin nuk është më dhe aq i papëlqyer.
Ashtu si Musk dhe Xi Ping, të përbuzurit e djeshëm janë miqtë e së nesërmes. Mjafton që të mund të bëhet biznes. / Burimi: L’Espresso