Speciale

Epokat e shpërqëndrimit

Të zënë, të hutuar,  të pavëmendshëm? Ka qenë gjithësecili prej nesh të paktën që nga viti 1710, dhe shumë filozofë e kanë dëshmuar këtë.

Screen Shot 2016-05-26 at 14.29.51

Nga Frank Furedi

Zgjerimi i përdorimit të internetit dhe disponueshmëria e gjerë e teknologjisë dixhitale, na ka rrethuar me burime të pafundme të shpërqëndrimit:tekste, e-maile dhe instagrame nga miqtë, dëgjimi i muzikës në rrjet, vlera gjithnjë në ndryshim të bursave dhe dhe përherë e më shumë lajme. Disa njerëz mendojnë se vullneti ynë është aq i dobët, për shkak se truri është dëmtuar nga zhurma dixhitale.

Por të fajësohet teknologjia për rritjen e shpërqëndrimit, është diçka e gabuar. Historia tregon se ky shqetesim ushqehet jo nga risia e rradhës, por nga kërcënimin që ajo – çfarëdo që mund të jetë – paraqet për autoritetin moral të ditës. Hera e parë që çështja e shpërqëndrimit u shfaq si një kërcënim social qe në Evropën e shekullit XVIII-të gjatë Iluminizmit, teksa logjika dhe shkenca po ushtronin gjithmonë e më tepër presion kundër fesë dhe miteve.

Në Angli, komentues si Riçard Still, themelues i “The Guardian”, dhe eseisti dhe moralisti Samuel Xhonson e konsideronin hutimin si një simptomë të një “mënyre të papërcaktuar të menduari”.  Ata ofruan këshilla për t’iu kundërvënë “nxitimit të mendjes ndaj të cilit janë nënshtruar disa nga shpirtrat e zënë”. 

Vëmendja u promovua si një arritje morale që ishte thelbësore për kultivimin e një karakteri të shëndoshë. Filozofi Tomas Reid, eksponenti kryesor i “sensit të përbashkët” skocez të shekullit të XVIII-të, argumentoi në esetë e tij mbi “Fuqitë Aktive të Mendjes së Njeriut (1788) se “ka rregulla morale që respektojnë vëmendjen”, të cilat janë “jo më pak e dukshme se aksiomat matematikore”.

Rregullat morale të vëmendjes kërkonin kultivimin dhe trajnimin, dhe ishte detyra e edukatorëve të siguronin që të rinjtë të ishit të mbrojtur nga përftimi i “zakoneve të hutimit”. Shpërqëndrimi është perceptuar gjithnjë si një pengesë për socializimin e të rinjve. Lufta kundër këtij fenomeni në mesin e fëmijëve dhe të rinjve, u bë shqetësimi kryesor i pedagogjisë së shekullit XVIII-të.

Edukatorët kanë qenë gjithmonë të shqetësuar për induktimin e vëmendjes tek fëmijët, por në shekullin XVIII ky shqetësim filloi të ketë një rëndësi të paparë.

Vëmendja është parë si tejet e rëndësishme për ushqimin e arsyetimit mendor, si dhe për zhvillimin shpirtëror dhe moral. Në tekstet e tij mjekësore të vitit 1775, mjeku gjerman Melkior Adam Vaukard diagnostikoi gjendjen e asaj që ai e quajti “mungesën e vëmendjes (attentio volubilis). Sipas tij, njerëzve të pavëmendshëm u mungonte stabiliteti dhe fibra e nevojshme morale për të qenë të përqendruar.

Ata “karakterizoheshin si të pamatur, të pakujdesshëm, bredharakë dhe të shthurrur”. Ndërsa portretizoheshin si relativisht të papjekur dhe jo të besueshëm. Vajkard besonte se rezultatet e dobëta të fëmijeve në të mësuar, qenë një burim i sëmundjes së hutimit dhe se ajo ishte më e zakonshme në mesin e të rinjve se sa të moshuarve.

Për të kuruar mendjen e e shpërqëndruar, ai ofroi një variant të shekullit të XVIII-të të trajtimit të karakterit. Ai rekomandoi konsumin e qumështit të thartuar, pluhurit të çelikut dhe shëtitjes mbi kalë. Gjatë shekullit XIX-të, gjendja e hutimit u moralizua tërësisht. Pavëmendja u perceptua si një kërcënim ndaj progresit industrial, përparimit shkencor dhe prosperitetit.

Ekonomisti politik skocez Uilliam Plejfeir, përmblodhi konsensusin mbizotërues mbi këtë temë, kur tha se:degradimi i karakterit moral; humbja e vëmendjes ndaj parimeve të para, të cilave shoqëria ia detyron prosperitetin dhe sigurinë e saj, janë agjentët më të fuqishëm që ndikojnë në rënien e kombeve. Plejfeir madje pohoi se në Francë “hutimi i fisnikërisë ndaj detyrës së tyre, ishte shkaku i shpërthimit të revolucionit”.

Nga fundi i shekullit XIX-të, shpërqëndrimi shërbeu si shenjë për degjenerimin racor. Ndërsa, deri në vitet 1970, kur diagnoza legjitime mjekësore e çregullimit të defiçit të vëmendjes ose ADD, hyri në gjuhën e folur dhe u përdor për të kuptuar një nën-grup me aftësi të kufizuara, gjendja e përhapur sociale e hutimit prirej të ishte e përfaqësuarakryesisht si një dëmtim i kontrollit moral.

Leksionet pionere të Xhorxh Still mbi “Disa kushte jonormale psikike tek fëmijët” (1902), qenë të fokusuara në tipare të tilla negative si ‘dashakeqësia-mizoria, xhelozia, paligjshmëria, pandershmëria, dëmi shkatërrues i papërligjur, paturpësi-pacipësia, imoraliteti seksual, dhe ligësia”. Kjo ndjesi nuk është zhdukur asnjëherë.

Epoka aktuale karakterizohet shpesh si epoka e zbavitjes, dhe hutimi nuk është përshkruar si një gjendje që mundon disa. Në ditët e sotme, erozioni i kapacitetit njerëzor për vëmendje, është portretizuar si një problem ekzistencial, i lidhur me efektet gjoja gërryese të rrjedhave digjitale të informacionit që ndeshim në rrugën tonë. “Rrjeti kap vëmendjen tonë vetëm për të shpërndarë atë”- pretendon Nikolas Kerr në librin “Sipërfaqësorët:Ja si interneti po ndryshon mënyrën se si ne lexojmë, mendojmë dhe kujtojmë” (2010).

Sipas neuroshkencëtarit amerikan Daniel Levitin, shpërqëndrimet e botës moderne mund të dëmtojnë realisht trurin tonë. E megjithatë, shqetësimet morale që kanë mbështetur gjithmonë shqetësimin e e shoqërisë ndaj kësaj dukurie qëndrojnë ende në sfond. Sikurse e pranoi kohët e fundit edhe kritiku letrar amerikan Sven Birkerts:”Ajo që unë di është se fjalët vëmendje dhe moral erdhën bashkë tek unë me një menjëhershmëri elektrike”.

Për çdo historian, kjo ka kuptim. Gjatë gjithë historisë së tij, hutimi ka shërbyer si një fokus i sublimuar i kufizimeve në lidhje me autoritetin moral. Që u zbulua në shekullin XVIII, kjo nuk është për t’u habitur. Vrulli intelektual i Epokës së Arsyes, refuzoi të vërtetat e shenjta të traditës dhe këmbënguli se argumentet duhet të bazoheshin në prova dhe arsye.

Mësuesit e dine nga përvoja  e tyre se fitimi i vëmendjes së të rinjve mbetet gjithmonë një sfidë. Megjithatë sikurse e kuptojmë shumica e vëzhguesve të ndjeshëm, fëmijët të cilët janë të pavëmendshëm ndaj mësuesve të tyre, janë shpesh tejet të vëmendshëm për mesazhet me tekst që ata marrin. Ankesa e vazhdueshme në lidhje me të rinjtë e pavëmendshëm në botën anglo-amerikane e më gjerë, mund të interpretohet si një simptomë e problemeve që lidhen me ushtrimin e autoritetit të të rriturve.

Shpesh mbi dështimin për të frymëzuar dhe kapur imagjinatën e të rinjve, është fajësuar hutia e mëndjeve të tyre. Shumë shpesh edukatorët kanë reaguar duke marrë një qasje fataliste të akomodimit me praktikat e supozuara të pavëmendshme të leximit dixhital. Ky model është më i dukshëm në arsimin e lartë, ku supozimi se studentët e universitetit nuk janë më të prirur për të lexuar tekste të gjata dhe sfiduese ose i kushtuar vëmendje ligjëratave të rënda, ka çuar në përshtatjen e materialit të kursit sipas mentalitetit të pjesëtarë të pavëmendshëm të komunitetit dixhital.

Thirrjet për të ndryshuar mjedisin arsimor për t’iu “përshtatur studentit”, janë bërë të shumëpërhapura në arsimin e lartë. Shumë ndryshe nga reagimi i filozofëve moralë si Dagald Stjuart, edhe ai i shqetësuar me problemin e studentit të pavëmendshëm. Ndryshe nga disa akademikë bashkëkohore, ai i cilësonte “zakonin e hershëm të hutimit” një problem që duhet zgjidhur sesa si një fakt pandryshueshëm të ekzistencës.

Helveci besonte se cilido kishte potencialin për të fituar “vëmendjen e vazhdueshme” dhe “triumfonte mbi plogështinë”. Për fat të keq, optimizmi i Helvecit i hapi rrugë prirjes për të hequr dorë. Vëmendja shihet ende si diçka e dëshirueshme, por pothuajse e pamundur për t’u përftuar. Sikurse vëren me shqetësim një nga kritikët “një epidemi e erozioni të vëmendjes, është një shenjë e sigurtë e një afërsisë së një epoke të errët”. Helveci do të ishte shqetësuar nga fatalizmi i shprehur në këtë paralajmërim.

Marrë me shkurtime nga Aeon Magazine – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button